leoni

Enver Malë Dobraj (1.11.1968 – 7.6.1999)

Enver Malë Dobraj (1.11.1968 – 7.6.1999)

Njëri ndër luftëtarët më të dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për vendosmëri, urtësi, heroizëm e guxim, me virtytet e larta njerëzore e kombëtare, është edhe absolventi i Fakultetit të Makinerisë, eprori Enver Dobraj, i cili ra heroikisht në vijën e parë të frontit në Dashinoc, në vigjilje të lirisë.
Enver Dobraj, u lind më 1 nëntor të vitit 1968, në fshatin Carrabreg i Epërm, të komunës së Deçanit. Kjo familje, kushtrimit të luftës së armatosur çlirimtare iu përgjigj masivisht. Prindërit, Malë e Fatime Dobraj kishin pesë fëmijë, tre djem e dy vajza. Babai i vdiq herët, prandaj barra e mbajtjes së familjes ra mbi supet e Enverit me vëllezër. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan, me sukses shembullor. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në ushtrinë jugosllave, regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë, mirëpo për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohet t’i ndërpresë studimet dhe ta marrë rrugën e kurbetit, ku punoi tre vjet e gjysmë. Pas kësaj kohe, pasi kishte arritur të siguronte mjete të nevojshme materiale për përmirësimin e gjendjes ekonomike familjare, Enveri u kthehet sërish studimeve në Universitetin e Prishtinës. Si student, atë e gjejmë gjithnjë në ballë të protestave e demonstratave të viteve 1989-1990, në Deçan, Pejë e më gjerë. Por, do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt edhe në aktivitetet e Lëvizjes Studentore në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të çmuar. Ishte në ballë të protestave studentore të 1 tetorit 1997. Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, Enver Dobraj i braktis studimet dhe kyçet në radhët e UÇK-së. Në prill të vitit 1998, me grupin e parë të luftëtarëve të Carrabregut, udhëton në Shqipëri për të sjellë armë, për ta rrahur këtë rrugë edhe disa herë të tjera. Ai, si luftëtar dhe epror i dalluar në luftë, do të qëndrojë e luftojë heroikisht për katër muaj me radhë në vijën e parë të frontit në Carrabreg, që ishte ndër vijat më të rrahura nga lufta, pa u thyer për asnjë çast. Pas ofensivës së shtatorit dhe sabotimit tashmë të njohur të luftës në Dukagjin, Enver Dobraj me shokë ishte grupi i vetëm që nuk pranoi të bie në grackën e tradhtisë dhe t’i gjuajë armët në kufi, por bashkë me bashkëluftëtarët Elez Gecaj, dëshmor, Jashar Dobraj e të tjerë çajnë rrethimin dhe kalojnë në Shqipëri. Enveri menjëherë paraqitet në Shtabin e UÇK-së në Tropojë. I bindur se lufta bëhet vetëm në Kosovë e jo jashtë saj, pas një kohe të shkurtër, kthehet nga Tropoja në Jabllanicë të Dushkajës, ku kyçet në radhët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, e cila aso kohe kalon në pozicionet e luftës në Gllogjan e Ratishë, ku Enveri do të shquhet si komandant i Kompanisë së Parë dhe zëvendëskomandant i Batalionit të Parë të kësaj Brigade. Në luftimet nëntëditore, të zhvilluara prej 9 deri më 18 janar 1999, në Dashinoc e Ratishë të Epërme, kur ranë dëshmorë Çelë Ukaj, Zef Gjokaj e Nikë Hajdaraj, Enveri tregoi guxim e heroizëm të pashoq. Gjëmimet e pandërprera të topave dhe të artilerisë së rëndë, të drejtuara kundër luftëtarëve të lirisë në frontin e Dashinocit, nuk i thyer çlirimtarët në mesin e të cilëve ishte edhe Enver Dobraj, Shkëlzen Haradinaj, Agim Selmanaj, Fatmir Nimanaj, Luan Qerimaj, Luan Nimanaj, Lulzim Morina, Burim Mustafaj, Enver Dobraj, Naim Avdiu, Shpend Malaj, Bajram Lata, Maxhun Berisha e dhjetëra luftëtarë të tjerë, që më vonë i bashkohen karvanit të gjatë të dëshmorëve të lirisë.
Pas betejës së janarit, Enveri dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rekrutimin dhe stërvitjen e ushtarëve të rinj, si dhe në përforcimin e vijave të frontit në rajonin e përgjegjësisë. Gjatë tërë muajit mars ‘99, kur luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” do të kenë përleshje me forcat policore serbe në Lumbardh, derisa më 27 mars 1999, forcat serbe i detyrojnë të largohen nga ky vendstacionim dhe të tërhiqen në drejtim të Deçanit, Enver Dobraj, do të jetë në ballë të luftimeve. Në mbrëmje, njësitet e UÇK-së përparojnë. Batalioni i Parë i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” pozicionohet në shtëpinë e Ali Shukriut, afër Urës së Pozharit, e cila deri atë ditë ishte bazë e forcave serbe. Të nesërmen, më 28 mars, Enver Dobraj bashkë me bashkëluftëtarët: Bajram Lataj, Haxhi Berisha e të tjerë do të jenë të parët që u kundërvihen forcave serbe në epopenë e luftës në Pozhar (27 mars – 2 prill 1999). Atë ditë, rreth orës 10:00, pasi priteshin sulme të forcave serbe, një grup i luftëtarëve të këtij batalioni kishte marrë urdhër për minimin e rrugës Deçan-Lumbardh. Këta ishin Enver Dobraj, Bajram Lataj, Haxhi Berisha etj.
Këso kohe, kolona serbe me mjete të blinduara dhe rreth 150 policë e paramilitarë ishte nisur në drejtim të tyre. Luftëtarët çlirimtarë pozicionohen te “Graxhovina” e Pozharit dhe presin derisa forcat armike afrohen. Pasi forcat serbe arrijnë te Ura e Pozharit, nga një distancë prej 100 metrash, luftëtari Bajram Lataj qëllon me mortajë 500-she në drejtim të mjeteve të blinduara të forcave serbe, duke i zbrazur pesë predha, ku me sakrificë e guxim shkatërroi një mjet të blinduar, duke arritur që t’ia ndalë hovin kolonës. Forcat serbe, të hutuara nga ky sulm i papritur, pozicionohen përgjatë kanalit ku ishin pozicionet e UÇK-së. Një kamion transporti me teknikë lufte kishte mbetur në udhëkryqin e Pozharit ndërsa mjetet tjera kishin arritur të tërhiqen në brendi të fshatit. Pas një kohe të shkurtër, Enverit me shokë u kishte arritur përforcimi edhe nga Elez Gecaj (dëshmor), Jahë Gecaj, Maxhun Berisha (dëshmor) dhe Valmir Ukaj, ku të gjithë luftëtarët e lirisë, në krye me komandantin Shkëlzen Haradinaj, zënë pozicionet e luftës dhe luftojnë gjatë tërë ditës. Në këto luftime ranë dëshmorë dy luftëtarë të lirisë, eprorët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Elez Gecaj e Maxhun Berisha. Ditën e tretë të luftimeve, më 30 mars, Enver Dobraj plagoset lehtë bashkë me bashkëluftëtarin Shaban Luma, por e vazhdon luftën.
Krahas pjesëmarrjes në luftimet e zhvilluara në vijat e para të frontit, Enveri vazhdimisht mori pjesë edhe në aksione në prapavijë të armikut. Këtu duhet veçuar rastin kur natën 8 majit të vitit 1999, njësiti luftarak, i përbërë nga luftëtarët Enver Dobraj, Adem Haxhosaj, Haxhi Berisha dhe Jahë Gecaj, kaluan në prapavijë të thellë të armikut, duke vendosur mina antitank në rrugën afër Urës së Bajramhasanëve, në magjistralen Gjakovë – Deçan, në të cilën bie një kamion me ushtarë e paramilitarë serbë.
Enveri u shqua edhe në aksionin për transferimin e të plagosurve në drejtim të Burimit (5-8 prill 1999), por edhe në të gjitha luftimet e zhvilluara gjatë muajve prill e maj 1999, deri më 4 qershor, kur merr plagë të rënda në luftimet e rrepta të zhvilluara në pozicionet e luftës në Dashinoc, ku bashkë me bashkëluftëtarët e tij u ndesh me ushtrinë serbe. Zemra e tij pushoi së rrahuri në mbrëmjen e 7 qershorit 1999, në Spitalin Ushtarak në Maznikë. Atë natë, dëshmorin e kombit, Enver Dobraj, e varrosën bashkëluftëtarët, në Malet e Maznikut. Rivarrimi i tij u bë pas çlirimit në vendlindjen e tij, në Carrabreg i Epërm, ku sot qëndron i lartësuar në Monumentin e Lirisë, përkrah shokëve dëshmorë.
Familja e Enverit është nderuar me mirënjohje të shumta në shenjë nderimi e respekti për kontributin e birit të saj dëshmor. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …