Shpëtim Zeqir Robaj (15.10.1957 - 30.9.1998)

Shpëtim Zeqir Robaj (15.10.1957 – 30.9.1998)

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krahas rinisë përparimtare liridashëse të Kosovës dhe të mbarë trojeve shqiptare iu përgjigjen edhe disa punëtorë humanitarë dhe mjekë të njohur si: Shpëtim Robaj, Lec Leci-Gradica, Hafir Shala( i zhdukur), Izet Hima, Igballe Oshlani, Vesel Elezi, Blerim Dema, Fahredin Hoti, Masar Radoniqi, Faton Huma, Nuredin Zejnullahu, Xhevat Gashi, të gjithë të rënë gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në detyrë të mjekut, duke shëruar plagët e luftëtarëve të lirisë apo pjesëtarët e popullatës civile, e cila ishte vënë në shënjestër të shfarosjes nga regjimi okupator serb. Një kontribut të veçantë në ndihmën dhe trajtimin mjekësor të luftëtarëve të lirisë dhe të popullatës civile kanë dhënë edhe mjekët e mirënjohur: Fadil Beka, Gani Halilaj, Fitim Selimi, Elmi Krasniqi, Vezir Bajrami, Jakup Ismajli, Isa Haxhiu, Ali Zatriqi, Tefta Ahmeti, Bajram Rexhepi, Naser Bytyqi, Agim Hazrolli, Reshat Gashi, Teuta Hadri, Lutfi Dërvishi e shumë të tjerë. Në mesin e mjekëve dhe punëtorëve humani- tarë shquhej sidomos Shpëtim Robaj, i cili bie në krye të detyrës, më 30 shtator të vitit 1998.

Shpëtim Robaj lindi më 15 tetor të vitit 1957 në Prizren. Rrjedh nga një familje e varfër e fshatit Astrazub të Malishevës. Ishte i biri i Zeqir Robajt dhe Hyrije Buçajt, të cilët me mund e sakrifica rriten dhe edukuan bijtë: Shpëtimin e Gazmendin dhe bijën, Afërditën. Mësimet fillestare i mori në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku asokohe ishte shpërn- gulur familja e tij. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Gjimnazin “Sami Frashëri” (ish-“Ivo Llolla Ribar”) me sukses meritor.

Kreu me sukses edhe Fakultetin e Mjekësisë po në Prishtinë. Ka punuar mjek i praktikës së përgjithshme në fshatin Tërpezë të Malishevës dhe në fshatin Arllat të Drenasit. Ndërkohë pranohet në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme, në drejtimin e Anesteziologjisë.

Pasi kryen specializimin në Shkup dhe në Rjekë, pranohet asistent i lëndës së Kirurgjisë së Përgjithshme në “Fakultetin e Mjekësisë” në Prishtinë. Pas dëbimit të mjekëve shqiptarë nga Qendra e Përgjithshme

Spitalore e Prishtinës dhe nga spitalet e tjera, nga regjimi i Milosheviqit, doktor Shpëtim Robaj, së bashku me Abdirrahim Idrizin nga Tetova, themelon në Prishtinë poliklinikën “Galaksia”, e cila ndihmoi në trajtimin e shëndetit të popullit shqiptar të Kosovës, në kohën kur në spitale dhe qendra shëndetësore ishte instaluar administrata e dhunshme e okupatorit serb. Kjo pikë shëndetësore private filloi të zgjerohej me barna, mjete dhe pajisje teknike, të cilat në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të

Kosovës u vunë në shërbim të përkujdesjes mjekësore në pikat shëndetësore dhe në spitalet ushtarake të luftës.

Shpëtim Robaj, duke qenë mjek atdhetar dhe humanist i shquar qysh në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shfaq interesim për të ndihmuar luftën dhe të plagosurit. Me këtë qëllim patriotik, pa vonuar kontakton me drejtuesit e Spitalit ushtarak në Likoc të Drenicës qysh në prill të vitit 1998, përmes Imer Halimit. Ndihma e tij si anesteziolog në shërimin e luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK -së, ishte e pazëvendësueshme, meqë pikat shëndetësore nuk kishin pajisje të tilla të domosdoshme. Merita e tij është blerja dhe vendosja e teknikës së Rentgenit me pajisjet përkatëse në Likoc, teknika u bart nga Zenel Kastrati dhe Shaban Hoxhaj.

Pasi njoftohet se në Gllarevë, atë kohë ishte plagosur rëndë komandant Mujë Krasniqi, Shpëtimi së bashku me Rizah Binishin, Isuf Telakun e mjekë të tjerë mori pjesë në shërimin e komandant “Kapuçit”, ne Likoc. Së bashku me mjekun Osman Sejfiaj ka marrë pjesë edhe në shërimin e plagëve të dëshmorit të kombit Yll Morina, së bashku me Ilir Tolajn, Eshref Osmanin dhe Imer Aliun, i cili asokohe ndodhej në pikën shëndetësore të fshatit në Kryshec.

Në pranverë dhe në verë të vitit 1998, Shpëtim Robaj merr pjesë në trajtimin mjekësor dhe në shërimin e shumë luftëtarëve të lirisë, por edhe të pjesëtarëve të popullatës civile në Breshanc, Ponorc, Gradicë, Senik, Gajrak dhe në pika të tjera shëndetësore të luftës. “Shpëtimi ka bërë hapin e parë edhe në angazhimin e personelit të shquar mjekësor në ndihmë të luftës dhe luftëtarëve të lirisë. Angazhimi i tij në këtë drejtim ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse ai tashmë kishte vizituar dhe kishte ndihmuar në

të gjitha zonat e luftimeve”, thotë veprimtari i njohur i luftës, Shaban Hoxha, i cili me doktor Shpëtimin kishte kaluar nëpër shumë rreziqe, sidomos në verë të vitit 1998. Doktor Shpëtimi tashmë njihej si mjeku i luftës, por edhe si punëtor humanitar, i cili mbante lidhje të ngushta me organizatat “Kryqi i Kuq:’, “Mjekët pa kufij” e organizata të tjera humanitare që vepronin në Kosovë dhe të cilat shpërndanin barna dhe pajisje medicinale.

Me të dëgjuar lajmin për masakrën, që kishin kryer forcat ushtarake dhe policore serbe kundër familjes Deliu, në fshatin Abri të Drenicës, ku qenë masakruar 24 anëtarë të kësaj familjeje, Shpëtim Robaj së bashku me mjekët: Cen Bytyçi, Ilir Tolaj, Osman Sejfijaj, Ymer Aliu dhe me një ekip të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të cilin e udhëhiqte Margaret Braison, nga Zelanda e Re dhe vozitësja, Kler, niset në drejtim të Abrisë, me qëllim për të ndihmuar të plagosurit e shumtë.

Më 30 shtator të vitit 1998, në hyrje të fshatit Likoc, në Abri të Ulët, kamioni i ndihmës mjekësore, të cilin e ngiste zonja Braison, bie në minat që i kishte vendosur forca armike serbe. Nga shpërthimi i fuqishëm, doktor Shpëtim Robaj merr plagë të rënda vdekjeprurëse, ndërsa plagosen edhe kolegu i tij mjeku Ilir Tolaj, zonja Margaret Braison dhe Linda Bunjaku, nga Prishtina.

Në ato momente kritike në vendin e shpërthimit të minës së vendosur nga forcat serbe arrijnë dy vetura ndërkombëtare, njëra e UHNCR-së dhe tjetra e KDOM-it.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët përmes radiolidhjeve mbanin kontakte me forcat serbe, pasi shpjegojnë rastin, kërkojnë një helikopter të armatës serbe, me qëllim për t’i dërguar sa më parë në Prishtinë mjekët e plagosur. Helikopteri kishte vonuar më shumë se dy orë, duke bërë manovrime dhe kishte arritur pasi kishte ndërruarjetë, mjeku dhe humanisti, Shpëtim Robaj.

Lajmi për rënien e doktor Shpëtimit u prit me pikëllim në familje dhe te kolegët e tij, mirëpo nuk mungoi as krenaria e ligjshme, sepse ai kishte rënë në krye të detyrës, si mjek humanist por edhe si mjek i luftës së UÇK -së.

Shpëtimi ka lënë, vëllanë Gazmendin dhe motrën, Afërditën, bashkëshorten Firdezen, birin, Memlin dhe bijën Erëlehtën.

Familja Robaj ka marrë mirënjohje për dëshmorin, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, nga shoqatat humanitare shëndetësore etj. Shtëpia e Shëndetit në Malishevë mban emrin e dëshmorit. Për jetën dhe veprën e dëshmorit Shpëtim Robaj është shkruar monografia e titulluar “Dr. Shpëtimi shpëtimtar jete” nga autorët: Ilaz Metaj dhe Ali Llunji.

Ishte në përgatitje të magjistraturës. Kishte në përgatitje një libër me përmbajtje profesionale. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 - 28.9.1998)

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)

Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një …