Ekipet mjeko-ligjore pritet të vazhdojnë kërkimet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas përfundimit të gërmimeve në Brod të Shtërpcës, në agjendë janë së paku tri deri në katër lokacione të tjera, përfshirë edhe disa zona ku do të zhvillohen kërkime për herë të parë. Këtë e ka konfirmuar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke bërë të ditur se në mesin e lokacioneve të mundshme janë edhe varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut. Në Brod të Shtërpcës, gërmimet fillimisht ishin ndërprerë pa rezultat për shkak të kushteve të vështira të terrenit. Megjithatë, pas rikthimit të ekipeve gjashtë ditë më vonë, u gjetën mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur. Kërkimet kanë përfshirë edhe fshatrat Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku gërmimet kanë zgjatur për afro një muaj. Por, sipas Garës, procesi i kërkimit nuk do të përfundojë me këto lokacione. Ai ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të zhvillohen gërmime edhe në tri ose katër lokacione të tjera, varësisht nga kushtet atmosferike dhe informacionet që janë duke u trajtuar nga institucionet përgjegjëse. Një nga lokacionet që po shqyrtohet është varreza e besimtarëve myslimanë në Mitrovicën e Veriut. Gara ka përmendur gjithashtu varrezat në lagjen Arbëria, në Prizren dhe në Gjakovë, si zona ku ekziston potenciali për gjetjen e mbetjeve mortore. Ndërkohë, Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me rezultatet e analizave të ADN-së, të cilat ishin dërguar për ekzaminim para gati dy muajsh nga varrezat masive në dy lokacione në veri të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
