Më 11 nëntor 2016 nisi transmetimin TV-Dielli, një projekt mediatik që nesër shënon dhjetëvjetorin e themelimit, duke dëshmuar përkushtimin ndaj historisë, kulturës, vlerave kombëtare dhe trashëgimisë shqiptare. TV-Dielli u themelua nga Prof. Ahmet Qeriqi, atdhetar, ish i burgosur politik, studiues dhe drejtues i Radios Kosova e Lirë. Pas më shumë se një viti përgatitjesh, bisedash dhe analizash, ai e konkretizoi këtë projekt mediatik, të ndërtuar mbi një vizion edukativ, historik, kulturor dhe kombëtar. Nisma u frymëzua nga ideali dhe amaneti i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare.
Që në fillim, programi i TV-Diellit u orientua drejt pasqyrimit të historisë dhe sakrificës kombëtare, me vëmendje të veçantë për familjet e dëshmorëve, martirët, ish të burgosurit politikë, veteranët, invalidët e luftës, si dhe për jetën dhe veprimtarinë e njerëzve të punës.
Në programin e tij përfshihen dokumentarë për dëshmorët, heronjtë dhe martirët e kombit, emisione për personalitetet e historisë, kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare, Kalendari Kombëtar, emisione edukative për popujt dhe shtetet e botës, reportazhe, informacione dhe muzikë burimore shqiptare.
Nën drejtimin e Zamir Qeriqit, TV-Dielli vazhdon misionin e nisur nga themeluesi Prof. Ahmet Qeriqi, duke ruajtur identitetin e vet programor dhe përkushtimin ndaj përmbajtjeve me vlerë historike, arsimore e kulturore.
Dhjetë vjet pas fillimit të transmetimit, TV-Dielli mbetet një projekt mediatik i ndërtuar mbi bindjen se historia, kujtesa kombëtare dhe kultura duhet të ruhen e të përcillen te brezat e rinj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
