Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të komunës së Vitisë. Ditët e fëmijërisë i kaloi në një rreth të gjerë bashkëmoshatarësh të fshatit e të kushërirëve. Duke qenë me moshë të përafërt, veçanërisht i lidhur ishte edhe me dy djemtë e tezeve, Bilall Sherifi e Qamil Xhemaili. Si më i vogël, ky djalë i shëndetshëm, i shkathët e inteligjent, ishte i pandashëm nga vëllai i vetëm e më i madh, Gurseli. Raportet midis këtyre dy vëllezërve, në vitet e mëvonshme u bënë edhe më tepër se vëllazërore. Në vitet e pjekurisë së tyre, ata do t’i lidhë jo vetëm qumështi i dikurshëm i të njëjtit gji të nënës, por edhe ideali i lirisë së kombit e të Kosovës. Prandaj, Bajrami do t’i qëndrojë përkrah Gurselit edhe në kohën e veprimtarisë së fshehtë atdhetare, edhe në punë, edhe në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe në çastet e fundit madhështore të jetës, në momentin e rënies. Sot këta dy vëllezër dëshmorë qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit edhe në lapidarin që dëshmon lavdinë e tyre, i ngritur në hyrje të fshatit të lindjes, si dhe në kujtesën liridashëse të popullit shqiptar.
Meqenëse në Sadovinë ishte vetëm cikli i ulët katërveçar i shkollës fillore, klasat vijuese të shkollës fillore, dëshmori Bajram Sylejmani i kreu në fshatin fqinj, Gushicë. Në Viti ndoqi mësimet e shkollës së mesme, në drejtimin shkencor të gjimnazit. Në të dy këto faza të shkollimit, ai u dallua me zgjuarsi, duke shfaqur një interesim të veçantë dhe sukses të dalluar në lëndët e shkencave të natyrës.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, regjistroi degën e gjeologjisë në Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik të Mitrovicës, të cilin, po ashtu e kreu me sukses të dalluar dhe në afatin e rregullt. Ndonëse kuadër i kërkuar i kësaj dege të shkencave teknike, Bajrami, sikurse as vëllait të tij, Gurselit, nuk iu dha mundësia të punojë në profesionin për të cilin ishte përgatitur. Në vitet nëntëdhjetë të shekullit që shkoi, për plotësimin e nevojave të familjes ai punoi së bashku me Gurselin në dyqanin-atelie në Ferizaj. Derisa Gurseli, krahas punëve të tjera realizonte edhe vepra arti të pikturës, nga bota e artit nuk po ndahej as Bajrami. Ai e pëlqente fotografinë artistike, prandaj aparati fotografik, për të ishte bërë mjeti i dytë i punës.
Derisa Bajrami ishte nxënës i shkollës së mesme, vëllai i tij, Gurseli, u arrestua nga policia e atëhershme jugosllave dhe në fund të vitit 1983 u dënua me 8 vjet burg për shkak të veprimtarisë së organizuar kundër kolonizatorit jugosllav. Arrestimi dhe dënimi i Gurselit ishte një goditje e rëndë për prindërit e tij, për pesë motrat: Arifen, Fetinë, Mevluden, Bahrinë e Saninë, e në veçanti për Bajramin, për të cilin ai ishte mbështetje e pazëvendësueshme, por edhe lidhja e tij kryesore me qarqet e organizuara të të rinjve. Megjithatë, kjo goditje nuk e dobësoi shpirtin e këtij të riu, por tek ai profilizoi edhe më qartë birin e devotshëm të Kosovës. Ai, tashmë mbante kontakte me një rreth të caktuar shokësh, siç ishin, Sami Hajrullahu, Qamil Xhemaili, Bilall Sherifi e të tjerë dhe ishte në rrjedhë të të gjitha ngjarjeve të asaj kohe. Po ashtu, ai tashmë po e njihte përditë e më thellë edhe karakterin barbar të pushtuesit serb me të cilin po ballafaqohej drejtpërdrejt, gjatë vizitave të bëra vëllait, në burgjet pothuajse anekënd Serbisë. Bajrami, gjatë këtyre vizitave, Gurselin e informonte me gjuhën e Ezopit, për zhvillimet në Kosovë.
Si rezultat i angazhimit të tij në qarqet ilegale, në vjeshtë të vitit 1988, në radhën e shumë veprimtarëve të lëvizjes kombëtare të asaj kohe, policia sekrete jugosllave e arrestoi edhe dëshmorin Bajram Sylejmani. Në këtë rast ishte arrestuar edhe Gurseli, i cili kishte dalë nga burgu disa muaj më parë. Bajrami u mbajt në arrest, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatën ilegale ku bënin pjesë shumë shokë të tij, siç ishin Beqir Beqa, Nazife Xhemaili, Qamil Xhemaili, Minire Ramadani, Njazi Beqa e të tjerë. Në mungesë provash, nga burgu u lirua pas tre muaj hetimesh.
Fundi i viteve 80 dhe fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar, në planin e zhvillimeve kombëtare në Kosovë, u karakterizua me ngjarje të shumta. Lëvizja e rezistencës kombëtare kundër shtypjes serbe mori një dimension të ri. Ajo u masivizua në shkallë kombëtare, prandaj, kolonizatori serb po ballafaqohej me protesta e demonstrata të fuqishme të shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë formë të kundërshtimit të pushtuesit, po merrte pjesë edhe Bajram Sylejmani.
Gjithnjë i pandashëm me të vëllanë, Gurselin, në vitet 90, deri në momentin e hyrjes në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmori Bajram Sylejmani, për nevojat ekonomike të familjes punoi në një dyqan atelieje në Ferizaj, ku bëri mbishkrime reklamash, kartëvizitash e punime të ndryshme për treg. Në këtë kohë ai kishte krijuar familjen e ngushtë dhe në bashkëshortësi me shoqen e jetës, Lumnien, i lindin Gentriti e Lirijona, të cilët po i jepnin një kuptim të ri jetës së tij.
Një kuptim të veçantë, jetës së Bajram Sylejmanit, i dha edhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mori në duart e veta fatin e Kosovës së robëruar të asaj kohe. Kjo ngjarje nuk ishte e papritur për të, pasi edhe vetë kishte qenë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’i dhënë fund robërisë.
Në maj të vitit 1998, policia serbe e kishte vënë në shënjestër vendin e punës ku punonin vëllezërit Bajram e Gursel Sylejmani. Duke parë këtë interesim të policisë së armikut, ata vendosin që fillimisht të hidhen në ilegalitet, ku do të angazhohen për formimin e njësiteve të UÇK-së në trevën e Ferizajt. Një kohë të caktuar qëndruan në fshatin Greme, të angazhuar së bashku me Rexhep Bislimin, Ahmet Hoxhën, Enver Topallin, Imri Ilazin, Ylber Topallin e shokë të tjerë, për organizimin ushtarak dhe formimin e nënzonës operative të Neredimes. Mirëpo, në gjysmën e dytë të muajit qershor, në Ferizaj u ndërmor fushatë e përndjekjes policore tëj veprimtarëve shqiptarë, me ç’rast u arrestuan Ahmet Hoxha, Rexhep Bislimi, Enver Topalli, Sylejman Bytyçi, Skënder Ferizi, Ylber Topalli e veprimtarë të tjerë. Kjo fushatë kushtëzoi që Bajrami, së bashku me Gurselin e me shokë të tjerë të shkojë në zonën e kontrolluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht në pikën ushtarake të Papazit. Më 14 korrik të vitit 1998, hyn në radhët e njërit prej njësiteve të para të UÇK-së, të cilat ato ditë formuan pikat e reja ushtarake në Jezerc. Nga pozicionet e këtyre pikave, ai së bashku me shumë shokë të armës, të cilët edhe ranë në të njëjtën betejë, si Sejdi Sejdiu, Nazmi Ukëzmajli, Kemajl Hetemi, Bashkim Vishi, Nazim Terziu, Arsim Zeqiri, Lulëzim Guta e të tjerë, u hap zjarr mbi forcat e armikut, sa herë që ato u përpoqën të depërtojnë në zonën e operimit të njësiteve të UÇK-së.
Një sprovë e rëndësishme në artin e shkëmbimit të plumbave me armikun, për Bajramin ishte beteja e 16 korrikut të vitit 1998, e zhvilluar në Jezerc, me rastin e sulmeve të forcave serbe, fill pas vendosjes së dy skuadrave të UÇK-së në këtë pikë lufte. Në fushën e kësaj beteje ra dëshmori Nazmi Ukëzmajli. Dëshmori Bajram Sylejmani u dëshmua luftëtar trim e i shkathët, me emrin e luftës Fatmiri. Në këtë kohë ai ishte emëruar në krye të skuadrës së parë.
Pas formimit të batalionit të parë në nënzonën e Neredimes, i komanduar nga Imri Ilazi (komandant Ferri), në krye të Togës së Parë të Kompanisë u emërua dëshmori Bajram Sylejmani. Në këtë pozitë komanduese ai ishte edhe në çastin e rënies më 28 shtator të vitit 1998, në Jezerc, te vendi i quajtur Te livadhet.
Më 26 shtator të viit 1998, pasi kishte grumbulluar forca të shumta, pushtuesi sulmoi në drejtim të Jezercit, nga të gjitha drejtimet: nga Neredimja, Gremja, Pleshina, Zaskoku, Zhupa e Siriniqit, Kodra e Shtimes, Carraleva dhe nga drejtimi i Budakovës, ku tashmë kishin arritur të depërtojnë forcat e armikut. Njësitet e UÇK-së të vendosura në Jezerc ishin vënë në gjendje gatishmërie për të mbrojtur deri në fund pozicionet e tyre. Luftime të ashpra vazhduan deri në pasditen e 28 shtatorit. Heroizmi i çlirimtarëve ishte i madh. Rënia e pozicioneve të tyre ndodhi vetëm pas mbarimit të municionit, vetëm pas një epopeje të lavdishme dhe pas rënies në fushën e nderit, të dëshmorëve Bajram Sylejmani, Arsim Zeqiri, Sejdi Sejdiu, Salih Baliu, Gursel Sylejmani, Bashkim Vishi e Lulëzim Guta, të cilët ishin të pozicionuar në dy pika ushtarake. Në pikën e parë, në lindje të Jezercit ishte i pozicionuar Bajrami me bashkëluftëtarë. Shënjestra e të gjitha llojeve të armëve të rënda të armikut, së pari ishte orientuar te kjo pikë. Pas një rezistence të fuqishme e heroike, Bajrami hyn në përjetësi. Disa çaste më vonë, në pikën tjetër ushtarake të UÇK-së bie Gursel Sylejmani.
Dëshmori Bajram Sylejmani u varros në Jezerc. Pas mposhtjes së pushtuesit serb, më 12 shtator të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj.
Sot, në lapidarin madhështor të ngritur në fshatin e lindjes, në Sadovinë, ndriçojnë si dy yje mëngjesi, figurat e vëllezërve dëshmorë, Bajram e Gursel Sylejmani. Emri i tyre shkëlqen edhe në mbishkrimin e Shtëpisë së Kulturës në Viti, të kazermës së TMK-së në këtë qytezë e në emra rrugësh të qyteteve tona. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 - 28.9.1998)

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)

Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një …