Kosova vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar, pasi importet e mallrave gjatë tetorit 2026 arritën në 699.3 milionë euro, ndërsa eksportet në vetëm 124.2 milionë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), importet janë rritur për 12.5 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2025, kur kishin vlerën 621.6 milionë euro.
Ndërkohë, eksportet shënuan rritje më të lartë në përqindje, prej 35.3 për qind, por vlera e tyre mbetet dukshëm më e ulët se ajo e mallrave të importuara.
Diferenca ndërmjet importeve dhe eksporteve ka bërë që deficiti tregtar të arrijë në 575.1 milionë euro.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia renditen ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë të Kosovës, nga të cilat gjatë kësaj periudhe janë importuar mallra në vlerë prej 75.5 milionë eurosh.
Të dhënat pasqyrojnë vazhdimin e varësisë së ekonomisë së Kosovës nga importet, përballë vështirësive për të rritur vlerën e eksporteve dhe për të ngushtuar deficitin tregtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
