Jamie Shea: Prania e KFOR-it në Kosovë nuk rrezikohet nga ndryshimet në sigurinë evropiane

Prania e NATO-s në Kosovë, përmes misionit paqeruajtës KFOR, nuk pritet të ndikohet nga ndryshimet e mundshme në arkitekturën e sigurisë evropiane, ndërsa perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë dhe marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara mund të përballen me sfida të reja. Kështu ka vlerësuar ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar propozimin amerikan për një kornizë të re të sigurisë evropiane, në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump po zhvillon përpjekje diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas Shea-s, për Kosovën rëndësi të veçantë kanë dy zhvillime: përpjekjet e Rusisë për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe synimet për kufizimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Megjithatë, ai nuk pret që këto zhvillime të ndikojnë drejtpërdrejt në misionin e KFOR-it. “Nuk do të mendoja se po”, është përgjigjur Shea, kur është pyetur nëse ndryshimet e mundshme në sigurinë evropiane mund të kenë pasoja për praninë e NATO-s në Kosovë. Ai ka argumentuar se KFOR-i ka mandat të veçantë paqeruajtës, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999, përfshirë edhe me votën e Rusisë. Sipas tij, synimi i Rusisë për kufizimin e pranisë së forcave të NATO-s me armatim të rëndë në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk përfshin domosdoshmërisht misionin paqeruajtës në Kosovë. KFOR-i është vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 dhe ka për detyrë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. Pas përforcimit të pranisë së tij në vitin 2023, në kuadër të misionit shërbejnë rreth 4.700 ushtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Vuçiqi kërcënon me konflikt me NATO-n, ndërsa retorikën e tij për “mbijetesën e serbëve” po e përsërit edhe Lista Studentore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon ta përdorë retorikën e kërcënimeve dhe të viktimizimit për …