FSK-ja nis validimin e dy ekipeve mjekësore sipas standardeve të NATO-s

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake, kolonel Zoltan Vekerdi, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të një procesi të validimit të kapaciteteve mjekësore të FSK-së. Sipas njoftimit të FSK-së, dhjetë ushtarakë nga kjo qendër e NATO-s, të udhëhequr nga kolonel Vekerdi, janë duke realizuar validimin e dy ekipeve mjekësore të nivelit ROLE 1. Gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Qendrës së Ekselencës së NATO-s në ngritjen e kapaciteteve mjekësore të FSK-së. Në fokus të diskutimeve ishin qëndrueshmëria operacionale mjekësore, rivalidimi i ekipeve ROLE 1, shkëmbimi i përvojave dhe pjesëmarrja e FSK-së në aktivitetet e kësaj qendre, përfshirë ushtrimin fushor Vigorous Warrior 28. FSK-ja vlerëson se procesi i validimit është i rëndësishëm për avancimin e aftësive operacionale të ekipeve mjekësore dhe rritjen e ndërveprueshmërisë së tyre, në përputhje me standardet e NATO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Jamie Shea: Prania e KFOR-it në Kosovë nuk rrezikohet nga ndryshimet në sigurinë evropiane

Prania e NATO-s në Kosovë, përmes misionit paqeruajtës KFOR, nuk pritet të ndikohet nga ndryshimet …