Jozefina Topalli: Jakup Krasniqi, njeriu fisnik dhe luftëtari i lirisë së Kosovës, meriton të jetë i lirë

 Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Çoba Topalli, ka reaguar me një mesazh emocionues pas kthimit të përkohshëm të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pranë familjes së tij.
Në një postim në Facebook, Topalli ka kujtuar njohjen me Krasniqin gjatë kohës kur ajo drejtonte Kuvendin e Shqipërisë, duke e përshkruar atë si një njeri fisnik, të përzemërt dhe plot dinjitet. Ajo ka shprehur dhimbjen për ndarjen e sërishme të Krasniqit nga familja dhe njerëzit e tij më të dashur, pas gati gjashtë vjetësh larg vendlindjes dhe familjes. “Sa mall i mbledhur në ato përqafime! Sa dhimbje në sytë e atyre që e përcollën!”, ka shkruar Topalli, duke iu referuar momenteve të takimit të tij me familjarët. Ish-kryeparlamentarja shqiptare ka thënë se pamjet e atyre çasteve nuk i janë larguar nga mendja, duke veçuar edhe pamundësinë e vëllait të Krasniqit për ta takuar atë. Ajo ka shtruar pikëpyetje për drejtësinë e procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke rikujtuar vuajtjet e popullit shqiptar nga masakrat, dëbimet dhe spastrimi etnik. “Kjo është vërtet një nga situatat më të padrejta që kam parë ndonjëherë”, ka shkruar Topalli. Në fund, ajo i ka uruar Jakup Krasniqit forcë, shëndet dhe durim, duke shprehur dëshirën që sa më shpejt të vijë dita kur ai të jetë sërish pranë familjes së tij, pa ndarje të dhimbshme. “Dhe mbi të gjitha, I LIRË!”, ka përfunduar mesazhin e saj Jozefina Çoba Topalli.

Kontrolloni gjithashtu

Daniel Serwer

Daniel Serwer: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën dhe pa shkëmbyer ambasadorë

Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian …