Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 - 3.12.1998)

Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 – 3.12.1998)

Krushës së Madhe të Anadrinit, në dhjetor të vitit 1998, i ra për hise një provë e rëndë. Anadrinasve e veçanërisht Krushës të prof. Ukshin Hotit, u ra mbi supe një barrë, të cilën po e bartin që atëherë kur në vendlindjen e Bajram Currit e të profesor Ukshinit u hapën tetë themele për shtëpitë e amshueshme të Përjetësisë së bijve të tyre, që u bënë bijë të këtij kombi e që ranë në Pashtrik, me Has andej, e Has këtej, vetëm pak metra pa arritur në breg të Drinit të Bardhë të skuqur me gjakun e hotëve të Krushës së Madhe. Dhe kështu, në atë Dhjetor, Krushës i pati rënë që në terrin e asaj nate të ”Dhjetorit të Shqetësuar” t’i thonë fjalët e burrërisë, para burrave dhe para krenarisë kombëtare, sepse ky fshat lindi, rriti e mbajti burra, e në atë dhjetor të vitit 1998 ia fali shqiptarisë profesor Muhametin, studentët: Sinanin, Hidanë, Sedatin, Isakun, Ismetin, së bashku me Skënder Hamelin e Hasit e Hysni Durakun e Krushës, sepse për Hysni Xhafën e Xhafë Avdisë, Kosova ishte shumë e dashur, më e dashur se luksi i Perëndimit, e më e ëmbël se komoditeti i standardit në kurbet, sepse deshi që Jetonit e Dritonit t’ua lë një Kosovë të Lirë, t’ua lë trojet e bashkuara etnike.
Prandaj, edhe sot, për nderin e kësaj burrërie e krenarie që ruajnë, dhe mbajnë anadrinasit e Krushës së Madhe, nuk bëjnë gjëmë e vaj për profesorin – rapsod, Muhametin, e as hasjanët nuk vajtojnë për Skënder Hamelin, krushjanët nuk rënkojnë për studentët e vatrës hotjanë; Sinanin e Abazit, Hidanë e Isait, Sedatin e Azizit, Isakun e Ademit e as për Ismetin e Dautit, e nuk bëjnë kukamë as për Hysni Durakun, por duan që t’i qajnë hallet me Ata që shkuan dhe ta bëjnë dert këtë punë me të gjithë këta që mbetën dhe kështu, së bashku, krushjanët duan t’i përkujtojnë detyrat që ishin edhe amanete të shenjta të bijve të tyre, vëllezërve të prof. Ukshin Hotit, e që ky amanet do të jehojë deri në përmbushje: ”Vazhdoni, aty ku mbetëm ne!”.
Këtë amanet ua lë edhe Hysni Duraku bijve të tij, Dritonit e Jetonit, njëri të ndriçojë e tjetri të jetojë, e të cilët sot janë të rritur për aq sa ta ndezin vatrën krenare në oxhakun mikpritës e bukëdhënës të Xhafë Avdisë e të nënë Bahrisë, bijë kreshnike e bajramlimanëve të Krushës së Madhe, që lindi Hysniun për t’ua bashkuar Adem Jasharit e Luan Haradinajt, për t’ua dhënë Tonit e Micit e për t’i lënë në Pashtrikun Plak, me Has andej, e Has këtej, e për t’i ndjekur Indrit Cara i Kavajës, Astrit Sulo i Beratit, Tahir Sinani i Tropojës, Ismet Jashari i Kumanovës e Myhedin Aliu i Porojës, së bashku me Pal Palucën e me Lleshët e Vraniqit. Prandaj, edhe Hysni Xhafa ia ktheu shpinën kurbetit, sepse Kosova i dukej më e ëmbël, më lazëm për burra, iu bashku studentëve të Krushës së Madhe, iu bashkua prof. Muhametit e Skënder Hamelit, për ta thyer Pashtrikun, dhe më 3 dhjetor të vitit 1998 e ndezi luftën në vithet e Pashtrikut Plak.
Hysni Xhafer Duraku, punëtor i vyeshëm, djalë i dytë i Xhafë Avdisë, nip i gashjanëve trima e shtylla të rezistencës kombëtare, është i lindur më 1 gusht të vitit 1961, në fshatin Krushë e Madhe, jo larg strehëve të konakut të prof. Ukshin Hotit. Doli prej një vatre patriotike, me babë e babëgjysh të njohur, jo vetëm në fshatrat e Anadrinit, por anembanë trojeve etnike. Shkollën fillore, Hysni Xhafa e mbaroi në Krushën të Madhe, ndërsa të Shkollën e Mesme Teknike në Prizren, e studimet i fillon në Fakultetin Xehetaro – Metalurgjik, në Mitrovicë. Duke u shoqëruar me dajallarët e familjes së Bajram Limanit, e me axhën Hilmi, të ndjekur, të persekutuar e të strehuar për shumë vite në Shqipëri, qysh herët hyri në ilegalen, e cila vepronte në Krushë të Madhe e Drinas (ish-Ratkoc), madje i mbështetur prej vëllezërve: Avdiut, Shaniut, Samiut dhe Selamiut, të cilët, së bashku me Muhamet Malësorin, Fitim Durakun, Enver Durakun, Bekim Gashin, Ismail Gashin, Nijazi Gashin, Dalip Behrën e me hotët Ragipin, Hidanë, Sinanin, Sedatin, Isakun, Ismetin, Xhavitin, Agimin, Halimin e Shukriun, e me Agim e Sami Nallin, sajonin bërthamën e mendimit të gatishmërisë për rezistencën e armatosur, prandaj edhe iu bashkuan demonstratave të Janarit të Madh të vitit 1990, në krye me profesor Ukshin Hotin, kur edhe bien heroikisht: Halim Hoti, Agron Fetahu, Hilmi Krasniqi e Nesimi Elshani, të gjithë prej fshatrave: Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël e Celinë të Anadrinit, te Laku i Dëshmorëve në Brestos, më 27 janar të vitit 1990. Së andejmi edhe Hysni Duraku nuk pushon së vepruari duke angazhuar tërë qenien e vet fizike dhe emocionale drejt Çështjes së Madhe; ashtu siç e pati mësuar prej t’ët, Xhafë Avdisë, prej axhës Hilmi e prej dajallarëve – pasardhës të Bajram Limanit.
Nëpërmjet vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve, shokëve të idealit, Hysni Duraku i bashkohet Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për fshatrat Krushë e Madhe, Celinë, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Qëndresë e Krushë e Vogël dhe kështu sërish riaktivizon të bëmat e rinisë me Xhelal Hajdën – komandant Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin. Hyri sërish në plejadën e djelmoshave më të njohur për organizimin e luftës në fshatrat e Anadrinit, duke depërtuar deri në Prekaz e Gllogjan. Ëndërronte, si edhe shumë djelmosha të Krushës së Madhe, që të bëhej i madh si profesor Ukshini. Me shpërthimin e luftës, Hysni Duraku është pranë shokëve, gjendet në vijat e para të zjarrit, gjendet pranë Muhamet Malësorit, Ragip Hotit e Ismet Gashit, gjendet pranë Tonit e Micit. Mirëpo, pas Betejës te Rrasat e Rahavecit, më 18 e 19 korrik të vitit 1998, Hysni Duraku së bashku me Xhelal Hajdën – Tonin, vendos për ta ripërtërirë logjistikën e fshatrave të Lugut të Brestosit dhe kështu rikthehet në Gjermani që të kontaktojë me veprimtarët e fondit ”Vendlindja thërret”, prandaj edhe vazhdon veprimtarinë. Në gjysmën e nëntorit të vitit 1998 tenton të depërtojë në Kosovë, mirëpo nuk i plotësohet dëshira, pasi ato ditë kufiri ishte bërë gardh e nuk depërtonin grupet. Pas takimit me Fehmi Hotin, veprimtar i shquar nga Krusha e Madhe, i cili jetonte në Tiranë, Hysni Duraku i bashkohet grupit të studentëve të Krushës së Madhe, të cilët së bashku me Muhamet Malësorin bëjnë përpjekje maksimale për të depërtuar në Kosovë, veçanërisht pas marrjes së lajmit për rënien e Tonit e Micit me tre bashkëluftëtarë prej Vushtrrie, e t’i gjejë vëllezërit Samiun dhe Shaniun që ishin luftëtarë në frontet e Anadrinit.
Lajmi për rënien e Xhelal Hajdës – Tonit, Selajdin Mullabazit – Micit, Hamdi Hajrizit, Bektesh Halitit e Nezir Ymerit, te Kryqi i Apterrushit, më 6 nëntor të vitit 1998, i tronditi të gjithë luftëtarët e lirisë, dhe Hysni Durakut nuk i pritej më. Përpiqet që me çdo kusht të kthehet në Kosovë, në Anadrinin luftarak, në Krushën e Madhe e t’i bashkohet bërthamës së luftëtarëve dhe kështu në fshatrat e Anadrinit të sajohet një front edhe më i fortë, edhe më unik. Këtë dëshironte ta bënte me Muhamet Malësorin e me Këshillin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe përpjekjet për të depërtuar në Kosovë ishin maksimale, por mundësitë shumë të kufizuara, pasi Pashtriku, dita më ditë forcohej me forca serbe të të gjitha segmenteve ushtarake e policore, e së andejmi edhe mundësitë që Grupi i Krushës së Madhe të lidhej me ndonjërin prej grupeve që përpiqeshin për të depërtuar në Kosovë ishin shumë të kufizuara. Ky ishte dhjetori, Dhjetori i Krushës së Madhe, Dhjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dhjetori i Pashtrikut të Egër, kur çdo gjë ishte e mbuluar me borën e bardhë, por edhe me të zezën në Lugun e zi të Pashtrikut, prandaj ndërsa “Maja e Kunorës” së Shkëlzen Haradinajt ishte e mbuluar me të bardhë, krisi edhe rrufeja në Krushën e Madhe. Atë ditë, për t’iu kthyer Anadrinit ishte nisur çeta e Muhamet Malësorit, në krye të së cilës ishte Skënder Hameli i Hasit me studentët e Krushës së Madhe e me Hysni Xhafer Durakun. Donin për të arritur në Brigadën 124 ,,Gani Paçarizi” e t’i bashkohen Batalionit të Grykës së Brestosit, që vepronte prej Lakut të Dëshmorëve në Brestos deri në Breg të Drinit, ose prej “Urës së Fshajt” deri te “Ura e Landavicës”.
Të gjithë ishin nisur me këngë në gojë, kallash në krahë e me indeksa në xhepa, por edhe me shpresa se në Kosovën e Lirë do t’i përfundojnë studimet e do të ndërtojnë ardhmërinë për Dritonin e Jetonin, për Flakën e Zgjimin, për Ermalin e Majlindën, mirëpo në Lugun e Zi dalin hijenat e karpateve dhe vërsulen fytazi kah djelmoshat e Krushës së Madhe, pothuajse ashtu siç e ravijëzoi më vonë rapsodia për rapsodin Muhamet Malësorin dhe çetën e tij, për studentët dhe trimërinë e tyre, për Skënder Hamelin dhe rropatjet e tij nëpër Pashtrik – fillon rapsodia për Hysni Xhafën e Xhafë Avdisë:

”Kërset pushka te Lugu i Zi;
Luftojnë djemt-o për liri.
Ikin shkijet rroj zabeli,
Po lufton Skënder Hameli.
Pisket t’madhe Bozhë Jovani,
Lufton Hida, lufton Sinani,
Vaj-medet na prishi Sedati
N’gulinov nj’aj Hysni Duraki.
Jan’ vllaznia e Met Malësorit,
Jan’ luftarë o të Ukshin Hotit.
Isak Hoti, nji trim si zana,
Ismet Dautin s’e bon mo nona!”

Edhe hotjanët e Krushës së Madhe e kënduan këngën e tyre të sprasme, por edhe shumë të hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, ndërsa në Krushë u hapën plagët e tetë nënave, të tetë palë motrave, të tetë palë tezeve e hallave, vetëm për tetë konaqe afër, pak ditë pas rënies së Tonit e Micit, e pak ditë para rënies së Mujë Krasniqit me dyzetë shokë, ndërsa Beqir Sefa e Met Malësori ia thonin ”Ani moj Shqipni, mos thuj mbarova!”.
Por, ja se edhe këto vite fluturuan si pulëbardhat nëpër retë e shkrumbuara të Kosovës, të këtij trolli të djegur flakë, për të cilin ëndërronin edhe pëllumbat e Krushës së Madhe, Ata zënë të shënojnë nëpër faqet e ditarëve të tyre: “Kur të mbarojë lufta, do t’i ngrehim livadhet e bukura e do të ndërtojmë pallatet e paqes e të lulëzimit, do të murojmë urat e mirëqenies e do të ndërtojmë fontana, e prej tyre do të rrjedhë një fat i mbarë për të gjithë shqiptarët”. Kështu pati shkruar në një faqe të ditarit të vet, arkitekt Hida Hoti, por ja se fati nuk ia deshi që të arrijë këtë, sepse ideali ishte më i fortë e Hida Hoti i pathyeshëm përqafoi Pavdeksinë.
Edhe netët e atij Dhjetori ishin më të ftohta dhe shumë të errëta, kurse Pashtriku ishte plot e përplot me fantazma të gjalla e hije të hijenave, të atyre që këngën e studentëve e të Muhamet Malësorit, këngëtar përherë të hareshëm, e kthyen në një simfoni funebër. Dhe kështu, atë ditë edhe bilbili e ndali këngën për të lidhur nyje vaji për Krushën e Madhe, për Muhamet Malësorin, për Hysni Durakun, për Skënder Hamelin, për Hidanë e Isait me vetëm 22 pranvera, për Sedatin e Azizit me 23 pranvera, për Ismetin e Dautit, për Isakun e Ademit e për Sinanin e Abazit, që nuk i pritën 24 pranvera dhe ”Ani Kosovë, ani!”. Le të pushojnë në Krushën e Madhe dëshmorët dhe martirët e këtij fshati të shënuar në faqet më të ndritshme të historisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën pati ëndërruar profesor Ukshin Hoti.
Dëshmori i kombit Hysni Xhafer Duraku, sot prehet pranë shokëve të idealit. Shtëpia e Tij e amshueshme gjendet nën “Kodrën e Rrezeve” të Krushës së Madhe, ku pushojnë edhe rreth treqind civilë të vrarë, të masakruar e të zhdukur të këtij fshati. Për ta shënuar ditën e 3 dhjetorit të vitit 1998, tashmë tradicionalisht shtegton nëna Bahrie me bashkëshorten e Hysniut, Fiqerien krenare, me Dritonin e Jetonin e me motrat e Hysniut: Qelebinë, Hyrishahin, Ajshen dhe Fehmijen, rrugëtojnë kah Pashtriku, nëpër Planejë e Garazhup, “Bjeshkës përpjetë, këtij mali të shkretë”, për ta nderuar, nëpër fërfëllazë të dhjetorit, jo vetëm Hysniun, por tërë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e për ta shënuar e paluar në kujtesat e nipërve e të mbesave “Atë dhjetor të Pashtrikut, të egër, të mbuluar me borën e bardhë, por edhe me të zezën jo larg “Lugut të Zi”, ku ishte kënduar kënga e sprasme, por e hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, e për trojet e bashkuara nën një flamur, ai flamur që valon nëpër Pashtrikun e mbushur me lapidarë, ndërsa “Thërret Prizreni, mori Shkodër” si “Shqypnija ‘i vend nuk ka”. E Fiqerijes i mbeti krenaria për Hysniun dhe detyra e shenjtë amnore që ta rrisë Dritonin me Jetonin, duke i nërguar me burrërinë e t’ët Hysniut për të cilin Kosova ishte më e shtrenjtë se jeta, e liria i doli më e dashur se Dritoni e Jetoni.
Për Hysni Durakun janë thurur vargje, e këndohen rapsoditë, ndërsa me shkrimet e kohëpaskohshme, këtë dëshmor të kombit i ka nderuar penda e Bajram Kurtit, Agim Metbalës e Milazim Bajrajt, ndërsa lapidari në Malet e Garazhupit ruan emrin e dëshmorit dhe të shokëve të Tij të idealit. Në fshatin Krushë e Madhe janë duke u zhvilluar përgatitjet për ngritjen e kompleksit memorial të dëshmorëve të kombit.
Edhe në familjen e Xhafë Avdisë, nëna Bahrie ka ndarë një dhomë – muze, në të cilën i ruan shenjat e të birit Hysni e të nipave: Ismail e Bekim Gashi, Fitim e Enver Duraku të cilët ia fali lirisë së Kosovës, me dëshirë që Kosova gjithmonë të ketë Hamza e Adema, Luana e Shkëlzena. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …