vipa
vala – old
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Jeton Zeqir Dabiqaj (29.1.1975 – 5.6.1998)
Jeton Zeqir Dabiqaj (29.1.1975 – 5.6.1998)

Jeton Zeqir Dabiqaj (29.1.1975 – 5.6.1998)

Dëshmori i kombit Jeton Dabiqaj u lind më 29 janar të vitit 1975 në fshatin Prejlep të komunës së Deçanit, në një familje atdhetare. Prindërit Zeqir Idriz Dabiqaj dhe Cyme Halil Përgjegjaj (nga fshati Lumbardh), i lindën tetë fëmijë, pesë djem e tri vajza: Idrizin, Mujën, Kimeten, Nurijen, Sokolin, Ymranin, Jetonin dhe Zyrafeten.

Shkollën fillore, Jetoni e kreu në Prejlep në sh. f. “Sylejman Vokshi”, ku ishte nxënës i dalluar. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërsa studimet nuk i vazhdoi për shkak të përndjekjes nga policia serbe, e cila kishte lëshuar fletarrest për të, me pretekstin e armëmbajtjes pa leje. Në rrethana të tilla, në vitin 1995, Jetoni ishte detyruar të largohej nga Kosova në Gjermani e më pas në Zvicër, ku qëndroi deri në vitin 1998.

Pas Betejës së Prekazit, në fillim marsin e vitit 1998, Jetoni me disa shokë të tjerë kishte vendosur të kthehej në Kosovë që t’u bashkohej radhëve të luftëtarëve të lirisë. Në muajin prill 1998, nëpërmjet Shqipërisë kthehet në vendlindjen e tij, ku bashkë me vëllezërit i bashkohet njësitit të UÇK-së në Shtabin Lokal të UÇK-së në Prejlep. Banorët e fshatit, duke e parë të vetmin shpëtim te armët e lirisë, pa asnjë hezitim që në fillim të muajit prill, njëzëri iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri, duke u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 20 prill 1998, 69 luftëtarë prejlepas, në mesin e të cilëve ishte edhe luftëtari Jeton Dabiçaj, nisen drejt Shqipërisë për të siguruar armatimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për luftën. Mirëpo, në të kthyer për në Kosovë, më 27 prill, në vendin e quajtur “Sergun”, në afërsi të fshatit Voksh, bien në pritën e forcave ushtarakopolicore serbe, ku për më se gjashtë orë radhazi zhvillohen luftime të rrepta. Atë ditë u granatuan pandërprerë fshatrat Voksh dhe Hulaj. Në këto luftime tepër të pabarabarta ranë dëshmorë: Sadri Azem Latifaj (35), Haxhi Mustafë Tolaj (38) e Edmond Hysni Dabiçaj (21), ndërkaq u zunë rob nga forcat serbe: Fadil Dabiqaj, Hysen Latifaj, Bedri Kukalaj dhe Armend Mazrekaj, të cilët u dënuan me dënime drakonike prej 8 deri 17 vjet burgim, ku përjetuan ferrin nëpër kazamatet serbe që nga Nishi, Dubrava (ku i mbijetuan masakrës së tmerrshme mbi të burgosurit shqiptarë), Burgu Qendror i Beogradit, Mitrovica e Sremit e gjetiu, ku u torturuan edhe nga mjekët serbë. U liruan në muajin mars të vitit 2002, të dërmuar nga torturat.

Falë qëndresës heroike të dëshmorëve të rënë në këtë betejë dhe të tjerëve, pjesa tjetër e grupit të luftëtarëve arrijnë të çajnë rrethimin dhe të kthehen në vendlindjen e tyre në Prejlep. Në mesin e tyre ishte edhe Jetoni. Kësaj radhe, si rrallëherë tjetër, ushtria serbe pranoi të kenë pasur humbje në radhët e veta: katër ushtarë të vrarë dhe shtatë të tjerë të plagosur, dy prej të cilëve rëndë, të cilët nga spitali i Gjakovës i transferuan me helikopterë ushtarakë për në spitalin ushtarak të Nishit. Ushtarët serbë të vrarë e të plagosur i takonin karakollit “Gjeneral Iliq” të fshatit Hulaj, që ishte një ndër pikat më strategjike të ushtrisë serbe, ku vetëm dy ditë më parë, në mbrëmjen e 25 prillit, ishin vendosur forca ushtarake shtesë, me 30 tanke dhe 40 kamionë me ushtarë.

Pas kësaj, vija e frontit në fshatin Prejlep të Deçanit, ishte njëra ndër pozicionet më të pathyeshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila asnjëherë gjatë luftës nuk u thye nga forcat armike, edhe pse sulmet ndaj këtyre pikave ishin të përditshme. Në këtë mes, Jeton Dabiqaj luftoi heroikisht në pozicionet e luftës në Prejlep, ku sulmet e forcave serbe ishin të përditshme, edhe atëherë kur më 24 maj 1998 u bllokua rruga magjistrale Deçan-Gjakovë, luftoi e u dallua edhe në betejën e përgjakshme kur fshati u bombardua njëherësh me aeroplanë luftarakë, që shënon edhe betejën e përjetësisë së dëshmorit.

Atë ditë të 5 qershorit 1998, kur pozicionet e UÇK-së në këtë fshat, përveç sulmeve me artileri të rëndë e forca të shumta të këmbësorisë së ushtrisë serbe, që sulmuan nga drejtimi i Gjakovës dhe ai i Deçanit, në pamundësi për të mposhtur luftëtarët e UÇK-së, aktivizuan njëkohësisht edhe katër avionë luftarakë për sulm. Jetoni ishte i pozicionuar në lagjen Dabiqaj të fshatit, duke luftuar me heroizëm e vendosmëri të lartë. Ndërkohë në këtë pikë të frontit goditet dhe plagoset rëndë nga një predhë e artilerisë së armikut.

Jetonin e plagosur bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin dhe ta dërgojnë në Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Irzniq, por meqë kishte gjakderdhje të madhe, i vëllai Muja bashkë me nipërit vendos ta dërgojë në spitalin e qytetit të Pejës. Ata e dërgojnë deri në fshatin Loxhë të Pejës, që ishte zonë e kontrolluar nga UÇK-ja, prej nga për në Pejë nisen ta dërgojnë Dinë Shala nga Loxha dhe një infermiere e familjes Balaj nga Strellci, por fatkeqësisht pa arritur ende në spital ata kishin rënë në postbllokun e policisë serbe, me ç’rast Jetonin e plagosur rëndë e dërguan në spital dhe dy përcjellësit e tij i arrestuan dhe i keqtrajtuan. Prej andej Jetonin e kishin dërguar në repartin e Kirurgjisë në Prishtinë. Ai nuk kishte dalë i gjallë nga salla e operacionit, ku po e operonin mjekët serbë.

Motra e dëshmorit, Kimetja, me vështirësi të mëdha kishte arritur ta sillte trupin e të vëllait deri në fshatin Lumbardh të Deçanit, ku më 8 qershor 1998, u bë varrimi i dëshmorit me nderime të larta ushtarake.

Pas përfundimit të luftës, më 3 shtator 1999, dëshmori Jeton Dabiqaj u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të kombit në Prejlep, së bashku me bashkëluftëtarët dëshmorë vëllezërit Gazmend e Blerim Lokaj dhe Beqir Qufajn, me nderime të larta ushtarake e popullore. Dy vjet pas rënies, më 5 qershor 2000, kujtimi i dëshmorit u përjetësua me pllakë përkujtimore në vendin ku mori plagët që i dhanë pavdekësinë. Në shenjë kujtimi e nderimi për dëshmorët e martirët e Prejlepit aty ku janë të varrosur dëshmorët e kombit është ngritur memoriali madhështor me kullën e qëndresës, ku është portretizuar e përjetësuar denjësisht edhe dëshmori i kombit, Jeton Dabiqaj.

Jetoni nuk ka qenë i martuar. Pas vetes ka lënë nënën, Cymën, vëllezërit, motrat, nipat e mbesat. Familjes së dëshmorit i janë ndarë mirënjohje të shumta për djalin e vëllanë dëshmor, si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes e TMK-së, Komuna e Deçanit, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Armend Tafil Kukleci (1.10.1975 - 14.6.1998)

Armend Tafil Kukleci (1.10.1975 – 14.6.1998)

Armend Kukleci u lind më 1 tetor të vitit 1975 në Pejë. Rrjedh nga një ...