Naser Hajriz Lani (28.2.1958 - 27.6.1998)

Naser Hajriz Lani (28.2.1958 – 27.6.1998)

Llausha e Drenicës është e njohur për rezistencë kundër depërtimit serb në Kosovë. Bajraktarët e luftëtarët popullorë të këtij fshati kanë luftuar kundër forcave ekspansioniste serbe, qysh në periudhën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga krahina e Toplicës (tash nën Serbi) në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në rrëfimet dhe legjendat popullore përkujtohet një detal i të riut shqiptar, Zeqir Llausha, i cili edhe pse kishte mbetur i vetmi nga gjinia mashkullore e bajrakut gjatë luftimeve, nuk pranon ta japë bajrakun e luftës dhe të trimërisë. Paria e luftës, për ta kursyer i kishin thënë se nuk mund të bëhej komandant ai burrë që nuk i ngulej krehri në mustaqe. Zeqiri edhe pse pa mustaqe kishte ngulur krehrin mbi buzën e epërme, duke treguar kështu aktin më të fortë të vetëmohimit.
Në periudhën e luftës së UÇK-së, Llausha është vendi ku për herë të parë luftëtarët e lirisë: Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, dolën publikisht, më 28 nëntor të vitit 1998, para mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci. Luftës për çlirimin e vendit Llausha i ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë.
Naseri ishte i biri i Hajriz Lanit nga Llausha e Drenicës. Babai Hajrizi dhe bashkëshortja e tij, Hyla, lindën dhe rritën me mund bijtë: Naserin e Halitin dhe bijat: Zelihën,Vahiden dhe Nurijën.
Naseri lindi më 28 shkurt të vitit 1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa ka mbaruar Shkollën e Mesme Teknike në Mitrovicë, drejtimin auto-elektrik. Për shkak se familja e tij jetonte në kushte të rënda ekzistenciale, Naseri nuk vazhdoi shkollimin e lartë por filloi të punojë. Si shumë të rinj të papunë nga mbarë Drenica, Naseri fillimisht punon në Sarajevë, ndërkohë kthehet në familje dhe zë punë në ndërmarrjen “Kosovatrans” të Drenasit (ish-Gllogoc). Pas një kohe pranohet në punë në shkritoren e Feronikel-it, ku punon deri në aplikimin e masave të dhunshme dhe largimin masiv të punëtorëve shqiptarëve nga puna, në vitin 1991.
Prej asaj kohe, Naser Lani, së bashku me vëllanë Halitin, punon punë të ndryshme në bujqësi, ndërtimtari, me qëllim për të ndihmuar ngritjen e familjes. Në jetën bashkëshortore me Zarifen pati dy bij: Behxhetin e Nuredinin dhe dy bija: Liridonën dhe Mërgimen.
Në pamundësi për të siguruar kushte ekzistenciale, Naser Lani me bashkëshorten dhe fëmijët shkon në qytetin Kempten të Bajernit në Gjermani. Atje jetoi rreth disa vite, por asnjëherë nuk gjeti punë të përhershme.
Mbante kontakte të vazhdueshme me veprimtarët nga Kosova, të cilët po përgatiteshin për t’u kthyer dhe për të luftuar për çlirimin e vendit nga okupimi serb. Ka mbajtur kontakte me Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën e të tjerë. Ka ndihmuar fondet e luftës edhe pse nuk kishte të ardhura të rregullta.
Më 28 nëntor të vitit 1997, pasi kupton për daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e varrimit të mësuesit dhe bashkëfshatarit të tij dëshmor, Halit Geci, Naser Lani me bashkëshorten, Zarifen, bijtë: Behxhetin e Nuredini dhe bijat: Liridonën e Mergimen, e cila kishte lindur në kohën e mërgimit të tij në Gjermani, pa humbur kohë me të gjithë anëtarët e familjes kthehet në Llaushë.
Sapo kthehet në fshat, Naseri kontakton me bashkëluftëtarët e lirisë. Ai ishte kthyer me të vetmin qëllim, për të luftuar. Të gatshëm për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së kishte gjetur vëllanë Halitin, kushërinjtë dhe pothuajse të gjithë bashkëfshatarët.
Luftëtarët e lirisë asokohe kishin vendosur tri pika luftarake në Llaushë. Naseri fillimisht sistemohen në Pikën e Dytë, të cilën e komandonte Enver Geci. Në atë pikë përveç Naserit bënin pjesë edhe vëllai i tij Haliti, pastaj: Muhamet Lani, Idriz Geci, Nuhi Geci (dëshmor), Lulëzim Geci (djali i mësuesit dëshmor Halit Geci), Faton Lani, Enver Bimbashi, Bahtir Zyhrani, Halim Geci, Sahit Kaçkini, Çerim Lani, Sami Bekteshi, Brahim Kaçkini, Idriz Galan Geci, Beqir Geci, Hysen Geci e të tjerë. Luftëtarët e kësaj pike kishin për detyrë të vëzhgonin lëvizjet e forcave serbe dhe të mbronin pikat në hyrje të lagjeve, në rast të depërtimit të forcave serbe, të cilat ishin pozicionuar përreth fshatit, në pikat strategjike, nga ku po përgatiteshin të sulmonin.
Pika luftarake e UÇK-së ku ishte sistemuar Naser Lani ndodhej përballë lagjes. Naseri tashmë ishte me uniformë dhe i armatosur, por nuk kishte armë të mjaftueshme për ta mbrojtur pikën në rast të sulmit ofensiv nga forcat serbe. Më 14 qershor të vitit 1998, Pika e Dytë e UÇK-së ndodhet në shënjestër të armës armike. Atë ditë, luftëtarëve të kësaj pike i kishin shkuar në ndihmë luftëtarë të UÇK-së nga njësitet e Llaushës dhe Rezallës. Luftëtarët e lirisë qëndrojnë heroikisht por kishin mungesë të theksuar të armëve dhe të municionit.
Të nesërmen, më 15 qershor të vitit 1998, në orët e mbrëmjes, Naser Lani, së bashku me Hamdi Gecin, kishin vendosur të shkonin në Shtabin e UÇK-së në Likoc, me qëllim për të marrë armatim e municion. Në dalje të fshatit hetohen nga forcat serbe, të cilat ishin pozicionuar në lagjen Rreci. Ata sulmojnë në drejtim të tyre. Naseri goditet nga predha armike në këmbë dhe në dorë të djathtë. Pasi e tërheq shoku i tij, Hamdi Geci, ndihmën e parë mjekësore ia jep Ilir Geci me të shoqen. Pa vonuar, luftëtarin e plagosur Naser Lani e merr në xhipin e tij, Gani Geci me vëllezërit e me Musa Musliun dhe e nisin në drejtim të Spitalit ushtarak të Likocit. Ndihmën e parë ia jep mjeku i luftës Fadil Beka. Ndërkohë, i ndërpritet gjakdedhja dhe shëndeti fillon t’i përmirësohet. Mirëpo, Naseri kishte humbur shumë gjak. Ndihmën përkatëse mjekësore i kishin ofruar edhe mjekët Talat Gjinolli e Faton Morina. Pavarësisht prej kujdesit dhe trajtimit optimal mjekësor, në kushte që i dispononte spitali i Likocit,  i cili ndodhej i rrethuar në të gjitha anët nga forcat armike, Naser Lanit nuk i shpëtohet dot jeta. Më 27 qershor 1998, thith për të fundit herë ajrin e djegur nga flaka e luftës në Drenicë.
Naseri varroset me nderime ushtarake në varrezat e lagjes Lani të fshatit Llaushë. Vëllai i Naserit, luftëtari i lirisë, Halit Lani, dhembjen për vëllanë dëshmor e kishte kthyer në mllef dhe fuqi mobilizuese kundër vrasëtarëve serbë. Vetëm tri ditë pas rënies së vëllait, më 30 qershor, ai paraqitet vullnetar në mesin e njësiteve që shkonin ndihmë në rrethimin e Kijevës, ku ishin barrikaduar forcat kriminale serbe. Të kota kishin qenë përpjekjet e komandantëve të luftës për ta bindur Halitin të qëndronte në shtëpi, meqë ende  kishte të pame për vëllanë, dhe nuk kishte vëlla tjetër. Ai nuk ishte ndalur, i udhëhequr nga morali i fortë luftarak dhe i bindur se për lirinë e vendit duhet të luftonin të gjithë, duke marrë shembull heroizmin dhe sakrificën e legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të Prekazit.
Mërgimja ishte shumë e vogël kur babai i ra dëshmor. Emri i përkujton se ka lindur në mërgim, diku në Gjermani, por sot jeton në Kosovën e lirë me motrën Liridonën dhe vëllezërit: Behxhetin e Nuredinin.
Pas çlirimit të vendit nga robëria serbe, vëlla Haliti, familja dhe bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Naser Lani, më 22 gusht të vitit 1999 e rivarrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në Polac, ku prehet në përjetësi me  dëshmorët e tjerë të Drenicës.
Familja Lani ka marrë “Mirënjohje” nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, nga Kuvendi Komunal i Skënderajt etj. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Rexhep Doçi (14.8.1978 – 8.7.1998)

Fatmir Rexhep Doçi (14.8.1978 – 8.7.1998)

Në luftën heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë aktive shumë …