Beqir Haxhi Qufaj (14.6.1977 – 5.6.1998)

Beqir Haxhi Qufaj (14.6.1977 – 5.6.1998)

Dëshmori Beqir Qufaj, u lind më 14 qershor 1977, në fshatin Prejlep të komunës së Deçanit. Prindërit Haxhi Beqir Qufaj dhe Sanije Binak Hoxhaj-Qufaj, bijë e Cërmjanit të Gjakovës, i lindën dhe i rritën gjashtë fëmijë, tre djem e tri vajza: Antigonën, Beqirin, Arditën, Egzonën, Arbenin dhe Shqipërimin. Beqiri ishte djali i madh i familjes, i cili edhe e kishte trashëguar emrin e gjyshit.

Shkollën fillore Beqiri e kreu në sh. f. “Sylejman Vokshi” në Prejlep, ndërkaq të mesmen, gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Ai ishte njëri ndër djemtë e parë të fshatit Prejlep, i cili menjëherë pas betejës së 24 marsit 1998, u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shtabin Rajonal të UÇK-së në Gllogjan. Më 12 prill 1998, së bashku me 24 shokë të idealit, ai shkoi në Shqipëri për t’u furnizuar me armë e municion. Një javë më vonë u kthye në Kosovë së bashku me grupin prej rreth katërqind luftëtarëve të armatosur me pajisje luftarake, që u takonin trevave të ndryshme të Kosovës dhe po hynin nga Shqipëria për të luftuar në frontin e luftës në Kosovë. Duke parë aftësitë luftarake që kishte treguar Beqiri, komanda e emëroi komandant skuadre.

Deri në rënien e lavdishme, Beqiri u dallua në betejat dhe luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese ushtarako e policore serbe. Këso kohe vija e frontit në fshatin Prejlep të Deçanit, ishte njëra ndër pozicionet më të forta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për herë të parë në Kosovë, në muajin maj 1998, njësitet e UÇKsë pikërisht në fshatin Prejlep bllokuan rrugën magjistrale Deçan-Gjakovë, që nga Prejlepi deri në fshatin Rastavicë, ku njësitet e UÇK-së i vendosën pengesat dhe pamundësuan qarkullimin e forcave serbe në këtë segment rrugor. Ato nuk arritën ta thyejnë rezistencën e luftëtarëve të lirisë për tri javë rresht. Në këtë rezistencë mori pjesë edhe luftëtari Beqir Qufaj.

Me 4 qershor 1998, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër poziconeve të UÇK-s në Prejlep, duke granatuar me artileri të rëndë nga Podi i Gështenjave, Suka e Baballoçit, Kodra e Prejlepit, etj., dhe njëkohësisht duke tentuar të depërtojnë në pozicionet e UÇK-së, me trupa të shumtë të këmbësorisë. Luftimet vazhduan edhe të nesërmen.

Më 5 qershor 1998, rreth orës 10 e 30, në vijën e parë të frontit, ku po luftonte e qëndronte me bashkëluftëtarët e tij, luftëtari Beqir Qufaj mori plagë vdekjeprurëse nga predha e snajperit të armikut. Atë ditë pozicionet e UÇK-së në këtë fshat u sulmuan me artileri të rëndë e nga këmbësoria e ushtrisë jugosllave, nga drejtimi i Gjakovës dhe ai i Deçanit, si dhe u bombarduan me aeroplanë ushtarakë.

Beqirin të plagosur e tërhoqën nga vendluftimi, bashkëluftëtarët Yll Morina (dëshmor) dhe Daut Haradinaj, të cilët nën breshërinë e plumbave e dërguan deri në spitalin ushtarak në Irzniq, ku përkundër përpjekjeve të mjekëve, Beqiri nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda, duke u ndarë nga jeta pa i mbushur 21 pranvera.

Të njëjtën ditë ranë dëshmorë edhe bashkëluftëtarët e Beqirit, Gazmend Lokaj e Jeton Dabiçaj, ndërsa u plagosën rëndë Qëndrim Qufaj, Riza Qufaj, etj. Ndonëse forcat serbe më 5 qershor arritën të zhbllokojnë rrugën magjistrale, ndonëse filluan rrënimin e mureve e shtëpive bri rrugës me eskavatorë, megjithatë forcat e ripozicionuara të UÇK-së asnjëherë nuk u thyen. Krahas luftëtarëve prejlepas në këtë vijë të frontit dhanë kontribut të jashtëzakonshëm edhe luftëtarët e devotshëm të UÇKsë Yll Morina, Përmet Vula, e Elton Zherka nga Gjakova, Lulëzim Morina nga Martirasi i Lypjanit, më pas komandant i kësaj vije të frontit e shumë të tjerë.

Trupi i dëshmorit Beqir Qufaj u varros më 6 qershor 1998, në Dashinoc, ndërsa pas përfundimit të luftës, më 3 shtator 1999, u rivarros me nderime të larta ushtarake e popullore në Varrezat e Dëshmorëve të kombit në Prejlep.

Familja e dëshmorit Beqir Qufaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dhe vëllanë dëshmor, si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj. Dëshmorit Beqir Qufaj dhe dëshmorëve të tjerë të Prejlepit u janë kushtuar dhjetëra këngë nga rapsodët shqiptarë. Heroizmi i dëshmorit është përjetësuar me shkrime përkujtimore e në monografi të ndryshme.

Në shenjë nderimi të përjetshëm, në vendin e rënies, dëshmorit Beqir Qufaj i është ngritur pllaka përkujtimore. Në prill të vitit 2012, në vendlindjen e tij, në Prejlep është përuruar Kompleksi Memorial për Dëshmorët e Prejlepit, në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm, në të cilin është përjetësuar dëshmori Beqir Qufaj dhe katërmbëdhjetë dëshmorët e martirët e tjerë të fshatit Prejlep. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …