Shpend Zeqë Malaj (13.12.1969 – 6.6.1999)

Shpend Zeqë Malaj (13.12.1969 – 6.6.1999)

Dëshmori i kombit Shpend Malaj është njëri ndër luftëtarët e dalluar të UÇK-së, që ra në vigjilje të lirisë, në vijën e parë të frontit, në rajonin e përgjegjësisë së Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, në Ratishë të Epërme, Dashinoc e Lumëbardh, bashkë me dëshmorët e tjerë, Burim Mustafaj, Luan Qerimaj, Sinan Morina, Jeton Dedushaj, Enver Dobraj e të tjerë.
Shpend Malaj u lind më 13 dhjetor të vitit 1969, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në një familje të varfër, por me tradita atdhetare. Prindërit e tij, Zeqë dhe Shkurte Malaj i lindën e rritën tetë fëmijë, katër djem e katër vajza.
Shkollën fillore, Shpendi e kreu në Irzniq (tash Rrezar), ndërsa të mesmen, Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri“ në Irzniq dhe në Deçan.
Gjatë vitit 1989 ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat gjithëpopullore, të organizuara në Irzniq, Deçan, Pejë, Gjakovë, Prishtinë etj., me ç’rast arrestohet nga policia serbe dhe dënohet me 60 ditë burgim. Dënimin e vuajti në burgun e Pejës dhe në atë të Dubravës.
Pas daljes nga burgu, Shpendi emigroi në Gjermani, ku qëndroi gjashtë vite, e më pas u kthye në vendlindje.
Menjëherë pas betejës së 24 marsit 1998 në Gllogjan, Shpendi inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vepruar me përkushtim të veçantë deri në rënien heroike.
Shpendi mori pjesë dhe u dallua në luftime të shumta të zhvilluara gjatë vitit 1998, siç ishin betejat e zhvilluara kundër forcave serbe në Gramaçel, Baballoç, Shaptej, Rastavicë, Prejlep, Gllogjan, etj. Bashkë me bashkëluftëtarët e tij Agim Selmanaj e Shefqet Mustafaj (të dy dëshmorë të kombit), mori pjesë edhe në betejën e parë të Loxhës, më 6 korrik 1998.
Gjatë vitit 1998, shpesh herë Shpendi u gjend edhe në krye të detyrës në përcjellje të grupeve të furnizimit me armë nga selia e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit në Gllogjan deri në Shqipëri dhe anasjelltas, që ishte një detyrë mjaft e mundimshme dhe me përgjegjësi. Në qershor të vitit 1998, derisa po kthehe me bashkëluftëtarë nga Shqipëria, në kufi Shpendi bie në zonë të minuar dhe plagoset, ndërsa kali që ishte afër tij i ngarkuar me armatim bëhet copë-copë.
Edhe pas ofensivës së shtatorit 1998, kur UÇK-ja pësoi goditje të rëndë në zonën e Dukagjinit, Shpend Malaj, do të jetë ndër ata luftëtarë besnikë që nuk do të largohet për asnjë çast nga fronti i luftës, me ç‘rast UÇK shumë shpejt u riorganizua dhe mori veten për të qëndruar e pamposhtur deri në fitoren e plotë. Shpendi bashkë me të vëllain, Ganiun dhe djalin e vëllait Ardianin, si dhe me kushërinj të tjerë qëndroi në ballë të luftës deri në fund. Në këtë kohë ai caktohet në formacionin e Batalionit të Policisë Ushtarake të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, ku do të veprojë si epror i Policisë Ushtarake, e më vonë caktohet Komandant për Logjistikë i kësaj brigade.
Shpendi me bashkëluftëtarët e tij mori pjesë në aksione të shumta luftarake, të kryera në prapavijë të armikut. Duhet përmendur aksionin kur ai, bashkë me komandantin Shkëlzen Haradinaj dhe me bashkëluftëtarët Agim Selmanaj e Bujar Haradinaj, mori pjesë në aksionin e organizuar kundër forcave serbe në vijën e frontit përgjatë magjistrales Deçan-Gjakovë në rrugën e Dujakës. Gjatë këtij aksioni u shkatërrua një pizgauer dhe një veturë e policisë serbe.
Shpendi do të dallohet për trimëri e guxim të pashoq edhe në të gjitha betejat e zhvilluara gjatë vitit 1999 si në Ratishë të Epërme në periudhën 9-18 janar 1999, ku forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe u detyruan të tërhiqen me turp. Pastaj në betejat e zhvilluara në Pozhar e Lumëbardh prej datës 27 deri më 30 mars 1999 e të tjera.
Më 5 prill të vitit 1999, Shpendi ndodhej në pararojën e kolonës, të cilës i printe komandanti për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit Shkëlzen Haradinaj, bashkë me Fatmir Nimanajn, Agim Selmanaj e të tjerë, për transferimin e të plagosurve në drejtim të Lugut të Drinit, të cilët më vonë kaluan në Rugovë e prej andej në Shqipëri. Kjo kolonë arrin ta vazhdojë rruëtimin falë vigjilencës dhe veprimit të shpejtë të pararojës së saj.
Shpendi mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në malet e Maznikut, më 16 prill 1999, kur bie heroikisht komandanti Shkëlzen Haradinaj bashkë me luftëtarët e dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”: Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj. Mori pjesë në vijat e para të frontit edhe në të gjitha luftimet e zhvilluara në vijën e frontit në Ratishë e Dashinoc gjatë gjithë muajit maj dhe fillimit të qershorit 1999 kur, edhe pse të rrethuar nga të katër anët nga forcat serbe, të cilat përdorën gjithë makinerinë luftarake, helmet kimike e biologjike e një numër të madh të forcave të këmbësorisë, që i sollën edhe nga zona e Drenicës, Pashtrikut e Llapit, me qëllim që ta shuajnë njëherë e përgjithmonë rezistencën e UÇK-së në Dukagjin, luftëtarët e Zonës Operative të Dukagjinit duke pasur në mbështetje të vazhdueshme edhe forcat ajrore të NATO-s, qëndruan të pathyeshëm.
Edhe më 6 qershor 1999 gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime të rrepta. Në orët e vona të pasdites, në vijën e parë të frontit në pozicionet mes Ratishës së Epërme e Pozharit, te Ura e Ratishit, një predhë e minahedhësit godet pozicionin e luftëtarëve të lirisë me ç’rast bie luftëtari Burim Mustafaj dhe plagoset rëndë luftëtari Shpend Malaj, i cili pas disa orësh mbyll sytë në Spitalin Ushtarak në Maznikë. Plagë të rënda marrin edhe bashkëluftëtarët e tyre Florim Mustafaj e Bujar Haradinaj, ndërsa më lehtë plagosen Ardian Malaj e Valbonë Tafilaj.
Ishte kjo beteja e fundit e zhvilluar në këtë vijë të frontit në vigjilje të lirisë. Dhe pikërisht këtë ditë ranë dëshmorë luftëtarët e shquar Shpend Malaj e Burim Mustafaj, që emrin e tyre e kishin shkruar trimërisht në beteja të shumta gjatë luftës, për t’u bërë hallka të gjerdanit të lavdishëm të dëshmorëve dhe heronjve të kombit, të atyre që nuk kanë mort kurrë.
Shpendi e Burimi u varrosën me nderime të larta ushtarake në orët e mbrëmjes, në Malet e Maznikut, për t’u rivarrosur me nderime të larta kombëtare e ushtarake më 24 gusht 1999, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Shpend Malaj ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë gruan, Farijen dhe katër vajzat: Arianitën, Rinorën, Leonorën dhe Floralbën, të cilat krenohen me babain dëshmor.
Familja Malaj është nderuar me mirënjohje të shumta për dëshmorin Shpend Malaj. Në vendin e rënies së tyre është ngritur përmendorja e përbashkët e dëshmorëve Shpend Malaj e Burim Mustafaj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …