Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka këmbëngulur se partia do ta çojë deri në fund nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se ligji do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh. Përmes një postimi, Çitaku ka deklaruar se rikthimi i ligjit në Kuvend nuk përbën tërheqje nga nisma, por synon t’u japë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura dhe të forcojë bazën juridike të tij. “Brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, ka shkruar ajo. Çitaku ka pranuar se ekzistojnë shqetësime lidhur me këtë proces, duke thënë se PDK-ja i mirëpret kritikat e bazuara. Megjithatë, ajo ka theksuar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar nga dita kur propozoi dhe votoi ndryshimet ligjore. Sipas saj, si sponsorizuese e nismës, PDK-ja i ka dhënë procesit edhe katër javë kohë për të adresuar dilemat juridike dhe për të siguruar zbatimin e ligjit në praktikë. “Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka deklaruar Çitaku. Ajo ka insistuar se brenda PDK-së ekziston unitet i plotë për jetësimin e kësaj nisme, duke iu drejtuar edhe qytetarëve që protestuan dhe mbështetësve të ligjit me zotimin se partia nuk do të heqë dorë nga angazhimi i saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
