Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nëndega në Mushtisht, ka reaguar publikisht pas heqjes, hedhjes dhe dëmtimit të një tabele rrugore që mbante emrat e dy dëshmorëve të kombit, duke kërkuar identifikimin e personave përgjegjës dhe rikthimin e saj në vendin e mëparshëm. Në reagimin e saj, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe si mungesë respekti ndaj sakrificës së dëshmorëve, emrat e të cilëve përfaqësojnë një pjesë të kujtesës historike dhe kombëtare. Organizata i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit, identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave ligjore ndaj tyre. Njëkohësisht, OVL-UÇK – Nëndega Mushtisht ka kërkuar nga Kryesia e Fshatit që të angazhohet për trajtimin e këtij rasti dhe vendosjen sërish të tabelës me emrat e dy dëshmorëve. Sipas organizatës, dëmtimi i shenjave përkujtimore që mbajnë emrat e dëshmorëve nuk është vetëm çështje e dëmtimit të pronës publike, por prek edhe kujtesën dhe respektin ndaj atyre që ranë për lirinë e vendit. Në përfundim të reagimit, OVL-UÇK – Nëndega Mushtisht ka ritheksuar se emrat e dëshmorëve nuk duhet të hiqen, të hidhen apo të harrohen, duke përmbyllur reagimin me mesazhin: “Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
