Ibrahim Selman Mazreku (19.11.1969 - 2.6.1999)

Ibrahim Selman Mazreku (19.11.1969 – 2.6.1999)

Kur u dha kushtrimi për t’i dalë zot kësaj toke e për t’i hequr njëherë e përgjithmonë prangat e robërisë shekullore, shumë i bijë e bija të këtij trualli, duke qenë të ndërgjegjshëm se pa luftë e pa sakrifica nuk mund të shporrej armiku, pa hezitim rrokën pushkët dhe u betuan se ato nuk do t’i lëshojnë nga dora përderisa të zhduket edhe këmba e fundit e ushtarit serb.

Njëri ndër ata trima që iu përgjigj zërit të Kosovës së robëruar ishte edhe Ibrahim Selman Mazreku. Ibrahimi lindi më 19. 11. 1969, në qytezën e Malishevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa dy vjet të shkollës së mesme i kreu në Malishevë e dy të tjerat në Rahovec,që të gjitha me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1989 regjistron Fakultetin Ekonomik dhe arrin të bëhet absolvent i këtij fakulteti. Ai që herët ishte edukuar në frymën e atdhedashurisë, në odën e burrave, aty ku qaheshin hallet e atdheut. E tërë familja shumanëtarëshe e Ibrahimit ishte vënë në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër të parët që iu bashkua komandant “Çelikut” dhe komandant “Kumanovës” është edhe vëllai i Ibrahimit Refki u, i njohur me nofkën “Vandami”, ndërsa edhe vëllezërit e tjerë të Ibrahimit. Rexhepi, Hysniu Samiu e Besniku, e kanë ndihmuar në logjistikë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Më 5 mars 1998, në ditën kur është luftuar në Prekaz, rrëfen vëllai i tij “Vandami”, pasi s’kemi pasur mundësi të ndihmojmë me forma të tjera luftën, atë ditë, me insistimin e Ibrahimit, kemi blerë nga tregtarët 7000 DM armë dhe municione dhe i kemi dërguar në Kleçkë, më 18 prill. Pas 18 prillit të vitit 1998, Ibrahimi ishte i angazhuar me detyrë nga Fatmir Limaj rreth furnizimit me armatim dhe kontakte me shokë nëpër qendra të ndryshme të Kosovës, pasi që Fatmiri e njihte mirë qysh nga studimet në fakultet, e kishte shok të ngushtë dhe mendonte se ai ishte pikërisht njeri adekuat për këto punë.

Më 25 korrik 1998, kur forcat serbe filluan sulme të ashpra, me të gjitha llojet e armatimit, për t’i thyer pozicionet e UÇK-së në rajonin e llapushës, Ibrahimi rroku armën dhe vullnetarisht u shkoi në ndihmë njësiteve të UÇK-së. Që nga ky moment ai do të bëhet ushtar i rregullt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Betejën e parë Ibrahimi e zhvilloi në Bllacë, ku bashkë me shokë bëri një luftë të rreptë dy ditë rresht. Pas kësaj beteje të pabarabartë, ku armikut i shkaktuan humbje të konsiderueshme, Ibrahimi me një grup shokësh të luftës vendoset në një pikë në Gajrak prej nga përcillnin lëvizjet e forcave serbe në qytetthin e Malishevës. Si njeri i shkathtë, i mençur e mbi të gjitha trim i paepur, ai përherë do të jetë vigjilent për misionin që kishin man-ë ushtarët e lirisë dhe për detyrat e mëdha që i pritnin në të ardhmen.

Ai, bashkë me shokët siç ishin: Salih Paçarizi e Zeqë Paçarizi nga Dragobili, Sami Asllani nga rrethina e Gjakovës, Sylejman e Sadri Mazreku, kushërinj të Ibrahimit, Zeqir Hoti e Isuf Mazreku, bashkëvendas të Ibrahimit, do të përballet shumë herë me armikun dhe pas çdo beteje ata do të dalin edhe më të kalitur, edhe më të vendosur për t’ia bërë të padurueshme jetën armikut në këto troje. Në betejën e madhe që u zhvillua në fillim të shtatorit e deri në tërheqjen e forcave serbe, më 29 tetor 1998, në Dragobil, Malishevë e Maxharr; Ibrahimi së bashku me shokët e luftës do të tregojnë një heroizëm të paparë. Për të gjitha aksionet luftarake që ka ndërmarrë Ibrahimi me shokë më së miri mësojmë nga të dhënat që janë shënuar me përpikëri në Sektorin për informim të brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” nga Çerkin Dukolli – “Ylli”, dhe nga ditari, që iu gjet Ibrahimit me rastin rënies, ditar ky në të cilin Ibrahimi ka mbajtur shënime për ngjarjet që kanë ndodhur nga data 28. 3. 1999 deri më 30. 5. 1999.

Duke parë punën dhe aktivitetin ushtarak të Ibrahim Mazrekut sepse ai ka qenë rreshter në ushtrinë jugosllave dhe ishte njohës i mirë i armatimit jugosllav, më 10. 3. 1999, ai zgjidhet komandant kompanie, në përbërje të së cilës ishin tri togea: Toga e Malishevës, Toga e Gajrakut dhe Toga e Dragobilit.

Përveç kësaj, Ibrahimi ka qenë futbollist i klubit “Malisheva” dhe njohës i mirë i gjuhës angleze. Kur nga Malisheva u tërhoqën vëzhguesit ndërkombëtarë, Ibrahimi, me snajperin e tij, që e trashëgoi nga komandant “Kumanova”, pat vrarë dy paramilitarë e dy policë serbë dhe së bashku me togën e tij i mbajtën të bllokuar plot 5 ditë forcat serbe.

Meqenëse vëllai i Ibrahimit, Refki Mazreku “Vandam i”, komandant i njësisë speciale “Arbri”, mori urdhëresë të re për të shpërthyer kufirin në operacionin “Shigjeta”, Ibrahimi, me propozim të komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, Tahir Sinani, i cili i njihte aftësitë luftarake të Ibrahimit, e propozoi komandant të përkohshëm të njësisë” Arbri”. Për të qenë komandant i kësaj njësie Iypsej një luftëtar trim e i denjë dhe me aftësi të larta luftarake. Njësia “Arbri” kishte për detyrë intervenime të shpejta, kudo që paraqitej nevoja, brenda territorit të brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, në territorin e së cilës ndodheshin instancat më të larta ushtarake si: Shtabi i Përgjithshëm, Radio-Kosova e Lirë, Kosovapress, Spitali i Ushtarak, si dhe mbi 100 mijë civilë të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës. Pra, për arsyet e lartpërmendura, në krye të kësaj njësie Iypsej njeri trim, i formuar e me ideale të larta patriotike, siç ishte intelektuali Ibrahim Mazreku.

Lladroc, 2 qershor 1999. Fushat e malet përreth Lladrocit ishin nxirë nga ushtarë e paramilitarë serbë. Tanke e topa kalibrash të ndryshëm kishin marrë në shënjestër pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vringëllima e armëve të armikut kishte përshkuar tërë rajonin e Llapushës. Dy ditë rresht luftohej për jetë a vdekje. Njësia speciale “Arbri” kishte marrë urdhër të prerë: të mbahen pozicionet dhe asnjë milimetër tërheqje. Dhe këtë urdhër ajo e zbatoi me nder e krenari, nuk lejoi armikun të depërtonte në Malet e Berishës, aty ku vendosej për fatin e Kosovës.

Atë ditë, kur zhvilloheshin luftimet te Vorret e Vjetra, vëllai i Ibrahimit, Refki u, ishte kthyer nga luftimet në vijën e kufirit. Pasi i vëzhgon mirë e mirë se nga sulmonin forcat serbe, ai futet thellë atje dhe i sulmon ato, pastaj kthehet në pozicione ku ndodhej njësia “Arbri”. I sheh ushtarët e kësaj njësie, Agon Krasniqin nga Prishtina, Besim Gashin nga Llapushniku, Mendim Dakën nga Prizreni, Sylejman Cakën nga Komorani, Ilir Kryeziun nga Bubaveci, Mujë Telakun e të tjerë, duke bartur një ushtar të vrarë dhe i pyet: “Kush është vrarë?” Asnjëri prej shokëve të luftës nuk mund të bënte ballë e t’i thoshte se ai është vëllai yt. Të gjithë mbetën të stepur në vend. Atëherë Refkiu iu afrua, e njohu se ishte vëllai i vet, mbështeti kokën mbi gjoksin e tij dhe i tha: Eh more vëlla, edhe shumë punë kemi pasur për të bërë. Kjo ishte ndarja e fundit e vëllezërve në vijën e parë të frontit. Në çastin e rënies,më 2 qershor 1999, në lagjen Tanashec të Lladrocit, Ibrahimi ishte komandant kompanie i njësitit diversanto-vëzhgues “Arbri” i brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”.

Ishte trim, bujar, i afërt me shokë e i patrembur. Nuk besonim se mund të vritej një njeri si ai, por luftë ishte. Mundohej të bënte të pamundurën, gjithmonë zinte një pozicion para nesh. Edhe atë ditë kur e mori plumbi i armikut ai ndodhej para nesh. U mundua të ngrite j edhe një herë, jo pse i dhimbsej jeta, por thuajse kishte marrë para kohe porosinë e vëllait. Por plaga ishte më e fortë, nuk mundi të ngrihej më, – evokon kujtimet bashkëluftëtari i tij Agon Krasniqi – “Prishtina”, pjesëtar i njësisë speciale “Arbri”.

Mesazhi i tij për shokët ishte: Nëse armiku ka arsye për të vdekur në Malishevë, ne kemi njëqind herë arsye për të mbrojtur dhe për të vdekur për Malishevën.

Nëna e Ibrahimit, Hyrishahja, kumtin e zi e mori në Shqipëri, atje ku ishte dëbuar nga çetnikët serbë. Kur erdhi në Kosovë, shkoi në Kleçkë për të parë varrin e djalit. Kur iu afrua varrit të djalit, i tha këto fjalë: Tash nuk po mërzitem fare, sepse djali im s’qenka vetëm, ai paska shumë shokë.

Vëllai i madh i Ibrahimit, Rexhepi, rrëfen: Në vitet ’97, kur Serbia kishte shtuar zullumin mbi shqiptarët, një pasdarke, kur ishim duke pirë çaj në odë, Ibrahimi iu drejtua nënës me këto fjalë: Nënë, a e do lirinë? Po, si s’e dua, more bir! – ia ktheu ajo. Nëse e do lirinë, 6 djem i ke dhe 3 duhet t’ia falësh Kosovës.

Ibrahim Mazreku është varrosur në Kleçkë, me nderime ushtarake, më 2 qershor 1999, ndërsa është rivarrosur më 14. 8. 2000, në Varrezat e Dëshmorëve, po në Kleçkë. Ibrahimi la katër djem – Butrintin, Shkëlqimin, Valdrinin, Adhurimin dhe të shoqen Xhemile. Ai ra në altarin e atdheut, ra për të mos vdekur kurrë. Pas rënies, dëshmori Ibrahim Mazreku ka marrë një varg mirënjohjesh e dekoratash: Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes e ka nderuar me Mirënjohje, Shtabi i Përgjithshëm, më 6 mars 2000, e ka shpallur Dëshmor të kombit; Universiteti i Prishtinës dhe Unioni i Pavarur i Studentëve, Fakulteti Ekonomik, më 23. XI. 2000, i ka dhënë diplomën Student martir,

Shkolla fillore e Malishevës, me rastin e dyvjetorit të rënies, ka marrë emrin “Ibrahim Mazreku”,

Si relikte, dëshmori ka lënë: një ditar lufte, një pancir, një radiolidhje, një thikë …

I është ngritur përmendorja e përbashkët në fshatin Lladroc së bashku me 8 dëshmorë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …