GAP: Tryeza e diskutimit "Ndërlidhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021-2025)

GAP: Tryeza e diskutimit “Ndërlidhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021-2025)

Instituti GAP organizoi dje tryezën e diskutimit ku u prezantua raporti “Ndërlidhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021-2025)”, i përgatitur nga Instituti GAP me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, theksoi se raporti paraqet analizën e parë gjithëpërfshirëse mbi shkallën e përputhshmërisë së shpenzimeve publike të Kosovës me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) për periudhën 2021–2025.

Stephen O’Malley, Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, theksoi se buxheti është pasqyrimi më i qartë i prioriteteve të një qeverie dhe i përkushtimit të saj ndaj objektivave të zhvillimit. Ai rikujtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj institucional ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) përmes Rezolutës së Kuvendit të vitit 2018. Sipas O’Malley-t, raporti ofron një bazë më të qartë për të kuptuar prioritetet buxhetore dhe për të vlerësuar nëse investimet publike po kontribuojnë në përmbushjen e zotimeve të Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm.

Rrona Zhuri, Koordintarore e Hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi gjetjet kryesore të raportit ku ndër të tjera theksoi se, rreth 87% e shpenzimeve buxhetore të Kosovës gjatë periudhës 2021–2025, apo 13.4 miliardë euro, kanë kontribuar në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Megjithatë, ajo theksoi se një pjesë e madhe e shpenzimeve ishin të përqendruara në vetëm pesë objektiva: uljen e varfërisë, forcimin e institucioneve, arsimin, infrastrukturën dhe shëndetësinë. Ndër rekomandimet kryesore të raportit, ajo veçoi nevojën për shpërndarje më të balancuar të mjeteve publike, për integrimin më të mirë të OZHQ-ve në planifikimin dhe hartimin e buxhetit, rritjen e financimit për objektivat e nënfinancuara, si dhe përmirësimin e targetimit të transfereve sociale.

Driton Hyseni, Zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoi rëndësinë e përfshirjes në raport edhe të donacioneve dhe fondeve nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e OZHQ-ve. Ai përmendi si shembuj financimin prej 25 milionë eurosh nga Banka Botërore për sektorin e ujërave dhe 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për përmirësimin e kushteve të banimit social.

Armenda Shala, Zyrtare e Lartë në Zyrën për Planifikim Strategjik në Qeverinë e Kosovës, foli për rishikimin e fundit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe harmonizimin e saj me Planin e Punës së Qeverisë. Ajo theksoi se strategjia përmban 143 indikatorë për matjen e progresit zhvillimor, prej të cilëve rreth 80% janë në përputhje me OZHQ-të.

Vlora Nushi – Tuzi, Shefe e Zyrës në UN Women, theksoi se te gjetjet na inkurajojnë të shikojmë përtej OZHQ 5 dhe ta trajtojmë barazinë gjinore të integruar në tërë buxhetin për të adresuar pabarazitë strukturore. Si shembull, ndër pengesat e grave për t’u kyçur në tregun e punës mbetet kujdesi i papaguar dhe qasja në transport, shërbime të kujdesit, ndikimi i ndryshimeve klimatike, etj. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është një mjet i rëndësishëm sepse ndihmon institucionet që të planifikojnë dhe alokojnë fondet në menyrë të barabartë, por edhe të monitorojnë në menyrë adekuate shpenzimet e fondeve publike.

Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, organizatave te huaja dhe lokale si dhe akterë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 21 mijë lindje në Kosovë gjatë nëntë muajve të vitit 2026

Në Kosovë janë regjistruar 21 mijë e 136 lindje gjatë periudhës janar-shtator 2026, sipas të …