Në “Kino Armata” promovohet “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare” i gazetarit Nuhi Bytyçi

Në “Kino Armata” promovohet “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare” i gazetarit Nuhi Bytyçi

Gazetari Nuhi Bytyçi ka promovuar në Prishtinë librin “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare”, një vepër publicistike që sjell dëshmi, dokumente, raportime dhe kujtime nga periudha vendimtare të historisë së Kosovës dhe përpjekjet për çlirimin e saj. Nën moderimin e shkëlqyer të moderatores dhe gazetares së njohur Besa Çeku, promovimi u mbajt të hënën në hapësirat e “Kino Armata”, në praninë e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve akademike, protagonistëve të luftës së UÇK-së, profesorëve dhe familjarëve të personaliteteve historike. Në mesin e të pranishmëve ishin gjenerali Kudusi Lama, Nait Hasani, Ramë Buja, Kadri Kastrati, si dhe deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Aktiviteti nisi me shfaqjen e një dokumentari, i cili përmblodhi përmbajtjen e librit dhe materialet e dokumentuara nga autori ndër vite. Duke folur për veprën, recensenti Astrit Salihu e cilësoi atë si një kronikë të përmbledhur të ngjarjeve të trajtuara nga Bytyçi përmes raportimeve televizive, dokumentarëve dhe shkrimeve publicistike. Ndërkaq, recensenti tjetër, Bajram Kosumi, theksoi se libri, ndonëse e ka lirinë si bosht tematik, përfshin një mozaik të gjerë ngjarjesh dhe temash që nga viti 1989. Gazetarja nga Tirana, Marina Zela, vlerësoi rëndësinë e kësaj vepre në ruajtjen e dëshmive dhe ngjarjeve që nuk kanë arritur të dokumentohen përmes fotografive apo incizimeve audio.
Autori Nuhi Bytyçi tha se libri është shkruar në kohën e luftës për liri, në rrethana të vështira dhe në mungesë të lirisë, duke theksuar se në të pasqyrohen zëri dhe sakrifica e qytetarëve të Kosovës.
“Libri i Lirisë është shkruar gjatë luftës për liri dhe në rrethanat e mungesës së lirisë”, ka deklaruar Bytyçi, duke e cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si projektin më të madh për arritjen e lirisë.
Vepra përmbledh materiale publicistike, raportime, intervista, dokumentarë dhe kronika televizive që pasqyrojnë periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në të është përfshirë edhe dëshmia e autorit në Gjykatën Speciale, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK në Mushtisht kërkon zbardhjen e rastit të dëmtimit të tabelës me emrat e dy dëshmorëve të kombit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nëndega në Mushtisht, ka reaguar publikisht pas heqjes, …