Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pranë familjes së tij në Kosovë, ishte një moment i rëndësishëm dhe i shumëpritur, veçanërisht për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij.
Djali i tij, Altin Krasniqi, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se kjo vizitë ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së nënës, duke shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që u gjendën pranë familjes së tyre me mbështetje dhe solidaritet.
“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pasur nevojë, për shkak të gjendjes së nënës. I falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Altin Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se edhe gjendja shëndetësore e babait të tij, Jakup Krasniqit, gjatë vizitës ka qenë e mirë.
Pas një periudhe të gjatë larg familjes, takimi i Jakup Krasniqit me njerëzit e tij më të afërt ishte një çast i veçantë, që solli emocione dhe ngrohtësi në familje. Mbështetja e qytetarëve, ndërkaq, dëshmoi se kjo vizitë nuk ishte vetëm një takim familjar, por edhe një moment solidariteti me familjen Krasniqi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
