Albin Kurti flet për gazifikimin e qymyrit, ndërsa SHBA i ofron Kosovës rrugë tjetër energjetike

Teksa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, premton gazifikimin e qymyrit si projekt strategjik për mandatin e ardhshëm, mesazhi i fundit nga Shtetet e Bashkuara duket se shkon në një drejtim tjetër, duke favorizuar partneritetin energjetik me Amerikën përmes gazit natyror të lëngshëm. Kurti deklaroi se qeveria e ardhshme synon ta shndërrojë linjitin e Kosovës në gaz, përmes bashkëpunimit me kompani ndërkombëtare dhe ekspertë amerikanë e evropianë, duke e paraqitur projektin si zgjidhje për nevojat në rritje të ekonomisë për energji. Megjithatë, në të njëjtën periudhë, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, publikoi një mesazh të fortë diplomatik ku theksoi se Kosova gjendet përballë një zgjedhjeje strategjike për të ardhmen e saj energjetike. Në editorialin e saj, Prattipati nënvizoi se administrata e Donald Trump e konsideron prioritet reduktimin e varësisë energjetike të Evropës nga Rusia dhe i bëri thirrje Kosovës të hyjë në një partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në përmes LNG-së. Kritikët vlerësojnë se deklaratat e Kurtit mbeten në nivel premtimesh politike, ndërsa ende nuk është prezantuar ndonjë studim publik i fizibilitetit, kosto financiare apo afat konkret për realizimin e gazifikimit të qymyrit. Në anën tjetër, mesazhi amerikan shihet si një sinjal i qartë se Uashingtoni pret vendime strategjike që do ta lidhin Kosovën më ngushtë me interesat energjetike dhe ekonomike të Perëndimit.

Kontrolloni gjithashtu

515 të rinj betohen për Kosovën, Maqedonci paralajmëron përmbushjen e objektivit të FSK-së dy vjet më herët

515 të rinj kanë dhënë betimin solemn në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke u …