Adem Bajram Selmani (1967 - 16. 6.1998)

Adem Bajram Selmani (1967 – 16. 6.1998)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë edhe disa eprorë dhe ushtarë nga Shqipëria. Në mesin e tyre, eprori dhe komandanti i tri luftërave tona çlirimtare, Tahir Sinani, po ashtu eprori dhe pjesëmarrësi në të tri luftërat, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori, Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Raci, Lefter Koxhaj, Arif Shpend Dautaj, Qazim Hazir Dautaj, Fatmir Ndoçi, Mehmet Ramë Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë.

Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria, si Dilaver Gaxhai, zëvendës-shefi Shtabit të Përgjithshëm, Adem Shehu, komandant i Brigadës 153 në Zonën Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë.

Në mesin e luftëtareve nga Shqipëria të inkuadruar në radhët e UÇK-së ishte edhe Adem Selmani. Ai u lind në Tropojë në vitin 1967.

Mësimet e para, si dhe mësimet e mesme i mbaroi, në shkollën “16 Tetori” në Tropojë.

Ademi rrjedh prej një familjeje atdhetare dhe me tradita të shquara liridashëse.

Nga kjo familje pati pjesmarrës në luftërat për çlirim nga Turqia dhe në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Pasi kishte mbaruar shkollën e mesme, Ademi gjatë viteve 1987-1989 kreu edhe shërbimin ushtarak. Prej vitit 1994 e deri në vitin 1997 ka punuar në Komisariatin e Policisë të Tropojës.

 Gjatë asaj kohe ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të grupeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat furnizoheshim me armatim në Shqipëri. Ademi mban kontakte me këto grupe dhe i ndihmon në sigurimin e armatimit. Ai po ashtu i ndihmon edhe në kalimin e pikave kufitare, meqenëse e njihte mirë terrenin.

Më 25 prill të vitit 1998, Adem Bajram Selmani inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ishte bërë bazë ku qëndronin luftëtarët e lirisë dhe përgatiteshin për të hyrë në Kosovë.

Janë të shumta familjet nga Tropoja, Bajram Curri sidhe nga fshatrat e kësaj ane të ndarë me kufi të dhunshëm, të cilat ndihmuan luftëtarët e UÇK-së në të gjitha mënyrat.

Ademi, i kishte shtruar detyrë vetes që të ndihmonte në depërtimin e armëve nga Shqipëria në Kosovë. Më 16 qershor të vitit 1998, ishte në krye të detyrës duke përcjellë një grup luftëtarësh. Në kohën kur afrohen te vendi i quajtur “Lugina e Rrasës” bie në pritë të forcave policore serbe. Ademi bie në altarin e lirisë së pjesës së robëruar të atdheut, i vetëdijshëm se Kosova do liri dhe liria do heronj.

Pas rënies së Ademit, luftës heroike të UÇK-së i bashkohet vëllai i tij, Xhevahir Selmani, i cili luftoi deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999. Xhevahiri ishte inkuadruar në radhët e brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit.

Adem Bajrami është shpallur dëshmor i UÇK-së me vendimin e Komisionit Qendror dhe familja gëzon statusin “Dëshmor i Atdheut”. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …