Brickos

A. Q. Përpjekja antishkencore, politike e historianit, Tahir Avdyli, për ta paraqitur Isa Boletinin “tribun” të bashkëjetesës serbe-shqiptare

A. Qeriqi. Përpjekja antishkencore, politike e historianit, Tahir Avdyli, për ta paraqitur Isa Boletinin “tribun” të bashkëjetesës serbe-shqiptare

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

I verbuar nga ideologjia “bashkim vëllazërimit” i manipuluar nga disa historianë të shitur te Beogradi, me siguri se edhe i paguar e i shpërblyer, historiani,  Tahir Avdyli nuk kishte lënë gurë pa lëvizur, nuk lë gënjeshtër pa evidentuar me qëllim që Isa Boletinin ta paraqesë, bard, kolos, të vëllazërimit e bashkimit  të shqiptarëve me serbë, edhe pse ishin pikërisht serbët ata që e  kishin vrarë dhe ia kishin shkatërruar krejt familjen prej vitit 1916 kur e likuiduan fizikisht e deri në kohën tonë kjo familje u ndoq nga serbët dhe shqiptarët në shërbim të tyre.

Autori, Tahir Avdyli, në studimin e tij, shënon më shumë se 100 shembuj ku Isa Boletini, madje për hir të serbëve paska vrarë e paska therë edhe shqiptarë, në Kumanovë. Ai nuk lë pa futur në tekst edhe një fjalë të një serbi, një kalimtar i rastit i cili ka thënë se “Isa Boletini  e ka nxitë ushtrinë serbe t’ i therë të gjithë shqiptarët”. (!)  ( vepra e cituar, f. 52)

Pavarësisht këtyre zhvillimeve antriruse dhe antiserbe, autori  i studimit, Tahir Avdyli na tregon se “Tribuni shqiptar, Isa Boletini, gjatë kohës së internimit në Turqi, për 4 vite, nuk e kishte turbulluar  ndjenjën për fqinjësi e bashkëjetesë të shqiptarëve me serbët, (Vep. e cit, f 13).  Ky tribun popullor për bashkëjetesë e fqinjësi të mirë me serbët u gjet midis skiles e haribdës, edhe pse Serbia në tërë shtypin e Evropës shqiptarët i paraqiste horda mizore e të egra që vrisnin serbë… ( Po aty).

Duke cituar gazetën “Vardar”, e cila u bënte thirrje shqiptarëve që të mos përkrahnin luftën e Serbisë kundër Turqisë dhe duke e konsideruar një akt të tillë si shovinist, historiani, Avdyli shkruan: “Në gjirin e një politike të tillë shoviniste, veprimtaria e Isasë për ruajtjen e fqinjërisë së mirë dhe bashkëjetesës me serbët, dukej qesharake, e pavlerë madje edhe tradhtare ndaj çështjes shqiptare. Realisht kjo anë e medaljonit të Isasë ishte më fisnikja, më e ndritshmja, dhe me porosi të qartë për brezat e rinj shqiptarë”  (vep. e cit. F.32).

Ja në fund të kësaj analize dhe konstatimi më antihistorik i këtij shqipshkruesi me porosi, të biografisë së Isa Boletinit.

Realisht Isa Boletini, njeri i fjalës dhe i besës, tribun popullor i bashkëjetesës, në vitin 1912 nuk pati rast të ndeshej me ushtrinë zaptuese serbe dhe se pasi kishte luftuar në anën e serbëve, kaloi në viset e Lumës e prej andej u nis për në Vlorë për të marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ( Po aty  f. 52).

Ky ishte varri që i kishte përgatitur, Isa Boletinit, Tahir Avdyli me kompaninë e tij të jugo-historianëve, duke e shtrirë  në arkivol, të mbështjellë  me qefinin e idealit të  bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, për hir të bashkëjetesës së kombeve e kombësive të Jugosllavisë.

Lexoni më gjerësisht se si për qëllime politike manipulohej jeta dhe vepra e Isa Boletinit, në kohën e bashkim vëllazërimit

  1. Q. Përpjekjet antishkencore, politike, për ta paraqitur Isa Boletinin si tribun të bashkëjetesës së shqiptarëve me serbë III

Janë të njohura pretendimet e disa qarqeve serbe, me qëllim  për ta devalvuar veprimtarinë kombëtare të Isa Boletinit dhe pretendimet po ashtu antihistorike të disa historianëve shqiptarë të Kosovës, për ta paraqitur Isa Boletinin si “Tribun” të bashkëjetesës shqiptare-serbe. Mjerisht, një historian i njohur shqiptar, dr. Tahir Abdyli, por jo vetëm ai, kanë bërë përpjekje që Isa Boletinin ta paraqesin  si shembullin tipik të luftëtarit  popullor që ka bashkëpunuar  me serbët në luftë kundër Perandorisë Osmane. (“Isa Boletini Tribuni popullor i bashkëjetesës, “Kosova” , nr. 15. 1986).

Kjo ka ndodhur në vitin 1986 në kohën kur Serbia, e kishte marrë në shënjestër  tërë historinë shqiptare, të cilën  edhe e kishte shpallur nacionaliste e irredentiste. Disa historianë, ishin  munduar të shpëtonin, aq sa kishin mundur, duke u munduar të paktën ta shpëtonin,  Isa Boletinin, meqë Azem Galicën nuk e shpëtonin dot, as për një “bashkëluftim” të rastit më Kosta Peçancin. Një bashkëpunim i tillë nuk mbështetej dot në fakte, sepse Isa Boletini për historinë serbe, me kohë ishte etiketuar si “najveci srpski krvopija”, (gjakpirësi më i madh i serbëve).

Studimi: “Isa Boletini, Tribuni popullor i bashkëjetesës”, i botuar në “Kosova”, nr. 15. 1986, nga dr. profesor, Tahir Avdyli, pastaj  i lejuar për botim nga këshilli redaktues: Limon Rushiti, Miloje Vukotiq, Drita Gunga, Milovan Obradoviq, Emin Pllana e të tjerë, është një studim antishkencor krejtësisht politik, me qëllime të mbrapshta, në përkrahje të  politikës së bashkëjetesës dhe bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbët, në kohën kur Serbia po bënte përpjekjet e fundit për ta pezulluar edhe autonominë  e Kosovës përmes amandamenteve  kushtetuese. Ky studim është shembulli më i mirë për të parë dhe për t’ u bindur sesi historianët e ideologjizuar  manipulojnë me të dhënat, si i shtrembërojnë dhe i deformojnë ato, për qëllime të politikës.

Duke qenë se as 32 vjet pas botimit, asnjë nga anëtarët e Këshillit drejtues dhe asnjë historian tjetër i kohës së bashkim vëllazërimit, nuk e kanë parë të arsyeshme, që këtë studim ta kontestojnë dhe të pranojnë hapur se manipulimi është bërë në një masë, mbase me qëllim  për të mos lejuar përjashtimin e tij nga tekstet shkollore, e shoh të rrugës ta hapi këtë temë, me qëllimin më të mirë, të çlirimit për së vdekuri të Isa Boletinit nga kthetrat ku e ka pranguar, historiani tash i ndjerë, Tahir Avdyli  me lejimin dhe pëlqimin e Këshillit redaktues.

Studimi ka rreth 53 faqe dhe një literaturë të begatshme, i hartuar me shumë kujdes nga autori, i cili me një vend zbulon, jo pa dashur, edhe qëllimin e paraqitjes së Isa Boletinit si prijatar i bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët e sllavët e tjerë. Ai duke interpretuar një fjalë të urtë të Balzakut thotë se ka shkruar këtë studim: “duke ecur sikur të shkelte mbi gaca”. Ky arsyetim kalimthi, realisht është zbehur duke u bazuar në dëshmitë që favorizojnë konceptin e tij dhe duke lënë anash, të dhënat e tjera që Isa Boletinin nuk e paraqesin si njeri, i cili aq shumë i kishte dashur serbët, sa që në krah të tyre kishte luftuar kundër turqve, gjoja për çlirimin e Kosovës e dhurimin e saj Serbisë.

Duke e paraqitur Isa Boletinin, tolerant, të afërt dhe bashkëpunues me serbët dhe  si njëlloj lideri i të gjithë popujve të këtyre trevave, autori i shkrimit konteston çdo veprim të Isait kundër serbëve, madje duke kontestuar edhe autorët serbë, të cilëve nuk iu beson se ai me shqiptarët e tij kishte marrë pjesë në luftën e Merdarit të vitit 1912 kundër depërtimit të bandave vrastare serbe në Kosovë. “Isa Boletini me shqiptarët e vet bashkëvepron me ushtrinë serbe në çlirimin e Dukagjinit  dhe afër Pejës, luftëtarët e Isasë shpartalluan repartet e Xhavit Pashës prej 8.000 ushtarësh…. Lidhur me këtë pohim, Tahir Avdyli thotë se është krejtësisht i pabazë, mendimi i Jovan Tomiqit se Isa Boletini ishte në Merdar më 18 tetor të vitit 1912, në krye të luftëtarëve shqiptarë, që iu kundërvunë depërtimit të reparteve serbe. Këtë të dhënë, Tahir Avdyli e përforcon me mendimin “shkencor” të Sinan Hasanit, i cili thotë se Isa Boletini në atë kohë kurrë nuk i kishte pasur aq shumë ushtarë, sepse iu kishin shkapërderdhur. Në Merdar Isaja as që mund të ishte( Vep. e cit, faqe 50)

Po t’ i besohet këtij studimi, qoftë edhe 30 për qind, Isa Boletini duhej të hiqej  përfundimisht nga Historia e popullit shqiptar, por e vërteta  është se ky studim është shkruar me urdhër të komitetit, me qëllim për ta paraqitur Isa Boletinin si njeriun më të afërt  të serbëve, si prijatarin e tribunin e vegjëlisë serbe, shqiptare e vllahe duke i vënë në gojë edhe fjalët që gjoja ai paska thënë se “në venat e tij ka gjak serbi, shqiptari e vllahu”. Këtë dëshmi autori e sjellë si dorëshkrim të pabotuar,  nga bija e Branislav Nushiqit, një Gitka, e cila ia paska dhënë autorit.  Ja deri ku shkon çoroditja “shkencore”  e historianit jugo-komunist e pacifist, kur nxjerrë nga naftalina fjalë koti për t’ i paraqitur si të vërteta shkencore. Dhe, ajo që bie në sy edhe për më keq, në këtë studim është se autori në të njëjtin vend flet se “Nushiqi në mënyrë perfide mundohej t’i përvetësonte shqiptarët e pashkollë për qëllimet e tij ekspansioniste”. Kur e do puna autori, për ta paraqitur Isa Boletinin tribunin më të madh të bashkëjetesës, shërbehet me fjalët paushalle të Gitka Nushiqit, ndërsa zbulon se Nushiqi paska qenë antishqiptar i përbetuar.

Ja cila është metodologjia antishkencore  që ka përdorur nga ky autor, mbase edhe shumë i nderuar për shkrime e studime të tjera, por pa pikë nderi e respekti kombëtar e njerëzor për manipulimin dhe shtrembërimin e biografisë së Isa Boletinit.

Fajin për këtë shtrembërim e ka edhe këshilli redaktues, jo aq për kohën kur është botuar studimi, sepse ai ishte botuar me porosi të Komitetit Krahinor, por në kohën pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb, ata do të duhej të ishin  diferencuar me kërkesë për të  hequr dorë nga ky shkrim i çoroditur, i shkruar me porosi të Komitetit, mbase të vetë Sinan Hasanit  me qëllim që Isa Boletini të shpallej ideator i përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë, pikërisht në kohën kur Beogradi zyrtar kishte filluar ndryshimet kushtetuese që quan në pezullimin  e autonomisë së Kosovës. Kjo ishte koha e volitshme për historianët komunistë jugosllavë, ta prezantonin Isa Boletinin si “gjakpërzier” njeri në shërbim të serbëve, duke spekuluar burimet, duke marrë për bazë vetëm burimet serbe dhe duke i anashkaluar burimet shqiptare të kohës.

Autori, Tahir Avdyli, shënon më shumë se 100 shembuj ku Isa Boletini, madje për hir të serbëve paska vrarë e ka therë edhe shqiptarë, në Kumanovë. Ai nuk lë pa futur në tekst edhe një fjalë të një serbi, një kalimtar i rastit i cili ka thënë se “Isa Boletini  e ka nxitë ushtrinë serbe t’ i therë të gjithë shqiptarët”. (!)  ( vepra e cituar, f. 52)

Po kështu, ky autor ka sjellë edhe një dokument kontrovers  ku flitet se “ Për kuptimin e Sulltanit turk, ishte shenj se Isai nuk do ta ndihmonte vallen pansllave të Rusisë, andaj më 1898 u thirr në Stamboll, iu nda grada Major i Xhandarmërisë, ndërkohë që Sulltani gradoi edhe nënën e Isasë…madje shqiptarët e vetë Isaja  në një mënyrë e konsideronin veten ortak me popullin turk dhe Perandorinë Osmane”. Këtë burim ai e sjellë nga disa “putne beleske ( rrëfime gjatë rrugëtimit)  të njëfarë T.P. Stankoviqit.( Vepra e cituar faqe 9.) Ky burim flet për se Isai nuk do ta përkrahte vallen e Rusisë, por më vonë ky autor sjellë sa e sa manipulime kur Isai, sipas tij  jo vetëm përkrah serbët, por nuk luftonte dot  pa ta kundër Turqisë. Isai me një anë pranon  poste nga Stambolli e në anën tjetër iu ndihmon rusëve e serbëve kundër Stambollit. Një historian tjetër i kësaj shkolle njëfarë, M. Gjoshi shkon edhe më larg duke zbuluar se Isai nuk kishte pranuar madje as  të ulej në një minder të Sulltanit, edhe pse Isa Boletini te Sulltani kishte qëndruar me vite të tëra dhe ishte graduar. (Vepra  e cituar f. 4)

Në studimin e tij, Tahir Avdyli, duke u mbështetur në “Srpski glas”, “Zëri serb” konstaton se në vitin 1899, Isai në kohën kur kishte filluar  ta zbatonte programin e Kuvendit të Pejës, i cili parashihte të ndiqeshin spiunët  turq dhe ata të Serbisë, ai bëri një truk politik. Me ndërhyrjen e Isasë u pengua ndjekja e ndëshkimi i spiunëve serbë të Serbisë, nga Mitrovica e rrethina, në mënyrë që të mos lejonte përçarjen në mes të shqiptarëve dhe serbëve. (Vep. e cit. F. 10).

Por sipas burimeve shqiptare, të publikuara në revistën “Albania e vogël”, Londër, shtator 1902”  del se “Isai ishte kundërshtar i planeve ruse dhe në gusht të vitit 1902 organizoi revoltën shqiptare kundër hapjes së konsullatës ruse, në Mitrovicë. Pikërisht për këtë kërcimin Porta e mori në Stamboll Isa Boletinin me familjen e tij, ku thuhet se Sulltani i kishte ndarë edhe gradën si “pasha civil”. Në atë kohë, me urdhër të Besëlidhjes Shqiptare, Ibrahim Popovci e vret konsullin rus, Shçerbin, meqë e kishte identifikuar si kriminel dhe e kishte parë vetë me sy, kur ai  me dorën e tij vriste shqiptarët. Më 9 gusht të vitit 1903 dy ushtarakë shqiptarë të Perandorisë vranë konsullin rus, Rostovskin, në Manastir. ( Vepra e cituar f. 12.)

Pavarësisht këtyre zhvillimeve antriruse dhe antiserbe, autori  i studimit, Tahir Avdyli na tregon se “Tribuni shqiptar, Isa Boletini, gjatë kohës së internimit në Turqi, për 4 vite, nuk e kishte turbulluar  ndjenjën për fqinjësi e bashkëjetesë të shqiptarëve me serbët, (Vep. e cit, f 13).  Ky tribun popullor për bashkëjetesë e fqinjësi të mirë me serbët u gjet midis skiles e haribdës, edhe pse Serbia në tërë shtypin e Evropës shqiptarët i paraqiste horda mizore e të egra që vrisnin serbë… ( Po aty).

Ky nuk është kulmi i shtrembërimit të historisë së Isa Boletinit, por është përpjekje e tij e veçantë për ta paraqitur Isanë si simbol të përbashkësisë, apo si një torollak që në radhë të parë nuk dinte se çka ishte, serb apo shqiptar.  (po aty f. 14)  Por autori nuk mjaftohet me kaq. Ai, Isa Boletinit i bën shok të bashkëjetesës edhe një personalitet tjetër me rëndësi të Lëvizjes kombëtare, Xhemajl agë Prishtinën, i cili sipas tij, asokohe kur serbët po shtriheshin legalisht dhe ilegalisht në trojet shqiptare, “Në Prishtinë, për një lidhje të vërtetë njerëzore vëllazërore midis elementit serb e shqiptar punonte patrioti, Xhemajl agë Berisha, pastaj Nexhip Draga, madje edhe Bajram Curri. ( Po aty…)

Me qëllim për ta arsyetuar këtë këmbëngulje të Isa Boletinit dhe këtë “dashuri” të pashuar për serbët, autori bën një interpretim thellësisht antikombëtar të historisë, që meriton dëmin publik kur konstaton se Isai me të tjerët ishte i vetëdijshëm se mbrojtja e serbëve ishte mbrojtje e vëllezërve të një feje e të një gjaku. Dhe jo vetëm kaq, por ja si shprehet më poshtë: “Kudo në Kosovë edhe sot ruhet tradita për vëllazërinë e birërisë fisnore të serbëve me shqiptarë, dhe këtë e mbështetë në mbiemra të njëjtë?. Për këto konstatime të tij antihistorike dhe antishkencore ai gjen ndihmë te urrejtësi më i madh i shqiptarëve, shpikësi i parullës se të gjithë shqiptarët kishin qenë serbë, “Jovan Cvijiqi” të cilin e quan “të famshëm”. Për faktin se ai shkruan se “ shqiptarë myslimanë në Kosovë, Sanxhak, Maqedoni dhe Mal të zi,  janë arnautashë, serbë të  shqiptarizuar me anë të fesë islame, por nuk jep asnjë shpjegim se cilët ishin ata shqiptarë që e kryen këtë proces dhe përse bënë një gjë të tillë, kur sipas tyre serbët që nga mesjeta gjithnjë kanë qenë shumicë e shqiptarët vetëm katër për qind,  duke përjashtuar 80 përqindëshin e shqiptarëve ortodoksë.  (Vep. e cit, f 17.)

I verbuar nga ideologjia “bashkim vëllazërimit” i manipuluar nga disa historianë të shitur te Beogradi, me siguri se edhe i paguar e i shpërblyer, Tahir Avdyli nuk lë gurë pa lëvizur, nuk lë gënjeshtër pa evidentuar me qëllim që Isa Boletinin ta paraqesë, bard, kolos, të vëllazërimit e bashkimit  të shqiptarëve me serbë, edhe pse ishin pikërisht serbët ata që e  kishin vrarë dhe ia kishin shkatërruar krejt familjen prej vitit 1916 kur e likuiduan fizikisht e deri në kohën tonë kjo familje u ndoq nga serbët dhe shqiptarët në shërbim të tyre.

Autori i studimit, ka shfletuar shumë burime, të cilat i kanë shërbyer idesë dhe fiksionit të tij për ta paraqitur Isa Boletinin  një tribun madhor të bashkëjetesës. Duke u mbështetur në të dhënat e Institutit të Historisë së Malit të Zi, ai rrëfen se Isaja nuk kishte marrë parasysh këshillat e bashkëluftëtarëve që mund ta vrasë Serbia, sikur kishte vrarë Haxhi Zekën. “Nuk do të më vrasë Serbia, sepse mua më ofron çdo gjë që më duhet, por nuk e  di nëse Kral Nikolla a i plotëson premtimet”. (Vep. e cit. Faqe 26.)

Ai madje ka zbuluar se Isa Boletini nuk ishte lidhur me Serbinë krye në vete, por citon njëfarë Kijametoviqin të ketë shkruar se ai u lidh me pëlqimin e qarqeve drejtuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me të vetmin qëllim për të blerë armë” . Pastaj historiani Avdyli zbulon qëllimin e tij politik  duke konstatuar se “për të satën herë kemi vënë në pah kontributin e Isasë në fushë të kultivimit të marrëdhënieve fqinjësore të mira me elementin serb në Kosovë dhe në viset e Kopaonikut, ato marrëdhënie tradicionalisht të mira u pasqyruan edhe gjatë LNÇ-së në vitet 1941-1945, sepse, sipas tij, asokohe Shala e Isa Boletinit ishte për LNÇ-në e udhëhequr nga Partia Komuniste Jugosllave. Këtu autori ka shprehur një çoroditje tipike politike, hipotetike, meqë pretendon të na bind  se pikërisht mbjellja e miqësisë së mirë të serbëve me shqiptarë nga Isa Boletini  40 vjet më parë  paska bërë që Mitrovica e Shala të rreshtohen me komunistët e Jugosllavisë dhe  të Ali Shukriut në vitin 1941. (!) Edhe kjo është një çoroditje e veçantë jo vetëm politike por thellësisht antikombëtare, antishqiptare.

Duke cituar gazetën “Vardar”, e cila u bënte thirrje shqiptarëve që të mos përkrahnin luftën e Serbisë kundër Turqisë dhe duke e konsideruar një akt të tillë si shovinist, historiani, Avdyli shkruan: “Në gjirin e një politike të tillë shoviniste, veprimtaria e Isasë për ruajtjen e fqinjërisë së mirë dhe bashkëjetesës me serbët, dukej qesharake, e pavlerë madje edhe tradhtare ndaj çështjes shqiptare. Realisht kjo anë e medaljonit të Isasë ishte më fisnikja, më e ndritshmja, dhe me porosi të qartë për brezat e rinj shqiptarë”  (vep. e cit. F.32). Ja në çfarë mënyre krejt të ulët e deformon historinë ky njeri, kur e di fare mirë se ishin serbët ata që vranë, pushkatuan e dëbuan qindra mijëra shqiptarë dhe thirrja për t ‘iu kundërvënë Serbisë paska qenë një thirrje shoviniste.

Dhe jo vetëm kaq. Në përpjekjet e tij për ta zhveshur biografinë e vërtetë të Isa Boletinit dhe për ta veshur me rroba serbe, e me shajkave në kokë  në vend të plisit të bardhë,  ai nuk ndalet vetëm te Isa Boletini, por sjellë edhe të dhëna të tjera, të fqinjësisë e përbashkësisë së serbëve me shqiptarë. Duke cituar një burim të historianit serb, Bogumil  Hrabak, ai shkruan se “më 29 qershor të vitit 1912, nga Serbia u sollën 17 luftëtarë të “Shoqërisë proserbe” të Ramadan Shabanit të Kijevës. Me ata ishte edhe vojvoda e “cernarukes” ( Dora e Zezë), Voja Tankosiq, dhe një oficer i lartë i Shtabit Suprem, të cilët me ndihmë të Isasë shëtitin Kosovën dhe i bënë skicat e nevojshme për një sulm të papritur të Serbisë”. Vetëm gjashtë ditë më vonë del të jetë sulmuar  Isa Boletini nga forcat turke.  (Vepra e cituar . f. 35.)

Përpjekja për ta paraqitur Isa Boletinin një pro-serb të pa përmirësueshëm, bën që autori të vërë në spikamë edhe kundërshtimet, të cilat sipas tij i  kishte shprehur Ibrahim Pasha, i cili madje edhe kishte kërkuar nga Hasan Prishtina ta likuidonte Isa Boletinin dhe Riza Beg Kryeziun, sepse ishin larguar nga programi i Lëvizjes Kombëtare. Mirëpo Hasan Prishtina kishte kundërshtuar Ibrahim Pashën, me qëllim për të mos e dëmtuar prestigjin e shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, autori sjell një shembull se Isa Boletini, asokohe së bashku me Riza begun e Gjakovës kishin planifikuar të shkonin në Stamboll për ta sjellë sërish në fron Sulltan Hamidin. Edhe këtu kemi një kontradiktë të pakalueshme e cila me një anë flet se Isa Boletini e kishte tradhtuar Lëvizjen dhe me krejt të vetët kishte ndihmuar Serbinë kundër Turqisë, por planifikonte t’ i shkonte në ndihmë Sulltan Hamidit!?.

Më tej autori thotë se vetëm në prag të Luftërave Ballkanike Isa Boletini ishte bindur se serbët e kishin tradhtuar, me çka i kishte shkaktuar shumë dëm çështjes kombëtare shqiptare. ( Vep e cit fa 46.)  Po ky dëm sipas tij ishte bërë për shkak se Isai nuk e kishte tradhtuar kurrë bashkëjetesën e shqiptarëve me serbët dhe kjo paska qenë  merita e tij më e madhe, saktëson historianit komunist-titist, Tahir Avdyli.

Tani vijmë te kulmi i deformimit  kombëtar të biografisë së Isa Boletinit, me qëllimin fiktiv se ai kishte punuar e vepruar vetëm për Serbinë, duke e çliruar Kosovën nga Turqia për t ia dhuruar Serbisë.

Më 5 tetor të vitit 1912, në Proklamatën për luftë të cilën e kishte lëshuar në qytetin e Nishit,  Kral Petri,  shkruante se ushtria serbe po depërtonte në Kosovë me qëllim që t iu sjellë lirinë, barazinë dhe vëllazërinë shqiptarëve… Në këtë frymë ishte shkruar edhe Proklamata në emër të Kral Petrit të Parë, të cilën e kishte nënshkruar kryetari i organizatës “Narodna Odbrana”, gjenerali (shqiptarë-vrasës) Bozhidar Jankoviq. Kjo proklamatë ishte shpërndarë në të gjitha viset kufitare të Kosovës me Serbinë, Preshevë, Sanxhak, Kumanove dhe brenda Kosovës.  Dokumenti ishte i shkruar në një shqipe të çalë me shkronja çirilike. Ky dokument, sipas historianit, Tahir Avdyli, ka shprehur frymën e marrëveshjeve shqiptare serbe në prag të Luftës Ballkanike, veçanërisht frymën e marrëveshjeve së Isa Boletinit me gjeneralin Bozhidar Jankoviq, Apisin, Pop Neshiqin, madje edhe Nikolla Pashiqin e të tjerë.

Në Proklamatën  e tij gjeneral Jakonviqi iu drejtohej shqiptarëve me

“Të tana fiseve në Shqipni, or vllazni”.

Gjithkush e di se pa emrin e madhërisë së tij, Zotit, kurgjo në fytyrë të tokës nuk mund të bohet.

Na me emër e me ndihmën e Allahut jemi nisur e po vijmë me fuqinë tonë te ju. Po vijmë n’ dhe tuej e tonin, që na e kanë zaptuar osmanlinjtë që pesëqind e më shumë vjet. Nuk po vijmë me ju ba zullum, por po vijmë zullumin me ua hjekë.

Ju vetë po e shihni or vllazni, çka po ju bajnë osmanlinjtë (xhonturqit). Gjë pa ju bo nuk po e lënë. Me ushtri, me topa ua rrëzuan shtëpitë ua kallën katundet u shkelën robët, i mbushen hapsanet me djemtë e juve,  dhe askund as në prag të shpisë nuk iu lanë rehat. Turku në prag të shpisë e para robie  tuaj iu rreh. Ky asht zullumi qi shqiptari nuk e duron. Dhe me topa po iu sulmon dhe po ua marrin djemtë e po ua çojnë në Anadoll e në Arabi, me derdhë gjak për ta.

Për ato dhe për shumë nevoja jeni kanë que në kambë e keni luftue trimërisht me ta. E çka u ba, pasi nuk mujti me u mundë në luftë, iu mashtroi, tuj u premtue gjithçka po lypni,  po nuk ua dha  përnjëmend.

U kanë ndalë prej luftës or vllazni, por me emër e me fuqinë tonë, ne po ja nisim luftës prej këtuhit, ku e keni lanë ju, dhe me emër të Zotit tonë, nevojat që keni luftue për ta, na do t ua sjellim kur të vimë te ju.

Na po vinë të ju or vllazni, tuj ju pru selametin, të drejtën, dhe për këto derte tuajat edhe na kemi me derdhë gjak, sikur për të drejtat tona.

Mos u bani shybe or vllazni,  se qe besa e Zotit, nuk po vimë për sherr, por po vimë me besë të madhnisë e me hajr.  Mos bani shybe qi bahet ndryshe, por keni me i pasë fene e adetet e juaja e sundimin ndërmjet veti si të doni ju vetë, si e ka pasë Shqipnija prej Lekes e këndej.

Besën e Zotit po ua lëmë peng qi kemi me i lanë në harresë të këqijat, që na i keni ba dhe nuk kemi me lanë me ba ndryshe por gjithkujt  do t i pranohet, feja fe, erzi erz, malli mall dhe askush askujna zullum mos me i ba.

Pushkën e kemi me qitë në at që na qet mbi ne, dhe dhashë Zoti shkrumb e hi kemi me e ba  atë shpi apo atë katund qi na kthen pushkën,  e ate që na pret vllaznisht kemi me e përçafë sikur vllau vllaun me besë e me njerzi.  e qato qi na kundërshton po derdhin armë e zjarrë mbi te.

Qeso bese po ju japim edhe kështu me shëndet po e qojmë se zamani ka ardhun, or vllazni me u coptue  ylqeja e osmanlisë, e na me ju, e ju me ne me jetue vllaznisht, ne saje të Kral Petrit qi na ka  udhnue me shëndet e me çue  në vend atë besë.

Or vllazni në emën të Kralit e bamë ket besë e na koftë me shëndet  bashkë me besë të Zotit  po e çojmë në vend. Borxhin para Perendisë edhe para njerëzve do ta lajmë.  Pra në besën tonë  Madhninë e Zotit  e kemi dëshmitar  e kush bahet sebep dhe e derdhë gjakun, Zoti me madhni të vet ja sundoftë.. (vepra e cituar faqe 48).

Teksti i përkthyer nga Tahir Avdyli është në origjinal me shumë fjalë të pakuptueshme por, për hir të lexuesve e kam përshtatur në të folmen e veriut, në të cilën edhe është shkruar me shumë gabime në mungesë të njohjes së gjuhës shqipe dhe në mungesë të disa shkronjave shqipe, që nuk i disponon alfabeti serb.

Përmbajtja e shkrimit është dinake, tinëzare në një masë edhe mujshare e cinike dhe kishte për qëllim t’i mashtronte shqiptarët në mënyrë që ata të mos rezistonin edhe pse dihet sesi kishte ndodhur. Sapo serbët e Kral Petrit e Bozhidar Jankos me qindra mijëra ushtarë të armatosur depërtuan në Kosovë, Sanxhak, në Kumanovë dhe në trevat shqiptare filluan plojën e masakrave duke vrarë e prerë me thika e bajoneta jo vetëm prej  shtatë deri në 70 vjet, por duke shfarosur në masë shqiptarët, pa dallim moshe e gjinie. Edhe pse këto fakte i dinte fort mirë, Tahir Avdyli, ai i anashkalon ato dhe flet sesi Isa Boletini, si kreu i shumë krerëve të Kosovës e mbajti besën ndaj qarqeve ushtarake e politike për luftë të përbashkët kundër pushtuesit shekullor osman.  Ai Isa Boletini dhe njerëzit e tij nuk shtinë në ushtrinë serbe…( po atu faqe 49).

Gjithnjë  sipas kësaj qasjeje  antihistorike, në esencë antikombëtare, autori i këtij shkrimi bastard, fsheh edhe krimet e gjenocidin serb në krahinën e Lumës duke e deformuar rëndë të vërtetën historike, kur konstaton se pjesa kryesore e ushtrisë serbe kaloi deri në viset e Lumës, ku shqiptarët e pritën me bukë e kripë e zemër!?.  Një mirëpritje   të tillë ushtria serbe pati edhe në Gjakovë te kulla e Riza Beg Kryeziut e të Kolë Pranjës. Autori Avdyli duke u mbështetur në shënimet e historianit falsifikator serb Jovan Tomiq, kështu e përshkruan aktin e mirëpritjes  së ushtarëve serbë nga shqiptarët. “Ata na i ofruan vendet  afër oxhakut, shtruan qilima dhe na sollën qumësht, djathë, kajmak, vezë, bukë të nxehtë misri madje edhe kafe. Nuk kanë mundur më mirë  të na nderojnë… Shqiptari nuk e pret mysafirin në besë, por ai lufton dhe vritet për të… (Po aty, faqe 51).

Ja në fund të kësaj analize dhe konstatimi më antihistorik i këtij shqipshkruesi me porosi të biografisë së Isa Boletinit.

Realisht Isa Boletini, njeri i fjalës dhe i besës, tribun popullor i bashkëjetesës, në vitin 1912 nuk pati rast të ndeshej me ushtrinë zaptuese serbe dhe se pasi kishte luftuar në anën e serbëve, kaloi në viset e Lumës e prej andej u nis për në Vlorë për të marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ( Po aty  f. 52).

Varri që i kishte përgatitur,   Tahir Avdyli me Kompaninë e tij të jugo-historianëve, Isa Boletinit, e kishte shtrirë në arkivol, me qefinin e idealit të  bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, për hir të bashkëjetesës së kombeve e kombësive të Jugosllavisë.

Ky është shembulli më tipik e përpjekjeve antishkencore i falsifikimeve me dinakëri të të dhënave historike, i mbështetjes vetëm në të dhënat e historiografisë serbe, duke anashkaluar me kujdes të dhënat burimore nga shtypi shqiptar i kohës, me qëllim që Isa Boletini të paraqitet më shumë pro serb sesa pro-shqiptar. Kjo kishte qenë porosia që iu kishte dhënë jugo-historianëve shqiptarë nga soji i Tahir Avdylit me kompani,  Sinan Hasani,  Kolë Shiroka, Ali Shukriu, Rrahman Morina, Jusuf Karakushit  dhe e karabushëve shqiptarë, pjesë e ideologjisë së bashkim vëllazërimit, soj sorollop i cili për 45 vjet u harlis për ta na bindur nuk kishte rrugë tjetër as perspektivë të shqiptarëve përveç se me Jugosllavinë e Titos, madje edhe  pas vdekjes së Titos e deri në kiamet.

Ata duke i qëndruar besnikë idealeve të komunizmit jugosllav iu kishin përmbajtur me besnikërinë majmune ndaj padronit: “Shoku Tito ne të betohemi se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi…. Konsideroj se Instituti i Historisë dhe institucionet përkatëse,  studimin e dr. Tahir Abdylit duhet ta shpallin të falsifikuar për qëllime politike. Po ashtu  duhet t’ i kërkohet falje për së vdekuri Isa Boletinit dhe për së gjalli trashëgimtarëve të tij.

 

***

Përpjekjet e serbëve për ta manipuluar Isa Boletinin duke e paraqitur madje me prejardhje serbe dhe me emrin e fshehtë serb.Kemi prezantuar me këtë rast të njëjtën foto, ku në njërën pretendohet se ndodhet fotoja e Isa Boletinit.

Foto nr. 1

Foto nr. 1

Group photo of Voivodes, photo no. 1

 

Nga e majta

I. 1. Angjelko Stanković, 2. Dane Stojanović, 3. Zafir Premčević

II. 1. Koce Drenovski, 2. Petko Ilić, 3. Krsta Rista Starački, 4. Stefan Nedić-Ćela, 5. Boško Virjanac, 6. i panjohur, 7. Jovan-Majka.

III   1. Zhivko Gvozdić, 2. Mihajlo Josifović, 3. Gligor Sokolović, 4. Micko Krstić(?), 5. një officer turk(?), 6. Jovan Dovezenski, 7. Trenko Rujanović

IV:  1. Todor Krstić-Algunjski, 2. Kosta Milovanović-Pećanac, 3. Cene Marković, 4. Đorđe Ristić-Skopljanče, 5. Jovan Stojković-Babunski, 6. Jovan Dolgač, 7. Milan Babović.

Në këtë foto nuk kemi asnjë emër e mbiemër shqiptarë, të cilit do besim, por të gjithë emrat e këtyre çetnikëve  janë serbë dhe bullgarë, apo karaktaeristikë për këto dy gjuhë.  Fotoja e Zhivko Gvozdiqit, paraqet një shqiptar, i cili me hamendje është shënura si Isa Boletini dhe i cili nuk përngjet me asnjë tipar dallues.

Në radhë të pare Isai ishte më i gjatë, po ashtu me fytyrë të gjatë dhe jo të gjerë sikur ishte Zivko Gvozdiqi.

Isa Boletini

Isa Boletini

 

Vojvodet

Në këtë foto, është bërë përpjekje për ta denigruar  autoritetin e Isa Boletinit duke shënuar anash se në këtë mes ishte edhe ai, por pa shpjeguar se cili ishte konkretisht. Emrat e katër prej këtyre çetnikëve që i shohim me rroba shqiptare kanë emra e mbiemra serbësh, apo karakteristikë për gjuhën serbe. Në këtë mes nuk ndodhet askund fotoja e Isa Boletinit, sepse jo vetëm që nuk përngjet fare me asnjërin prej të katërve, por edhe me faktin se të katërtit, dalin të identifikuar, në foton paraprake të shënuar si fotoja numër 1. Me këtë foto kanë manipuluar edhe disa portale në gjuhën shqipe, pa i bërë fare analizë fotove, emrave e mbiemrat të identifikuar. Spekulimet, shtrembërimet dhe falsifikimet e historianëve serbë janë të njohura kudo dhe nuk duhet të merren seriozisht, përveç në raste kur ato faktohen me të dhëna relevante historike.

Foto nr. 2

Në këtë fotografi të vitit 1908, pa shënimin e emrave dhe mbiemrave, sikur në foton e parë, shihen shumë shqiptarë dhe oficerë me uniforma turke. Në këtë mes dallohen edhe tre shqiptarët me emra serbë. Vetëm në radhën e parë të kësaj fotoje  janë tre me veshje shqiptare, nga pesë gjithsej. Asnjëri nuk përngjet me Isa Boletinin Në radhën e parë ndodhet personi i shënuar si Micko Krstiq, ( në foton paraprake numër 1.) pastaj në radhën e katërt në mes është, i njëjti  Zhivko Gvozdiq, ndërsa i treti, nga e djathta po në atë radhë është, Milan Baboviq.  Dy shqiptarët e tjerë me tirq dhe me plisa  të bardhë nuk dihet kush janë. Në këtë foto janë edhe dhjetë oficerë me uniforma turke, shumica syresh shqiptarë. Pjesa tjetër   janë bullgarë e serbë nga gjithsej më shumë se 50.

Edhe në këtë foto çetniku, Zhivko Gvozdiq, është më i shkurti nga radha prej 10 çetnikëve, kështu që edhe me këtë aspekt përjashtohet mundësia që në këtë foto të çetnikëve të ketë qenë Isa Boletini.

As në këtë mes ku janë evidentuar pesë persona me veshje tipike shqiptare nuk është Isa Boletini, por janë tre persona me emra e mbiemra serbë, të cilët janë identifikuar në foton e parë.

Fotoja në  format të madh, të panoramës mban shënimin në gjuhën turke  “Yskub shehrin selam” , “Përshëndetje nga qyteti i Shkupit”.

Në fund, në gjuhën serbe shkruan: “Zhivela zajednishtva” që do të thotë “Rroftë përbashkësia” Pastaj janë radhitur fjalët në gjuhën frënge, të njohura që nga Revolucionin borgjez:

Liberte, Egalite, Fraternite:  – Liri, barazi, Vëllazëri

Fotografia ka të shënuar legjendën:

Çentikët me oficerët osmanë, në Shkup,  gjatë Revolucionit Turk të vitit 1908

(Chetniks with Ottoman officers, in Skopje, during Young Turk Revolution (1908)

Literatura:

(https://sr.wikipedia.org)

Pjesë nga Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, më 28 qershor të vitit 1919)

Fragment nga një variant i këngës së Lugut të Baranit.

Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983.

Isa Boletini, Tribuni popullor i bashkëjetesës, “Kosova” , nr. 15, 1986.

Kontrolloni gjithashtu

Enigmat dhe të vërtetat shqiptare të 7 prillit 1939

Enigmat dhe të vërtetat shqiptare të 7 prillit 1939 -Flasin Astrit Miho, Kaztriot Bezati, Muharrem …