Ish-diplomati Blerim Canaj ka kritikuar qasjen e Kosovës në politikën e jashtme dhe procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se diplomacia nuk është aktivizuar sa duhet për të avancuar synimet ndërkombëtare të vendit. Canaj ka thënë se zhvillimet gjeopolitike kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë katër vjetëve të fundit, ndërsa Kosova nuk i ka përshtatur sa duhet qasjet e saj me realitetet e reja ndërkombëtare. Sipas tij, politika e jashtme është përdorur më shumë për konsum të brendshëm politik sesa për të ndërtuar marrëdhënie diplomatike dhe për të siguruar përparim konkret në procesin e integrimit evropian. Canaj ka rikujtuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka vënë në pikëpyetje angazhimin institucional pas dorëzimit të aplikimit, duke theksuar se nuk është shoqëruar me një diplomaci aktive dhe përpjekje të vazhdueshme për ta shtyrë përpara këtë proces. Ai ka përmendur edhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i konsideruar ato si tregues të nevojës për një qasje më serioze në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. “Ne edhe politikën e jashtme, fatkeqësisht, e kemi përdorur për konsum të brendshëm, por nuk kemi tentuar sinqerisht, po flas për qeverinë, nuk e kemi pasur seriozisht edhe këtë rrugëtimin tonë deri më tani apo së paku gjatë këtyre viteve në drejtim të BE-së”, ka deklaruar Canaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
