Teuta Haxhiu propozon ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, kërkon pension proporcional për qytetarët që kanë kontribuuar para vitit 1999

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar nismë ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, me synimin që të mundësohet pensionimi proporcional për qytetarët që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute pensionale para janarit të vitit 1999, por nuk e plotësojnë periudhën e kërkuar me ligj. Ajo ka theksuar se ka qytetarë me përvojë pune deri në 44 vjet, të cilët, megjithatë, nuk arrijnë ta përmbushin kriterin ligjor për përfitimin e pensionit kontributpagues. Sipas propozimit, këta qytetarë do të mund të përfitonin pension në përpjesëtim me periudhën e kontributeve të dëshmuara, pa cenuar skemat ekzistuese pensionale dhe të drejtat e përfituesve aktualë. Haxhiu ka bërë të ditur se nisma parasheh shtimin e një neni të ri, përmes të cilit do të krijohej mundësia për pension kontributpagues proporcional për personat që kanë paguar kontribute, por nuk kualifikohen sipas dispozitave ekzistuese për pensionin kontributpagues të moshës dhe pensionin parcial kontributpagues. Duke shpjeguar mënyrën e llogaritjes, ajo ka dhënë shembullin e një pensioni të plotë prej 300 eurosh, i cili, sipas formulës së propozuar, pjesëtohet me 15 vjet. Kështu, për çdo vit kontributesh do të llogariteshin 20 euro pension mujor. Një qytetar me 14 vjet kontribute do të përfitonte 280 euro, ndërsa një tjetër me 14 vjet e gjashtë muaj do të përfitonte 290 euro në muaj. Ajo ka sqaruar se shuma prej 300 eurosh është vetëm ilustrim dhe se përllogaritja reale do të bëhej në bazë të pensionit në fuqi dhe periudhës së kontributeve të dëshmuara. Haxhiu ka theksuar gjithashtu se nisma do t’u mundësonte aplikim edhe personave që janë refuzuar më herët për shkak të mosplotësimit të periudhës së kërkuar.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku: PDK-ja nuk ka hequr dorë nga Ligji për Specialen

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se …