Ekrem Sylejman Bajrami (22.11.1978 – 2.6.1999)

Ekrem Sylejman Bajrami (22.11.1978 – 2.6.1999)

Familja Bajrami, si shumë familje të tjera që u ndoqën nga trojet e tyre stërgjyshore, në vitin 1878 është shpërngulur nga fshati Retkocer i trevës së Toplicës, që tash gjendet në pjesën e okupuar nga Serbia. Kjo familje së pari për një kohë të shkurtër është vendosur në fshatin Butovc të Prishtinës, por pastaj është vendosur në Gërdoc të Besianës që të jetë më afër me shpresën se një ditë do të kthehet atje prej nga kanë ardhur, por kjo mbeti vetëm dëshirë e tyre sepse padrejtësitë që u bënë ndaj popullit shqiptar këtë trevë me shumë fshatra tjera i aneksoi Serbia dhe familja Bajrami mbeti në Gërdoc të Llapit ku edhe tash jeton.
Sylejman Bajrami ishte i martuar me Zahide Ejupin nga Sekiraqa të cilëve u lindën 11 fëmijë, shtatë djem dhe katër vajza (vajzat: Zyrafetja, Sania, Ganimetja e Melihatja dhe djemtë: Nusreti, Blerimi, Dauti, Rrustemi, Hetemi, Jashari, Ekremi). Ekremi ishte fëmija i tetë me radhë i kësaj familjeje.
Ekrem Bajrami, u lind më 22. 11. 1978 në Gërdoc të Besianës. Shkollimin fillestar, katër klasat e para, i kreu në shkollën e fshatit të lindjes, kurse katër klasat e ciklit të lartë i kreu në shkollën e fshatit Batllavë, ndërsa shkollën e mesme e kreu në SHMT drejtimi teknik i makinerisë në Besianë.
Për shkak të kushteve dhe rrethanave që ishin në atë kohë nuk u regjistrua në fakultet.
Me aktivitete atdhetare, Ekremi filloi të merret në moshë të re i frymëzuar nga i vëllai Blerimi i cili ishte i lidhur në veprimtari me Agron Rrahmanin (dëshmor). Gjatë aktivitetit ilegal Agron Rrahmani shpesh qëndronte në shtëpinë e familjes Bajrami dhe derisa ata qëndronin bashkë me të vëllanë e Ekremit, ky kryente detyrat me të cilat ata e angazhonin. Përpos që bënte kujdestari ai shpërndante edhe trakte të ndryshme që ia jepnin Agroni e Blerimi. Andaj që nga këtu ai nisi rrugën e aktivitetit kombëtar nga e cila nuk u nda asnjëherë deri në rënien e tij. Ishte pjesëmarrës i protestave studentore të 1 tetorit 1997 dhe i demonstratave dhe manifestimeve të tjera që mbaheshin në atë kohë kundër pushtuesit serb.
Gjyshi i dëshmorit, Sherif Bajrami, në vitet e 50-ta të shekullit njëzet, në kohën e aksionit të pushtetit për grumbullimin e tepricave ushqimore ishte keqtrajtuar brutalisht nga pushtetarët. Që të mos ia merrnin drithin e familjes, ai e kishte murosur një pjesë të një dhome dhe aty e kishte fshehur drithin, por pas denoncimit nga dikush e burgosin dhe e keqtrajtojnë mizorisht ku nga pasojat e këtij keqtrajtimi pas një kohe vdes në moshën 60 vjeç.
Në vitet e 70-ta të shekullit njëzet, edhe babi i dëshmorit, Sylejmani kishte rënë në konflikt me njerëzit e pushtetit dhe ishte dënuar edhe me burg.
Me daljen në skenë të UÇK-së, Ekremi shprehu dëshirën që sa më parë të jetë në mesin e luftëtarëve të lirisë. Stërvitjet ushtarake i i kreu në fshatin Kastrat të Besianës për të vazhduar më pas aktivitetin ushtarak në pikën e Bradashit. Më 8 janar 1999 u sistemua në njësitin e fshatit Gërdoc që komandohej nga axha i tij, Ramadan Bajrami. Ndërsa nga 18 prilli 1999 kalon në njësitin “Kështjella 36 A“ i komanduar nga Shefqet Berisha e Ismail Mehmeti. Në këtë njësit ishte deri në ditën e rënies më 2 qershor 1999. Bashkëluftëtarët më të ngushtë të dëshmorit ishin, Faton Shabani (tash dëshmor), Kadri Halili, Hetem Bajrami, Arsim Bajrami, Gani Asllani, Nysret Berisha, Afrim Mulolli etj.
Ekremi ishte i pandashëm me Faton Shabanin, shokun e tij që nga fëmijëria, ku gjithherë ishin të pandarë si në shkollë dhe aktivitete të tjera por edhe në luftë ishin të pandarë deri në rënie.
Më 2 qershor derisa bashkë me shokun e tij të pandarë Faton Shabani ishin në një vëzhgim të terrenit papritmas në fshatin Dyz bien në një zonë të minuar nga armiku.
Nga familja Bajrami kishte edhe luftëtar tjerë të lirisë siç ishin i vëllai i dëshmorit, Hetem Bajrami, axha Ramadan Bajrami, djali i axhës, Arsim Bajrami, kushëriri Islam Bajrami etj.
Gjatë luftës kishte rënë edhe xhaxhai i dëshmorit, Hasan Bajrami, ish – i burgosur nga regjimi jugosllav e që shumë kohë qëndroi në burgun famëkeq të Goli Otokut. Më 18 prill 1999 ishte plagosur edhe Rrustemi, vëllai i dëshmorit Ekrem Bajrami.
Në gjashtë-vjetorin e rënies, dëshmorëve të pandashëm Ekrem Bajrami e Faton Shabani familjarët ua ngritën lapidarin i cili ruan kujtimin e veprës së tyre dhe kujton luftën e lavdishme të UÇK –së. Tash një rrugë e fshatit Gërdoc është emërtuar “Dy dëshmorët”.
Dëshmorët Ekrem Bajrami e Faton Shabani ishin varrosur vendin e rënies, ndërsa në fund të gushtit 1999 u rivarrosën në varrezat e fshatit Dyz, ku prehen edhe 40 martirë të luftës dhe dëshmori Mustafë Llapashtica. Pas luftës për kontributin e dhënë në luftën për liri familja e Ekrem Bajramit është nderuar me mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …