Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ju fton të merrni pjesë në lansimin e raportit “Me çfarë çmimi? Vlerësimi i kostove të shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore”, i cili paraqet kostot reale të shërbimeve të nevojshme për parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
Lansimi vjen në një moment të rëndësishëm, kur Kuvendi është në proces të shqyrtimit të Buxhetit për vitin 2027. Pa buxhet të dedikuar dhe të mjaftueshëm, ligjet dhe strategjitë për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore mbesin vetëm zotime në letër. Investimi i qëndrueshëm në këto shërbime është jetik për të luftuar me efektivitet jo vetëm dhunën në familje, por edhe format e tjera që po shënojnë rritje shqetësuese, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën e lehtësuar nga teknologjia, duke garantuar që çdo viktimë dhe e mbijetuar të ketë mbështetje psikologjike, juridike dhe institucionale në kohën e duhur.
Ndër rekomandimet kryesore drejtuar Kuvendit dhe deputetëve janë:
· 1.68 milionë euro shtesë në vit për punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale në Qendrat për Punë Sociale, me fokus te psikologët klinikë.
· Më shumë punonjës socialë në çdo komunë. Dy punonjës socialë shtesë në secilën nga 37 komunat dhe katër në Prishtinë. Kostoja është 18.130 € për secilën komunë dhe 36.260 € për Prishtinën në vitin 2027. Ka nevojë urgjente të forcohet mbrojtja e grave dhe fëmijëve.
· Rritja e buxhetit për organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare nga 2.5 milionë në së paku 5 milionë euro, përfshirë financimin e qëndrueshëm të strehimoreve dhe shërbimet tjera.
Përmes këtij raporti, RrGK synon të kontribuojë në vendimmarrje buxhetore të bazuar në evidencë dhe në sigurimin e shërbimeve cilësore, të qasshme dhe në kohë për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës.
Data: 19 nëntor 2026
Ora: 10:00–12:00
Vendi: Stacioni Kulturor, Prishtinë
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
