Ushtruesja e Detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është siguruar financimi i kërkuar nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke zbuluar se kërkesa e tyre ka qenë rreth 150 mijë euro në muaj. Çitaku ka thënë se kjo çështje tashmë është zgjidhur dhe se janë ndarë mjetet e kërkuara nga ekipet e mbrojtjes, ndonëse shuma e paraparë me rregulloren e Ministrisë së Drejtësisë ka qenë pothuajse përgjysmë më e vogël. “Financimi është siguruar, kjo është punë e kryer dhe këtë mund ta them. Nuk mund të flas për shuma, por gjithçka që është kërkuar nga mbrojtja… më duket se ka qenë rreth 150 mijë euro në muaj për çlirimtarët tanë”, ka deklaruar Çitaku. Ajo ka theksuar se vendimi është marrë dhe se PDK-ja është e kënaqur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke shtuar se për shkak të zotimit për konfidencialitet nuk mund të japë hollësi të tjera rreth vendimeve të ndërmarra. Duke folur për bashkëpunimin politik në këtë proces, Çitaku ka pranuar se komunikimi me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje ka ndryshuar, duke përmendur një vetëdije tjetër të zyrtarëve të lartë të kësaj partie dhe një varg vendimesh të marra në komisionet përkatëse. Ajo ka vlerësuar edhe mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se ajo është dhënë pa kushte dhe në funksion të një çështjeje që, sipas saj, tejkalon interesat partiake. Çitaku ka bërë të ditur se ende nuk ka pasur mundësi t’i takojë ish-krerët e UÇK-së pas aktgjykimit të shkallës së parë, por ka paralajmëruar se një takim i tillë do të ndodhë së shpejti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
