Dhomat e Specializuara në Hagë do ta shpallin sot, aktgjykimin në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Në këtë proces, Thaçi përballet me 11 pika të aktakuzës, që lidhen me dyshimet për përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë gjatë gjykimit për krime lufte. Të akuzuarit e tjerë janë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Të pesë janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj për Kuçin. Ndërkaq, mbrojtja ka kërkuar lirimin e të gjithë të akuzuarve. Ligjëruesi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Mathias Holvoet, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, nëse shpallet fajtor, Thaçit mund t’i shtohen vite të tjera burgimi dënimit prej 25 vjetësh të shqiptuar në rastin e krimeve të luftës. Sipas Holvoetit, praktika e gjykatave penale ndërkombëtare është që dënimet për vepra kundër administrimit të drejtësisë t’u shtohen atyre për krime ndërkombëtare. Megjithatë, profesori thekson se një vendim i pafajësisë nuk do ta ndryshonte dënimin prej 25 vjetësh, pasi bëhet fjalë për dy procese të ndara. Edhe një dënim eventual në këtë rast nuk pritet të ndikojë në shqyrtimin e apelit për aktgjykimin e krimeve të luftës. Aktgjykimin do ta shpallë gjyqtari Christopher Gosnell.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
