Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për uljen e pabarazisë në paga, duke i cilësuar ato si përpjekje për të paraqitur një realitet ekonomik që, sipas tij, nuk përputhet me gjendjen në terren. Hoti ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë, duke argumentuar se treguesit e punësimit, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë, vazhdojnë të dëshmojnë për probleme të thella strukturore në tregun e punës. “Kurti mashtron veten e botën me deklarata se e ka ulur pabarazinë në paga. E fsheh të vërtetën”, ka shkruar Hoti. Sipas shifrave që ka prezantuar ai, nga dhjetë persona të moshës së punës në Kosovë, vetëm katër janë të punësuar. Gjendja, sipas tij, është edhe më e rëndë për gratë, ku vetëm tri nga dhjetë gra të moshës së punës kanë një vend pune. Ndërsa te të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, vetëm tre nga dhjetë janë të punësuar. Hoti pretendon se këta tregues kanë mbetur pothuajse të pandryshuar gjatë pesë viteve të fundit, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara në skema të punësimit dhe subvencione, të cilat, sipas tij, nuk kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme afatgjata. Kritikat e tij shtrihen edhe në koston e jetesës, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe gjendjen e prodhimit vendor. Ai vlerëson se rritja e çmimeve ka rënduar ndjeshëm ekonomitë familjare, ndërsa varësia nga produktet e importit dhe vështirësitë e prodhuesve vendorë vazhdojnë të jenë probleme serioze.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
