Deputeti i Aleancës , Daut Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas vizitës së një grupi serbësh në Pejë dhe Deçan, të cilët gjatë qëndrimit në Beograd kishin përdorur sloganin “Kosova është Serbi”. Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka kërkuar përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet e Kosovës lidhur me mënyrën se si është mundësuar hyrja dhe vizita e këtij grupi në dy qytetet e Kosovës. Ai e ka ndërlidhur këtë rast edhe me deklaratat e fundit të ministrit Nenad Rashiq për themelimin e Asociacionit, duke kritikuar atë që e konsideron si mospërputhje ndërmjet retorikës politike të Qeverisë dhe veprimeve të saj. “Dje, ministri i Kurtit foli për krijimin e Asociacionit, ndërsa sot paska pasur invazion nga serbët fitues në Beograd, me sloganin ‘Kosova është Serbi’. Lejen për ta vizituar Pejën dhe Deçanin, kush ua dha?”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë, duke përmendur edhe çështjen e Manastirit të Deçanit dhe duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e institucioneve për lejimin e vizitave të personave që, sipas tij, përdorin slogane kundër shtetësisë së Kosovës. “Perdja e patriotizmit po ju bie, por lejet për ata që kërcënojnë Kosovën duhet t’i jepni publikisht. Koha e qebeve si mbulesë ka mbaruar për secilin”, ka përfunduar Haradinaj reagimin e tij. Deri në publikimin e këtij reagimi, në materialin e raportuar nuk paraqitet ndonjë përgjigje e Qeverisë lidhur me akuzat dhe pyetjet e deputetit të AAK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
