Një fotografi e nënës së saj, e veshur me bluzën e bashkëshortit, Jakup Krasniqit, gjatë protestave në mbështetje të tij, është bërë pjesë e mesazhit prekës që Gresë Jakup Krasniqi ka ndarë në rrjetet sociale. “Me plagë të madhe në zemër, por me krenari që nuk e zbehin dot as burgjet, as padrejtësitë e as sëmundjet, ju themi FALEMINDERIT!”, ka shkruar ajo, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që u solidarizuan me familjen Krasniqi. Pas gjashtë vjetësh larg familjes, Jakup Krasniqi u kthye në Kosovë më 18 nëntor, pas lejes së posaçme të gjykatës speciale në Hagë, për të qëndruar pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës ishte arsyeja e vizitës humanitare. Për katër ditë, ai pati mundësinë të qëndronte disa orë në ditë në shtëpinë e tij në Prishtinë, ndërsa natën e kalonte në objektet e EULEX-it në Fushë-Kosovë. Por kjo afërsi e shumëpritur ishte e kufizuar në kohë dhe në takime. Jo të gjithë të afërmit patën mundësi ta takonin, ndërsa vëllai i tij, Daut Krasniqi, mbeti pa e përqafuar. Edhe në çastet e largimit, familjarët qëndruan në distancë, duke e përcjellë me mall dhe emocione. Më 21 nëntor, Jakup Krasniqi u largua sërish drejt Hagës, duke lënë pas familjen dhe një pritje që zgjati vetëm katër ditë. Pamjet e ndarjes, përqafimet dhe lotët dëshmuan se sa e rëndë ishte kjo ndarje për njerëzit e tij më të afërt. Mesazhi i Gresës është një falënderim për qytetarët që nuk e harruan familjen në këto ditë të vështira. Një falënderim i shkruar me dhimbje, por edhe me krenarinë që, siç shprehet ajo, nuk e zbehin as burgjet, as padrejtësitë dhe as sëmundjet.
Sepse pas emrit të një figure publike, pas historisë së një ish-kryetari të Kuvendit dhe ish-zëdhënësi të UÇK-së, qëndron edhe një familje që përjeton ndarjen, mallin dhe pasigurinë e ditëve të vështira.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
