AKB: Tensionet politike në Shqipëri po frenojnë investimet, bizneset kosovare po hezitojnë

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësimin për ndikimin e tensioneve politike dhe protestave të vazhdueshme në Shqipëri në klimën e investimeve dhe zhvillimin ekonomik, duke paralajmëruar se pasiguria po ndikon edhe në planet e bizneseve nga Kosova.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka bërë të ditur se disa investitorë kosovarë janë treguar më të rezervuar dhe kanë ngadalësuar vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri. Sipas Shahinit, tensionet institucionale dhe mungesa e stabilitetit politik ndikojnë në besimin e investitorëve dhe në planifikimin afatgjatë të bizneseve. “Investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria”, ka theksuar Shahini. AKB u ka bërë thirrje pozitës, opozitës dhe institucioneve shqiptare që përmes dialogut të krijojnë kushte më të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, duke vlerësuar se përplasjet politike nuk duhet të pengojnë funksionimin e bizneseve dhe sigurinë e qytetarëve. Organizata ka kërkuar gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në fushën e investimeve, prodhimit, eksporteve dhe punësimit. “Kapitali nuk pret pafundësisht – ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Kontrolloni gjithashtu

Eurodeputeti Kyuchyuk: Kosova meriton respekt, meloditë nacionaliste minojnë pajtimin

Eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka reaguar lidhur me lëshimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe …