Lulëzim Hashim Llugiqi (5.1.1973 - 5.6.1999)

Lulëzim Hashim Llugiqi (5.1.1973 – 5.6.1999)

Lulëzim Llugiqi u lind më 5 janar të vitit 1973, në fshatin Krojbardhë (ish – Dobrajë e Madhe) e komunës së Lypjanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa shkollën e mesme e ka mbaruar në Lypjan. Babai i Lulëzimit, Hashim Llugiqi, ishte minator në minierën e Magnezitit “Goleshi” në Magurë. Ai kishte punuar me vite të tëra në zgafellat e kësaj miniere, ku nxirrej lënda e parë dhe dërgohej për t’u eksploatuar, me një tren special, në Kralevë të Serbisë.
Në vitin 1990, me rastin e futjes së masave të dhunshme nga regjimi kriminal i Milosheviqit, dëbohen nga puna rreth 1000 minatorë shqiptarë të kësaj miniere, në mesin e tyre edhe babai i dëshmorit të kombit, Lulëzim Llugiqi.
Edhe pse kishte kryer shkollën e mesme, Lulëzimi nuk gjente dot punë përveç ndonjë pune fizike me mëditje, në Lypjan, e cila nuk i mjaftonte as për shpenzimet e tij ditore.
Me qëllim për ta ndihmuar familjen, ai sikur edhe shumë bashkëmoshatarë të tij detyrohet të marrë rrugën e mërgimit. Më 17 prill të vitit 1997 vendoset në Zagreb të Kroacisë, ku në vitet 90 kishin mërguar shumë shqiptarë, meqë populli kroat ishte shkëputur me luftë nga Jugosllavia dhe jo vetëm nuk kishte urrejtje kundër shqiptarëve, por ata mirëpriteshim si miq, meqë mijëra shqiptarë e në mesin e tyre edhe shumë oficerë kishin marrë pjesë në luftë për çlirimin e Kroacisë. Lulëzimi ashtu sikur edhe mijëra punëkërkues nga Kosova kryente punë të ndryshme fizike dhe ndihmonte prindërit, vëllezërit e motrat në Kosovë.
Në mars të vitit 1998, në kohën kur në altarin e lirisë së Kosovës kishte rënë komandanti Legjendar i UÇK-së Adem Jashari dhe 56 anëtarë të familjes së tij të ngushtë e të gjerë, mijëra të rinj shqiptarë nëpër vendet e ndryshme të Evropës kishin filluar të dyndeshin drejt Shqipërisë, me qëllim që atje të armatoseshin dhe të hynin në frontet e luftës çlirimtare.
Në prill të vitit 1999, pas dy vitesh qëndrimi në Kroaci, Lulëzim Llugiqi me shumë vullnetarë shqiptarë niset nga Zagrebi dhe pas disa ditësh arrin në Portin e Durrësit, ku sistemohet në qendrat e rekrutimit dhe të stërvitjeve.
Pas kryerjes së stërvitjeve, Lulëzimi me disa shokë niset në drejtim të maleve të Pashtrikut, në kohën kur kishte filluar aksioni i forcave të UÇK-së, i cili ishte koduar me emrin ”Shigjeta”. Këtë ndërmarrje të madhe luftarake e kishte organizuar kreu i luftës çlirimtare. Më 10 prill të vitit 1999, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla ishte emëruar komanda e frontit të operacionit “Shigjeta”, me në krye Bislim Zyrapin, ndërsa shtabi i këtij operacioni përbëhej nga Spiro Butka, Sahaban Musliu, Mark Shala, Shefki Abdullahu, Agron Haradinaj dhe Gramoz Kelmendi. Në ndihmë këtij formacioni kishte shkuar edhe komandant Fatmir Limaj i njohur si “Komandant Çeliku” si dhe shumë eprorë e ushtarë të sprovuar të UÇK-së.
Qëllimi i operacionit ishte që të sulmoheshin forcat serbe, me një mësymje të vrullshme të forcave të frontit operativ, me qëllim që të dërrmoheshin forcat serbe, edhe me sulme nga ajri të avionëve të NATO-s dhe të hapeshin korridore për futjen në Kosovës të armatimit, municionit dhe vullnetarëve të shumtë që kishin ardhur nga mbarë Evropa por edhe nga Amerika e largët, nga ku ishte organizuar dhe ishte futur në frontet e luftës sonë çlirimtare Batalioni “Atlantiku”.
Luftëtari trim, Lulëzim Llugiqi, ishte sistemuar në Togën e Parë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Brigadës 128, të Zonës Operative të Pashtrikut, të cilën e komandonte Bilall Syla. Ai së ë bashku me shumë bashkëluftëtarë kishte luftuar përballë forcave serbe deri në mësymjen e fundit të forcave të UÇK-së, të cilat po përparonin në drejtim të forcave serbe.
Më 5 qershor të vitit 1999 ndodhej në frontin e luftimeve, në maje të Pashtrikut kur goditet për vdekje nga breshëria e granatave të forcave armike, të cilat duke parë humbjen e sigurt ishin egërsuar ashtu sikur egërsohet bisha e plagosur kur merr goditjen vendimtare.
Bashkëluftëtarët kishin arritur ta tërhiqnin trupin e Lulëzimit, i cili në kushte dhe rrethana të luftës së pandërprerë u varros në pozicionet e luftës, te vendi i quajtur Maja e Vogël, ashtu sikur po varroseshin të gjithë ata që binin për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe.
Më 1 qershor të vitit 2000, trupi i dëshmorit Lulëzim Llugiqi ishte sjellur në fshatin e tij të lindjes dhe ishte varrosur me nderime dhe me pjesëmarrje të mijëra liridashësve nga mbarë vendi.Në vitin 2002 në shenjë respekti u zbulua pllaka përkujtimore në vendlindjen e dëshmorit.
Djali i vëllait të Lulëzimit, Fitimit, e ka përsëritur emrin e dëshmorit.
Lulëzimi ka lënë prindërit: babain, Hashimin (i cili vdiq në vitin 2002 dhe nënën, Mevliden, motrat: Ibadeten, Vjollcën e Lenditën si dhe vëllezërit Fitimin dhe Valmirin. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Lypjanit.
Emri i dëshmorit Lulëzim Llugiqi i është vënë një rruge në Lypjan. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …