leoni

Kujtim Sinan Krasniqi (5.12.1976 - 2.6.1999)

Kujtim Sinan Krasniqi (5.12.1976 – 2.6.1999)

Në historinë e lëvizjeve kombëtare që me shekuj shtriheshin anembanë trojeve etnike, vështirë mund të gjendet ndonjë ngjarje e lidhur me Llapushën dhe Malishevën, e të mos e ketë tronditur fshatin Damanek, ku gjëllinin, krahas fiseve e vëllazërive të tjera, edhe Krasniqët e njohur në kallëzime, në këngë, në histori dhe në judikaturën dokanore të frymës së “Kanunit të Lekës”.
Si të këtillë, Krasniqët e Damanekut, ndiqeshin prej çdo pushteti “mot për moti gjithmon’ tuj u vra; herë me turk e herë me shka”. Këto ndjekje, djegie, vrasje, persekutime dhe shkatërrime totale të fshatit, veçanërisht shtohen pas vitit 1912, ku në vitin 1919 në fshatin Lumisht, vritet pa mëshirë në prezencën e anëtarëve të familjes, paraardhësi i Kujtimit, Sylë Januzi, ndërsa babagjyshi Selman Demush Krasniqi, intelektual i asaj kohe, burgoset disa herë dhe vuan dënimin në burgun famëkeq të Rahovecit, e pas vuajtjes së dënimit, braktis fshatin dhe bën jetën e një të arratisuri nëpër fshatrat e Llapushës, e veprimtarinë e tij e vazhdojnë vëllezërit Minushi (Kadriu dhe Haliti), Halili e Sadri Hyseni e shumë të tjerë, dhe për shkak të organizimit të luftës së armatosur dhe kontributin e fshatit Damanek, pushteti sllavokomunnist e dogji tërësisht fshatin dhe masakroi: Hamit Krasniqin, Vezire Krasniqin, dr. Fatmir Krasniqin, me bijën Blertën dhe me të vëllain Arbenin, Sokol Krasniqin, Esat Krasniqin e Fatmir Kastratin. Krahas Krasniqëve të Kadri Minushit të njohur në Lëvizjen Kombëtare, në Damanek u pushkatuan edhe Shaban Bashota i Bubavecit, Sylë e Rrahman Gashi të Sferkës së Gashit, Fetije Thaçi e Gurakuqit, Driton Berisha i Turjakës, Lumni e Afrim Morina i Astarzupit, Besë Abazaj e Gllarevës dhe Donjetë Krasniqi me vetëm katërmbëdhjetë paranvera. Përveç të vrarëve, mbetën edhe dhjetëra të plagosur kah “Vakafi i Damanekut” kur serboçetnikët breshëronin prej Mirushe e Lumishte, më 4 maj të vitit 1999.
Kështu, liria e Kosovës, fshatit Damanek i kushtoi shtrenjtë, prandaj sot në qendër të fshatit shkëlqen lapidari me emrin e luftëtarit të madh të lirisë Kujtim Krasniqi, sot dëshmor i kombit. Kujtim Krasniqi, ishte i njohur gjatë luftës si “Timi” i xha Sinanit dhe i nënës Salë, bijë e Berishëve të Dushit (Marmullaku), i vëllai i Blerimit, Minires, Shpejtimit, Sebahatit, Fitimit, Fitores dhe baba i Besës, e cila tashmë është dhjetëvjeçare dhe po rritet e për të kujdeset, e ëma e Besës.
Kujtimi u lind më 5 dhjetor të vitit 1976 në fshatin Damanek të Llapushës, komuna e Malishevës. U lind dhe u rrit në një familje të njohur për burrëri e trimëri, pushkën dhe fjalën e kishte traditë me shekuj.
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Malishevë, ndërsa pas kryerjes së shkollës së mesme u nis për të kërkuar “dije e liri”, pra të studiojë në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik dhe këtu ra në kontakt me veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare pasi që frymëzim e kishte profesoreshën Xhevë Krasniqi-Lladrovci me tërë çerdhen e veprimtarëve të Drenarit të Llapushës, me në krye Betim Krasniqin, të Bajës me në krye Fatmir Limajn, të Kleçkës me në krye Sadik Shalën, të Bushatit (ish-Komaranit) me në krye Ymer Alushanin e Haradin Balajn e me shumë veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. I takonte grupit të Demir Limajt, Ekrem Kastratit, Ali Xhuliqit dhe Fatmir Limajt e të shumë veprimtarëve të tjerë të Fakultetit Juridik, të cilin sot e stolisin emrat e tridhjetetetë dëshmorëve-studentë të këtij fakulteti ku pati studiuar edhe Fatmir Limaj, edhe Kujtim Krasniqi.
Kjo veprimtari e Kujtimit me shokë ndiqet nga punonjësit e sigurimit sllavokomunist, të ndihmuar edhe prej argatëve shqipfolës, veçanërisht në periudhën 1996-1998, por falë vigjilencës së madhe me të cilën karakterizoheshin djelmoshat më të guximshëm të Kosovës, Kujtimi u shpëton të gjitha ndjekjeve dhe kështu u shpëtoi edhe torturave dhe persekutimeve në të cilat ranë shumë bashkëveprimtarë të tij.
Një pjesë të mirë të fazës përgaditore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtimi e kaloi në Shqipëri ku u stërvit te eprorët Gjeneral Kudusi Lame, Kolonel Adem Shehu e Tahir Sinani, Instruktor i Trajnimeve për Intervenime të Shpejta.
Me t’u aktivizuar instrumenti i forcës, UÇK-ja, Kujtim Krasniqi më 1997 i bashkohet kushëririt Betim Krasniqi, në fshatin Drenar të Llapushës. Menjëherë aktivizohet në aksione guerile, në Kleçkë e në Malet e Berishës, në fronte e në prapavijë, sidomos në pikën “Ura e Drenocit” ku Kujtimi përveç bashkëluftëtarëve të Drenarit është së bashku me Habib Zogajn e Lladrovcit, sot dëshmor i kombit, i njohur si “Arbri”, Ismet Jasharin – Komandant Kumanovën, Nuhi Mazrekun “Mësuesin” e Gurishtës, Gani Kastratin e Kezharekës e me bashkëfshatarin Enver Krasniqin -“Gencin”.
Me arritjen e komandant Tahir Sinanit, më 5 nëntor 1998, Kujtim Krasniqi integrohet në stafin shoqërues të komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut ku bënin pjesë luftëtarët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Ejup e Ruzhdi Kryeziu e Kujtim Krasniqi e Mendim Daka, sot dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të Luftës. Kujtim Krasniqi, me në krye Tahir Sinanin, Fatmir Limën, Gëzim Kastratin e Refki Mazrekun, shkëlqejnë në luftimet e fshatit Sferkë, kur Kujtimi, së bashku me Policinë Ushtarake të Zonës Operative të Pashtrikut: të vëllain Shpejtimin, kushërinjtë, Isanë, Malën, Ferizin, Argjendin, Flurimin, Beqirin, Haxhiun, Haradinin, e me Shaqën e Naim Shalën, ndërsa pas fillimit të bombardimeve nga Aleanca Veriatlantike, shtëpia dhe oda e xha Sinanit u shndërruan në çerdhe luftëtarësh ku vepruan: Selimi, Betimi, Atomi, Kushtrimi dhe të gjithë bashkëluftëtarët e fshatit; ndërmerret aksioni i sulmit te “Ura e Drenocit” me ç’rast forcatserboçetnike thërmohen dhe lënë pas teknikë e municion.
Pas bombardimeve të NATO-s dhe masakrave të bëra në Andrini, forcat e përmendura serboçetnike tentojnë shpërthimin kah pjesa veriore e fronteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kujtim Krasniqi, së bashku me Tahir Sinanin, Ejup e Ruzhdi Kryeziun, Mendim Dakën-“Sharrin”, e me Gëzim Kastratin, gjendet në vijën e parë të zjarrit në “Qafën e Pagarushës”, e cila mbronte vijën Gallushë (00) – Semetisht – Arat e Fangut – Qafa e Dabërdelanit, në drejtim të “Rrezes së Shehut” të Jançistit dhe të Shkozës, deri në “Guri mbi Hoçë të Madhe” ku zhvillohen luftime edhe më të përgjakshme në vijën “Gra – Saramicë – Shkozë” me ç’rast forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftojnë ballë për ballë me serboçetnikët që pretendonin Shkozën e së andejmi edhe Malishevën. Mirëpo, afër “Gjirit të Macës” ndërmjet Mirushës dhe Malishevës, totalisht shkatërrohen forcat e motorizuara serbe me ç’rast vendin e Kujtimit e përmbushi i vëllai Shpejtimi, me grupin e Mirushës, duke shkatërruar një kamionetë me ushtarë serbë dhe një tanks i cili edhe sot pushon në lëndinat e Mirushës.
Kujtimi merr pjesë edhe në shumë luftime, aksione e beteja: mbi stacionin e policisë në Malishevë e në shumë sulme të tjera guerile, por pas 28 majit të vitit 1999, kur zhvillohet “Beteja e Mileskës”, komandant Tahir Sinani vendosi ta forcojë krahun verior të luftimeve, prandaj me një grup luftëtarësh arrin në afërsi të Kleçkës, por më 2 qershor të vitit 1999, ndërsa përpiqej për të depërtuar në Lladrovc, në “Vneshtat e Senikut” nga një pritë e kurdisur me çerdhe mitralierësh e snajperistësh serboçetnikë, nën breshërinë e plumbave e të predhave përjetësohen dëshmorët: Kujtim Krasniqi i Damanekut, Ejup Kryeziu i Pagarushës dhe Milaim Beha-Slloveni i Carralevës.
Pas të gjitha përpjekjeve, bashkëluftëtarët nuk arrijnë për ta tërhequr trupin e përjetësuar, ndërsa serboçetnikët për t’i zhdukur gjurmët, gremisin trimat e përjetësuar në altarin e lirisë.
Pas disa ditësh familja e zbulon vendin e varrimit dhe i ati, Sinani, me të vëllain, Shpejtimin, dhe bashkëshorten e dëshmorit, e marrin trupin e pajetë të Kujtimit dhe me nderime të larta ushtarake të Zonës Operative të Pashtrikut e varrosin në Kleçkë.
Sot, dëshmori i kombit Kujtim Krasniqi, pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të kompleksit memorial të Kleçkës, ndërsa lapidari te “Vneshtat e Senikut” shkëlqen dhe ruan emrat dhe krenarinë e Kujtimit, Ejupit e Milaimit. Shkrime për dëshmorin bënë prof. Bajram Kurti e prof. Nuhi Bytyçi, ndërsa këngët për dëshmorin këndojnë Hamëz Llapçeva, Sylë Krasniqi, Bajram Gashi, Fatmir Berisha, Naim Krasniqi me Halil Bytyçin e rapsodë të tjerë.
Amanetin e dëshmorit ia vazhdoi i vëllai Shpejtimi, duke luftuar në Sllupçan, Likovë e në Orizaren e Ismet Jasharit, në kuadër të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Luftën e vazhdoi deri në plagosjen gjatë betejave përreth Mateçit.
Familja e dëshmorit Kujtim Krasniqi u nderua me Mirënjohjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënshkruar nga Komandanti Azem Syla, ndërsa në odën e xha Sinanit, përveç mirënjohjeve ka edhe shumë kujtime e materiale që i ruan e ëma e dëshmorit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …