Me të drejtë dyshon populli, dyshoj edhe unë!
Zvërneci i shqiptarëve apo i ardhacakëve?
Shtrohen shumë pyetje dhe pikëpyetje me dyshime:
- Pronë private apo publike?
- Vend i mbrojtur apo mund të tjetërsohet me një të rënë të lapsit?
Do të më thoni se investitori po derdh miliarda për këtë vend. Por kush janë këta? Kush i solli? Kush bën pazar me tokat e Shqipërisë? Kush përfiton? Përse duhet të shitet toka e Shqipërisë për përfitime?
Me siguri, po ta kishte shitur gjyshi im tokën e tij prej dhjetëra hektarësh, do të kishte jetuar më mirë dhe do të kishte përfituar më shumë gjatë jetës së vet. Por ai e ruajti dhe ia la babait tim, e ky na e trashëgoi neve. Edhe sot e kemi tokën nën gurin e Diellorit (Dollocit), që nga shekulli VII, kur aty kanë jetuar të parët tanë. Edhe sot ajo është në pronësinë tonë.
Ne mund ta shesim dhe të pasurohemi, mund të bëjmë një jetë më të mirë, por trashëgimtarëve nuk do t’u mbetej asgjë.
Qeveria e Shqipërisë duhet të nxjerrë ligje që të mos u shitet toka të huajve. Nuk është e drejtë që pasardhësit t’i lëmë pa tokë.
Nuk mjafton t’u kërkojmë leje vetëm atyre që janë gjallë sot, por duhet të mendojmë edhe për ata që do të lindin pas qindra e mijëra vitesh.
Unë nuk kam qenë kurrë në Zvërnec dhe nuk kam para ta blej, qoftë edhe një dynym. Por nuk jam dakord që miliarda dollarë e kilogramë ari të më sjellin në shtëpi, ndërsa dikush i huaj të marrë 300 hektarë tokë. Jo 300 hektarë, por as një metër katror.
Nëse për asgjë tjetër nuk do të kisha të drejtë të ndërhyja në punët e Shqipërisë, për këtë kam. Tokat dhe shqiptaria nuk guxojnë të shiten, sepse janë mbrojtur me gjak ndër shekuj.
Më mirë të varfër me atdheun dhe tokat tona, sesa të pasur e të huajt ta posedojnë tokën tonë, ndërsa ne të sillemi si nomadë nëpër botë.
Pa shkuar shumë larg, vetëm nga Lufta e Dytë Botërore kemi 28.000 dëshmorë të luftës antifashiste, bashkë me mbi 3.000 dëshmorë të UÇK-së dhe 13.500 viktima të luftës në Kosovë. Kjo tokë është larë me gjak.
Gjaku është derdhur për mbrojtjen e atdheut, që të mos na e marrin të huajt.
Edhe atëherë kishte bashkëpunëtorë të pushtuesve që nuk donin të derdhnin gjak dhe e arsyetonin pushtimin me mirëqenie materiale e jetë më të lehtë.
Atëherë pse luftojnë popujt për ta ruajtur atdheun? Me siguri që luftojnë për të mos ua marrë kush tokën. Luftohet për çdo kodër e përrua, për çdo kasolle e metër katror. Për këto jepet jeta.
Po të kërkohej vetëm mirëqenia, tokat do të dorëzoheshin pa luftë, në këmbim të disa përfitimeve materiale. Por ku do të mbeteshin pasardhësit? Cili do të ishte atdheu i tyre?
Pushtimi me luftë vjen me dhunë dhe gjakderdhje. Ndërsa pushtimi me para nuk ka gjakderdhje, sepse ta ngrin gjakun në zemër.
Unë e di se kam të drejtë të flas për Zvërnecin dhe për çdo tokë shqiptare, ndoshta më shumë se qeveritë, sepse kam derdhur gjak për lirinë, edhe pse në distancë.
Sepse është i njëjti atdhe, qoftë në Budakovë apo në Zvërnec.
Sadik Halitjaha
04 qershor 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
