Kryesuesi i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Tregti, Ndërmarrësi dhe Inovacion, Arben Mustafa, ka paralajmëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Binaku-Isufi, duke ngritur akuza për shkelje të ligjit dhe përqendrim të kompetencave në këtë institucion. Paralajmërimi i Mustafës erdhi pas dështimit të mbledhjes së Komisionit parlamentar, ku ishte paraparë raportimi i Autoritetit të Konkurrencës. Ai ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për pengimin e këtij raportimi, për shkak të mospajtimeve rreth rendit të ditës. Në një konferencë për media, Mustafa ka deklaruar se Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, i përbërë nga tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, nuk ka mbajtur mbledhje që nga maji i vitit 2025. Sipas tij, mosfunksionimi i këtij organi kolegjial ka bërë që kompetencat vendimmarrëse të ushtrohen individualisht nga kryetarja. Mustafa ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe janë nënshkruar tetë vendime për përqendrimin e tregut vetëm nga kryetarja, ndërsa mbi 60 kërkesa të tjera për përqendrim të tregut janë duke u miratuar në heshtje, si pasojë e mosfunksionimit të organit vendimmarrës. Ai ka paralajmëruar se këto zhvillime mund të kenë pasoja në konkurrencën ekonomike dhe në treg, me ndikim të drejtpërdrejtë edhe te qytetarët. Kryesuesi i Komisionit parlamentar ka bërë të ditur se kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës është ftuar tri herë për të raportuar para deputetëve, por, sipas tij, nuk u është përgjigjur ftesave. Në të njëjtën konferencë, Mustafa ka ngritur çështjen edhe të drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, për të cilin ka deklaruar se ka dy aktakuza, por vazhdon ta ushtrojë detyrën. Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë pretendimet për parregullsi në këtë institucion, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa institucionalë për shkarkimin e kryetares Binaku-Isufi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
