Eset Xhafer Ibishi (9.6.1969 - 30.9.2000)

Eset Xhafer Ibishi (9.6.1969 – 30.9.2000)

Rajoni i Mitrovicës dhe Shalës së Bajgorës gjatë gjithë historisë ka dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri dhe çlirim kombëtar sipas konceptit kombëtar të Rilindësve. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një kapitull më vete në historinë e kombit shqiptar. Kjo luftë mori karakter dhe përmasë kombëtare.

Pjesë e kësaj përmase ishte edhe krahina e Shalës së Bajgores. Një nga ata djem e burra nga Shala e Bajgores, më saktë nga fshati Bajgorë, që asnjëherë nuk e kurseu mundin, djersën, gjakun e përkushtimin ndaj atdheut, i cili iu bashkëngjit pa kurrfarë hezitimi radhëve të UÇK-së, ishte edhe Eset Ibishi, në përkujtim të cilit jemi mbledhur edhe sot. Ai rrjedh nga një familje shaljane e fshatit Bajgorë të Shalës së Bajgores, Komuna e Mitrovicës. U lind më 9 qershor të vitit 1969. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Edhe pse shumë inteligjent, i sjellshëm e me mundësi që të arrinte shumë po të vazhdonte studimet, ai nuk e pati këtë fat, nuk e pati këtë mundësi për arsye të kushteve jo të mira ekonomike, sociale. Mirëpo, një shkollë të mirë e mori nëpër oda, nëpër ndeja të ndryshme duke u brumosur me edukatë atdhetare, me dashurinë për vendlindjen, për atdheun. Mirëpo, as shërbimi ushtarak në një ushtri të huaj, as qëndrimit disavjeçarë në kurbet nuk ia venitën dashurinë për atdheun e lirinë.

Nga 17 marsi 1989 deri më 16 mars 1990 ai ishte në shërbim ushtarak në Slloveni. Për shkathtësitë e tij të treguar gjatë shërbimit ai gradohet me gradën e dhjetarit. Fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90 krijoi rrethana të reja në Evropë, në Ballkan, por me theks të veçantë në Kosovë, pra edhe në Mitrovicë, edhe në Shalën e Bajgores. Madje, pikërisht në Shalën e Bajgores, mu në horizontet e Minierës së Trepçës në Stantërg, filloi një etapë e re, më saktë shembja e një krijese artificiale, por mizore për shqiptarët, Jugsllavinë titiste dhe neokolonialiste. Kjo shembje la dhe pasoja të rënda edhe ekonomike, edhe politike. Në këto rrethana të krijuara shumë shaljan, për shkak se Miniera e Trepçës u uzurpua prapë, ngelën në gjendje të mjerë sociale, ekonomike, ku për pasojë u detyruan të marrin rrugën e kurbetit. Këtë rrugë e mori edhe Eset Ibishi me të vetmin qëllimin që t’ia sigurojë ekzistencën familjes. Fillimisht shkoi në Kroaci, pastaj në Slloveni dhe së fundi në Zvicër. Eset Ibishi krahas punës për sigurimin e ekzistencës për familjen, ai për asnjë moment nuk harroi se në çfarë gjendje e kishte lënë familjen, vendlindjen, këtë pjesë të robëruar të atdheut. Prandaj, ishte mjaft aktiv për sigurimin e ekzistencës për familje, ishte mjaft aktiv në pjesëmarrjen dhe organizimin e protestave që organizonte mërgata.

Dalja në skenë e UÇK-së, për Eset Ibishin dhe gjithë shqiptarët ishte një Rilindje, ishte fillimi i një epoke të re. Kësaj epoke i takoi edhe ai. Sepse ai iu përgjigj kushtrimit për lirinë e atdheut. Në radhët e UÇK-së, që nga fillimi u inkuadrua në njësitë e Brigadës “Mehë Uka” të ZOSH. Brigadë kjo që do t’i jap Kosovës tre heronj: Mehë Ukën, Xhevat Jusufin dhe Shemsi Ahmetin, mbi 70 dëshmorë, mbi 80 invalidë dhe rreth 1200 ushtarë; 1 gjeneral, 5 kolonelë dhe më shumë se 10 nënkolonelë dhe major dhe 2 nënkryetar komunash. Kjo Brigadë kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake, me një veprimtari të bujshme atdhetare, duke e dridhur edhe Beogradin, duke i dhënë Luftës së UÇK-së përmasë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke bërë që Shalës së Bajgorës t’i dëgjohej zëri anekënd Evropës dhe kancelarive kryesore të botës; duke shndërruar Bajgorën dhe Shalën në qendër të diplomacisë evropiane dhe botërore, me rastin e zënies rob të 8 ushtarëve të UJ-së pikërisht nga kjo Brigadë, pjesë e të cilës ishte edhe Eset Ibishi. Ai fillimisht u inkuadrua në radhët e UÇK-së, në Trepçali përkatësisht në Kompaninë të cilin e komandonte Shemsi Ahmeti dhe në Batalionin e Dytë të cilin e komandonte komandanti Ajet Bajrami. Më vonë kaloi në Njësinë Speciale. Ai kishte njohuri të nevojshme për artin ushtarak. Prandaj nuk ishte e rastit që e dërgojnë në vijnë e frontit Mazhiq-Trepçali-Melenicë, e cila aq shumë u shkaktoi telashe, aq shumë u shkaktoi humbje forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe që nga 10 korriku deri më 15 shtator 1998 kur ndodhi edhe ajo që njihet si “Ofensiva e Shtatorit”. Eset Ibishi ishte shumë i shkathët dhe shumë trim në ndërmarrjet kundër armikut. E zotëronte për mrekulli armën që posedonte. Ishte një nga shenjëtarët më të mirë të Brigadës. Sidomos në përdorimin e armës M-48 dhe të Mitralozit PM-84. Sikur dëshmojnë bashkëluftëtarët e tij, diku në muajin gusht, në një distancë prej 700-800m e qëllon për vdekje një oficer policor në Trepçë. Nga ajo ditë e quanin Bislim Bajgora, sepse qëllonte sikur të ishte ringjallur vetë ai. Ofensiva e Shtatorit la pas vetës shumë të vrarë, shumë të plagosur, djegie shkatërrime nga të cilat edhe sot e kësaj dite, 15 vjet pas asaj ofensive, Shala e Bajgorës nuk po mund ta merr veten në shumë aspekte. Mirëpo, përkundër kësaj Eset Ibishi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk u thyen, nuk u ligështuan, por ishin në gjendje të ndërmerrnin veprime dhe me të rrezikshme kundër armikut.

Erdhi momenti kur duhej rikonsoliduar radhët e Brigadës 141. Me këtë rast nga komandanti Zymer Halimi-Besi u dha ideja për formimin e një njësie të re, Njësisë Speciale. Pjesë e kësaj njësie u bënë ushtarët më të zgjedhur e me të përkushtuar. Pjesë e saj u bë edhe Eset Ibishi. Ne që ishim pjesë e kësaj njësie që nga dita e parë, kemi çfarë të themi për shkathtësitë që tregoi Eseti gjatë stërvitjeve jashtëzakonisht të vështira në kuadër të Njësisë Speciale, të cilat i ideoi, organizoi dhe i udhëhoqi vetë Zymer Halimi-Besi, tash gjeneral në FSK, ndërsa pas vrasjes së Xhevat Jusufit dhe plagosjes së komandant Besit, Njësinë Speciale e komandon Shemsi Ahmeti. Edhe gjatë stërvitjeve, edhe nëpër aksione në brendësi të pozicioneve të armikut, edhe në vijën frontale nga Shala deri në Qyqavicë u shqua Eset Ibishi. Më saktë ai mori pjesë pothuaj në të gjitha betejat që u zhvilluan në rajonin e Shalës së Bajgorës, ku ndër të tjera duhet veçuar Betejën e Mazhiqit, Trepçalive, Melenicës, Pretenit, Majdanit, Rahovës etj. Gatishmëria e Eset Ibishit për t’i dalë zot atdheut, për t’iu gjendur në momente më të vështira shokëve dhe për të hyrë në flakë pa iu trembur syri është dëshmuar çdo herë. Se është kështu po evokoi fillimisht një kujtim nga Beteja e Majdanit.

Ishte dita e 25 prillit të vitit 1999. Po kalonin javë ku përgjatë Lagjes Cenaj dhe Kodrës së Majdanit po zhvilloheshin luftime të ashpra mes njësiteve të UÇK-së të Brigadës 141 dhe forcave të armikut. Atë ditë intensiteti i luftimeve po arrinte shkallën më të lartë. Ushtarët ishin pozicionuar përreth lagjes Cenaj, në kullë dhe përgjatë kodrës së Majdanit. Së bashku me Faruk Beqirin (tani dëshmor) dhe Fatmir Pecin na ra fati të vendosemi në pikën me të lartë të kodrës së Majdanit. Luftime të përgjakshme zhvilloheshin përgjatë gjithë vijës frontale. Diku kah mesdita e 25 prillit, së bashku me granatimet e artilerisë së armikut, mitralozave të këmbësorisë, pozicioneve tona iu shtua dhe rrebeshi i shiut dhe mjegulla… Shiun e mjegullën e shfrytëzoi armiku. E shfrytëzoi edhe disproporcionin enorm të forcave. Derisa po zhvilloheshin luftime, plagoset shumë rëndë Faruk Beqiri. Falë shkathtësisë së Fatmirit nisi tërheqja e Farukut të plagosur nëpër breshërinë e plumbave dhe të bombave të armikut. Derisa Fatmir Peci e tërhiqte me shpejtësi të rrufeshme të plagosurin, po bëja përpjekje ta mbroj me zjarr automatiku furinë e atyre që na sulmonin si me rrufe.

Armiku ishte shumë këmbëngulës që të kapte të gjallë trupin e Farukut, bashkë me të edhe ne të dyve. Fatmiri si një kuçedër nuk po ua jepte këtë kënaqësi. Unë numëroja fishekët e fundit. Me Fatmirin erdhëm para një dileme, në fakt para dilemës që na solli armiku. Para dilemës: O të shpëtonim të gjallë të plagosurin duke llogaritur edhe në fundin tonë, o ta lenim Farukun e plagosur në duart e armikut. E dyta as bëhej fjalë. Para plagëve e gjakut të Farukut duhej ta bënim të pamundurën. Po bënim përpjekjen e fundit për ta tërhequr, edhe pse granatat, mitralozët, bajonetat e armikut po na mbështesnin për murin e vdekjes. Po numëroja 10-12 fishekët e fundit të automatikut. Dhe një bombë në gjoksore. Po na afrohej laku në fyt. Bajonetat ishin sulur drejt nesh. Tymi, flaka, baroti, dheu, gurët hidheshin drejt nesh, mbi trupat tanë, mbi malin me plagë të plagosurit Faruk Beqiri. Ishim mes jetës dhe vdekjes. Para se armiku të na kapte të gjallë të treve, mu kujtua se kemi dhe një mundësi e shpresë krejtësisht të fundit: të kërkonim ndihmë nga bashkëluftëtarët Eset Ibishi dhe Basri Fazliu, që ishin më poshtë në të njëjtin vijë të frontit, ku po zhvilloheshin luftime. Thërras më zë emrat e tyre. Dhe m’u atëherë kur menduam se zgjidhja e vetme mbeti hiqja e siguresës së bombës për të hedhur veten në ajër, e çoi Zoti Eset Ibishin dhe Basri Fazliun të cilët po ngjiteshin me vrap kodrës përpjetë. Eseti me mitralozin e tij qëllonte pandërprere në forcat e armikut, duke i mbërthyer në zjarrin e vdekjes, ndërsa Basriu solli fishekët pa të cilët kishim mbetur por dhe trupin e tij për t’i kthyer mbrapsht ushtarët e paramilitarët e armikut.

Falë  ndihmës që na sollën Eset Ibishi dhe Basri Fazliu shpëtoi pa u zënë i gjallë Faruk Beqiri, shpëtuam me Fatmir Pecin, por përkohësisht ra pozicioni ku ishim ne të tre. Të plagosurit iu dha ndihma e parë. Çështje më vete ishte kthimi i pozicioneve. Dhe pozicionet u kthyen falë ndërhyrjes së shpejt të jashtëzakonshme që bëri vetë komandanti i Brigadës Hysni Ahmeti, i cili pothuaj me gjithë stafin e komandës së Brigadës u fut në flakë për të na nxjerrë nga rrethimi bashkë me komandant Shemin dhe bashkëluftëtarët tjerë, sepse armiku pothuaj na kishte futur ne rreth. Mirëpo, Brigada pësoi goditjet tjetër shumë të rëndë, me ç ‘rast u plagos shumë rëndë komandanti i Njësisë për Intervenime të Shpejta, Rexhep Suma. Megjithatë pozicionet u kthyen.

Raste kur Eset Ibishi u doli në krah bashkëluftëtareve ka plot. Se është kështu po e përmendim edhe një rast. Po në Majdan, një ditë më vonë, pra me 26 prill 1999, në luftime përgjatë kodrës së Majdanit do të bie heroikisht 6 dëshmor: komandanti Shemsi Ahmeti, Arsim Muzaqi, Rrustem Hyseni, Ahmet dhe Xhemajl Haxha dhe Asllan Cimili, ndërsa do të plagosen: Ismail Istrefi, Mustaf Ibishi dhe Bajram Peci. Dhe një nga më të shkathët, i cili i tregoi veten edhe një herë ishte Eset Ibishi. Ishte zjarri i mitalozit të tij dhe shokëve të tij, ishte shkathtësia e tij dhe e shokëve që në zjarrin e luftës të mesnatës së 26 prillit 1999 u bë e mundur tërheqja e trupave të pa jetë të bashkëluftëtarëve që kishin marrë rrugën e përjetësisë, të cilat armiku dëshironte me çdo kusht t’i kapte. Por nuk ia arriti. Jo vetëm kaq.

Me 21 dhe 22 prill 1999, kur Brigada 141 “Mehë Uka” ndërmori një operacion për të sulmuar dhe hyrë në bazën ushtarake serbe në Kutllovc, aty ishte dhe Eset Ibishi. Dhe nga ky operacion në bazën ushtarake serbe në Kutllovc, u morën rreth 80 mijë copë fishekë kalibrash të ndryshëm, predha murtajash, minahedhësish dhe një sasi e armatimit. Edhe aty ishte Eset Ibishi. Dhe këto ishin vetëm disa nga ndërmarrjet, aksionet, veprimet luftarake dhe sakrificat që bëri Eset Ibishi për lirinë e atdheut dhe të kombit.

Pas luftës luftëtari, Eset Ibishi ishte inkuadruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërkohë që më 30 shtator të vitit 2000 ndahet tragjikisht nga jeta në një aksident komunikacioni.

Miftar Kurti

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 - 18.10.1998)

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 – 18.10.1998)

Menjëherë pas krismave të para të lirisë në Prekaz e Gllogjan në mars të vitit …