Milaim Mehdi Beha (5.5.1970 – 2.6.1999)

Milaim Mehdi Beha (5.5.1970 – 2.6.1999)

Carraleva e njohur e historisë shqiptare, në çdo kohë ka nxjerrë trima e trimëresha, që u dolën zot trojeve të Shqipërisë. Grykat strategjike të këtij fshati malor kanë qenë arenë e përleshjeve të pareshtura në mes të pushtuesve të ndryshëm dhe liridashësve shqiptarë, të cilët me trimëri, guxim e forcë kanë shkruar faqe të ndritshme të historisë.

Ashtu sikurse në të kaluarën, edhe gjatë epokës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djalëria trime e Carralevës nuk ka kursyer mundin, djersën, as gjakun për çlirimin e trojeve të robëruara të atdheut.

Luftës së UÇK-së iu bashkuan tërë rinia liridashëse, mësuesit, fshatarët, profesorët e mjekët e këtij fshati.

Milaimi lindi më 5 maj të vitit 1970, në Carralevë. Babai Mehdiu dhe nëna Heteme, me mund e djersë i shkollojnë fëmijët: Agimin, Milazimin, Milaimin, Blerimin Lirinë dhe Xhevrien.

Mësimet fillestare, Milaimi i mori në shkollën e fshatit, ndërsa gjimnazin e filloi në Shtime dhe e mbaroi në Ferizaj.

Për t’i ardhur në ndihmë familjes, ashtu sikurse edhe shumë të rinj të tjerë shqiptarë, ai merr rrugën e kurbetit. Pasi e kryen shërbimin ushtarak në armatën okupatore, kthehet në vendlindje, por nuk qëndron gjatë.

Në vjeshtë të vitit 1994, shkon në Slloveni, e cila asokohe ishte çliruar nga burgu i popujve, që quhej Jugosllavi. Fillimisht punon punë të ndryshme fizike në Lubjanë dhe atje bie në kontakt me një pjesë të inteligjencës shqiptare, e cila në Slloveni papengueshëm zhvillonte aktivitet atdhetar e kulturor. Gjatë viteve 1995-1997, disa herë kalon kufirin Slloveni-Austri, duke iu ndihmuar të rinjve shqiptarë të kalonin ilegalisht në shtetet e Evropës Perëndimore, për t’i ikur represionit dhe rekrutimit të dhunshëm në armatën jugosllave. për veprimtari të tillë, arrestohet dhe dënohet disa herë. Me shpërthimin e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mars të vitit 1998, Milaim Beha shkon në Shqipëri dhe kontakton me shumë luftëtarë që po përgatiteshin të hynin në frontet e luftës në Kosovë. Në prill të vitit 1998, fillimisht vendoset në Kleçkë, pastaj, me rastin e riorganizmit të pikës ushtarake, kalon në Krojmir, në mesin e disa veprimtarëve të hershëm të lëvizjes çlirimtare, si: Sylë Qeriqi, Jetë Hasani, Elez Durmishi, Halil Olluri, Ramadan Behluli e të tjerë.

Milaimi ishte luftëtar i shquar. Fjalët i kishte tejet të kursyera, ndërsa në sulm kundër armikut kurdoherë ishte në radhët e para. Shokët e quanin Slloveni, meqë vinte nga Sllovenia, ku kishte punuar disa vjet. Disa muaj pasi kishte hyrë në frontet e luftës çlirimtare, në fillim të majit të vitit 1998, Milaimi, me automatik në supe dhe me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një natë vonë troket në dyert e shtëpisë.

Atë natë çmallet me prindërit, vëllezërit dhe me motrat.

Natën vonë, së bashku me shokët e tij luftëtarë, largohet nga shtëpia, duke e porositur babë Mehdiun dhe Vëllanë, Milazimin, që të kishin kujdes, meqë policia serbe e Shtimes mund të kishte të dhëna për kthimin dhe inkuadrimin e tij në radhët e UÇK-së. Milaimi kohë pas kohe kthen në familjen e tij në Carralevë.

Më 14 qershor të vitit 1998, ishte ndër luftëtarët e parë që u ndesh ballë për ballë me forcat policore e ushtarake serbe, të cilat asokohe kishin marrë aksion për të depërtuar në Kodrat e Carralevës.

Atë ditë, në orën 16.00, forcat serbe ishin dislokuar prej Lagjes së Xhamisë e deri te vendi i quajtur Ura e Sahitit. Në kohën kur forcat serbe kishin filluar bombardimin nga distanca të pozicioneve të UÇK-së, luftëtarët: Milaim Beha, Jetë Hasani, Sylë Qeriqi, Halil Olluri, Shukri Buja, Xhelal Hajdini, Ramiz Qeriqi, Gafurr Dugolli, ushtar Gjoni, Ruzhdi Salihu, Rrahman Tafa, Ramadan Behluli, Naim Rizani e shumë të tjerë, presin derisa forcat serbe iu afrohen pozicioneve të luftëtarëve tanë. Nga kundërsulmi i papritur dhe i befasishëm, forcat armike fillojnë ta humbin kontrollin. Ato kthehen prapa me humbje në njerëz dhe në teknikë lufte.

Prej asaj dite e deri më 26 korrik të vitit 1998, Gryka e Carralevës bëhet arenë e luftimeve të ashpra në mes të luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake serbe.

Në fillim të korrikut të vitit 1998, Milaim Beha caktohet përgjegjës i togës në pikën ushtarake të Zborcit. Atje, së bashku me Ruzhdi Salihun, Jetë Hasanin, Rrahman Tafën, Fadil Hetemin e dhjetëra luftëtarë të tjerë, i përforcon pozicionet në pikat strategjike dhe herë pas here i sulmon në befasi forcat serbe në aksin rrugor: Shtime – Carralevë.

Më 25 korrik të po atij viti, në orën pesë të mëngjesit, forcat armike, me 30 tanke, dhjetëra autoblinda e pizgauerë, me praga dhe armë të tjera të artilerisë së rëndë dhe me qindra këmbësorë, sulmojnë fortesën e UÇK-së në Zborc. Flaka e zjarrit të luftës, atë ditë, kishte përshkuar vendpozicionet e luftëtarëve të lirisë. Pas dhjetë orë luftimesh, ballë për ballë me forcat serbe, merr plagë vdejkeprurëse, Ruzhdi Salihu, ndërsa plagosen: Haxhi Nishori dhe katër ushtarë të tjerë.

Milaim Beha me luftëtarët kishte qëndruar në pozicione derisa ato kishin filluar të digjeshin, ndërsa vende-vende nga predhat armike dheu i kishte mbuluar istikamet që shërbenin si vija të qarkullumit të luftëtarëve.

Pas ofensivës së korrikut, forcat çlirimtare ishin ripozicionuar në pyjet e Blinajës dhe në pozitat strategjike të maleve të Zborcit e të Carralevës. Asokohe, Milaim Beha, në cilësi të komandantit të togës, vëzhgon pikat e pozicioneve dhe mban shënime lidhur me lëvizjen e trupave të armikut.

Në ditarin e tij, ushtar ‘’Slloveni’’ ka lënë informacione të rëndësishme për zhvillimet në terren. Shënimet e tij janë të thjeshtam por korrekte dhe të paanshme.

Pas ofensivave shkatërrimtare të armikut gjatë muajve korrik, gusht, shtator, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që asokohe ndodhej në fshatin Divjakë, konsolidon radhët dhe bën ristrukturimin e formacioneve në togje, batalione dhe brigada.

Me vendimin e SHP të UÇK-së, komandant Tahir Sinani, me Ajvaz Berishën dhe me eprorë të tjerë, në fillim të nëntorit të vitit 1998, fillojnë stërvitjen e ushtarëve që ishin caktuar në njësitë speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Në mesin e dhjetëra ushtarëve më të sprovuar, caktohet edhe Milaim Beha.

Edhe gjatë kohës së stërvitjeve të përditshme në dëborë dhe acar, pjesëtarët e këtyre njësive diversante-vëzhguese kanë kryer një mori aksionesh kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Përveç Milaim Behës, asokohe në njësitë speciale janë shquar: Xhavit Hazir Kelmendi nga Karaçica, Fatmir Maliqi nga Busovata e Kamenicës, Agush Gjocaj nga Rashiqi i Pejës, Adnan Muharremi nga Zborci, Hamit Qeriqi nga Krojmiri, Agon Krasniqi nga Prishtina, Vezir Kolshi nga Baica e shumë të tjerë.

Në saje të aktivitetit të tij të zellshëm dhe kryerjes me sukses të shumë sulmeve mbi armikun, Milaim Beha caktohet zëvendëskomandant i njësive speciale të SHP të UÇK-së.

Prej 20 dhjetorit të vitit 1998, Milaimi me pjesëtarët e tjerë të njësive diversante ka kryer një mori aksionesh, sidomos në Zonën Operative të Drenicës dhe të Pashtrikut.

Më 16 mars të vitit 1999, me urdhër të Shtabit të përgjithshëm, Milaim Beha, Xhavit Kelmendi, Vezir Kolshi e ushtarë të tjerë, u shkojnë në ndihmë njësive ushtarake të zonës së Drenicës, në Llaushë.

Natën e 26 marsit, Milaimi me gjashtë komandosët kthehet në Divjakë.

Në fillim të qershorit të vitit 1999, së bashku me Ejup Kryeziun nga Pagarusha, me Kujtim Krasniqin nga Domaneku, si dhe me Hafir Kryeziun nga Pagarusha, ndodheshin në zonat e Anadrinit me detyrë speciale.

Më 2 qershor të vitit 1999, pasi errësohet, Milaimi me tre shokët e tij niset nga Pagarusha në drejtim të Rrafshnaltës në Divjakë. Rreth orës 22, duke kaluar nëpër vreshtat e fshatit Senik, ata bien në pritë të ushtrisë serbe. Katër luftëtarët e lirisë i kundërpërgjigjen sulmit, por breshëria e armëve të armikut qëllon pandërprerë. I plagosur, arrin të largohet nga vendluftimi vetëm ushtar Hafiri, ndërsa Milaim Beha, Ejup Kryeziu dhe Kujtim Krasniqi, atë natë, për herë të fundit e thithin ajrin e përzier me tym e barut të Kosovës.

Dy ditë më vonë, luftëtarët e njësive speciale arrijnë t’i marrin trupat e Ejup Kryeziut dhe të Kujtim Krasniqit. Trupin e Milaim Behës nuk e gjejnë. Për ta gjetur trupin e tij angazhohen ndër të tjerë edhe vëllai i Milaimit, ushtari Milazim Beha, pastaj Adnan Muharremi dhe Fatmir Maliqi.

Dymbëdhjetë ditë pas rënies, në vigjilje të lirisë, bashkëluftëtarët e tij e zbulojnë vendin ku kishte rënë Milaimi dhe trupin e tij e sjellin në Divjakë.

Dita e varrimit, më 14 qershor, në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, ishte një ditë e veçantë e pikëllimit. Një vit pas zënies së Grykës së Carralevës, në planimetrinë e punuar me kujdes të varrezave, në Kleçkë, atë ditë ishte hapur varri numër 31. Pikëllimi e dhembja vërehej te të gjithë ushtarët dhe eprorët. Në varrim merrnin pjesë edhe gjeneral Agim Çeku, komandant Salih Veseli, babai i Milaimit, Mehdiu, nëna Hetemja, vëllezërit Milazimi dhe Blerimi, motrat Xhevria e Liria, si dhe shumë ushtarë, eprorë dhe fshatarë të zhvendosur në grykat e Rrafshnaltës. Atë dië u varros luftëtari që kurrë nuk foli për bëmat e tij, luftëtari më fjalëpakë i UÇK-së. I qetë dhe i vëmendshëm në dukje, kurdoherë i freskët dhe i kthjellët, ai ziente mllef të papërmbajtur kundër armikut.

Në nderim të veprës së tij heroike, bashkëluftëtarët dhe familja kanë zbuluar pllakë përkujtimore në vendin e rënies, në Vreshtat e Senikut, dhe në fshatin e tij të lindjes, në Carralevë.

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …