Mbi 8.4 miliardë euro vlerë metalesh në mbetjet industriale të Trepçës

Mbetjet industriale të Trepçës, të grumbulluara ndër dekada në deponi nëpër Kosovë, përmbajnë metale me vlerë të përllogaritur mbi 8.4 miliardë euro. Megjithatë, kjo shumë paraqet potencialin e përgjithshëm ekonomik dhe jo të ardhurat që Trepça mund t’i realizojë nga shfrytëzimi i tyre. Sipas një raporti të përgatitur me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, rreth 60 milionë tonë mbetje industriale përmbajnë plumb, zink, argjend dhe ar. Studimi ka analizuar 12 deponi. Vlerën më të madhe të metaleve e ka deponia në Graçanicë, me mbi 3.6 miliardë euro, e ndjekur nga ajo në Zhitkovc të Zveçanit, me mbi 1.3 miliard euro. Në katër deponi janë identifikuar rreth 77 mijë tonë plumb, 102 mijë tonë zink, 325 kilogramë argjend dhe 29 kilogramë ar. Raporti thekson se teknologjia e vjetruar e përpunimit të xeheve ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e metaleve të mos rikuperohet dhe të përfundojë në deponi. Teknologjitë moderne mundësojnë nxjerrjen e një pjese të këtyre metaleve, por ende nuk dihet sa do të mund të rikuperohet dhe sa do të kushtonte procesi. Përveç potencialit ekonomik, deponitë paraqesin edhe rrezik për mjedisin dhe shëndetin e banorëve, për shkak të përmbajtjes së metaleve të rënda. Raporti rekomandon shqyrtimin e shitjes së mbetjeve te kompani të specializuara dhe investimin e të ardhurave në rehabilitimin e deponive e modernizimin e teknologjisë. Në afat më të gjatë, sugjerohet edhe ripërpunimi i tyre brenda Kosovës. Pavarësisht vlerës së identifikuar, deri më tani nuk është paraqitur ndonjë projekt konkret për shfrytëzimin e kësaj pasurie. Menaxhmenti i Trepçës thotë se fillimisht duhet të përfundojë faza e dytë e studimit të fizibilitetit, e cila do të përcaktojë kostot, teknologjinë dhe mundësitë reale të investimit.        foto Radio Evropa e Lirë

Kontrolloni gjithashtu

Teuta Haxhiu propozon ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, kërkon pension proporcional për qytetarët që kanë kontribuuar para vitit 1999

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar nismë ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit …