Sefer Pasha

Flet ish-shefi i Sigurisë së Gardës Sefer Pasha: Azis Nesin u shtang kur i tregova se, ballë për ballë me fshatin Kakavijë ndodhet shkëmbi Mao Ce Duni

-Kur ne kishim miqësi me kinezët shkruam me germa të mëdha në faqen shkëmbore parullën “Rroftë shoku Mao Ce Dun”

– Telefonata e papritur nga Sadija për Agollin në centralin e luftës të postës kufitare Kakavijë: Kujdes kur ti flasësh për Enverin

-Si i shpëtova mbulimit të Dritëro Agollit nga shoqërimi që i bënte  shkrimtarit turk Azis  Nesin

– Azis Nesin më dhuroi një çakmak floriri, por unë nga frika nuk e mora. Po ja jap Dritëroit më tha.

Albert Z. ZHOLI

–Me publicistin Sefer Pasha kam zhvilluar një bisedë para dy vitesh për vizitën e shkrimtarit turk Azis Nesin në Shqipëri. Në atë bisedë u ndala në vija të përgjithshme për lëvizjet e  Azisit në Shqipëri, ndërsa në këtë bisedë u ndala në momente të veçanta të vizitës së tij në Kakavijë sepse  duke qenë në kufi me Greqinë kishte shumë tension. Azisi lëvizte dhe bënte pyetje të shumta që të vinin në vështirësi pasi Dritëro Agolli dhe unë kishim porosi se si do vepronim. Në këtë vizitë Asiz Nesin pa me vëmëndje shumë detaje nga jeta e kufitarëve dhe  nga provokimet e ushtarëve grekë. Ja disa momente më pikante për këtë vizitë shumë të komentuar për kohën…

– Z. Sefer kemi folur shumë për vizitën e shkrimtarit turk Azis Nesin në Shqipëri, Por unë dua të ndalem që të bëni prezent disa nga bisedat më pikante, më  të vështira me të? Sigurisht duke qenë se ai ishte i shoqëruar nga Dritëro Agolli biseda me të ishte dhe më e vështirë…

Me Dritero Agollin njihesha qysh moti. Isha 21 vjeç kur tregimtari Koço Kosta më ftoi në darkën që ai shtroi në fshatin e tij në Suhë të Gjirokastrës. Bashkë me Dritëroin qe dhe Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Siç dëgjova në Suhë Dritëro Agollit i kishte ardhur një letër anonime, ku i thoshin se personazhi i Zylo Kamberit ishte bërë zyrtar dhe ndodhej në darkën e shtruar në Suhë. Koço Kosta në Suhë theri një dash sa një dem. E kishte blerë në fshatin Stegopul tek njerëzit e poeteshës Valentina Mosko. Në odën e tij Koço Kosta kishte thirrur sipas zakonit dhe të afërm të tij të cilët ja thoshin për këngë. Dritero Agolli nuk pritej. Atë natë fshati Suhë u gdhi në flakë. Në mëngjes në Suhë erdhi dhe kryetari i degës Marash Kola. Ai u habit që një punonjës i tij kishte qenë pjesë e zallamahisë. Në Suhë më dha dorën dhe nuk më tha asnjë fjalë. Kjo ishte e mjaftueshme për mua që ta dëgjoja me respekt Dritëro Agollin në vizitën e papritur që ai bëri në Kakavijë me shkrimtarin Azis Nesin.  Afër vendrojes Driteroi më tha se nuk kishin shumë kohë. Do të shkonin në Butrint të Sarandës. Driteroi më tha gjithashtu që Azis Nesnin ta çonim tek dogana e vjetër[në atë kohë dogana ishte sa një kasolle]. Unë e kundërshtova. Jo, i fola me zë të lart. Shkrimtari turk më duket si i marrosur i thashë prerë. Kam frikë se po ta çoj për kafe në doganë ai si njeri pa fre kalon gardhin me tela me gjemba dhe futet në doganën e Greqisë. Bëhet skandal dhe unë përgjigjem përpara ligjit. Për Azis Nesnin nuk paska shtet, as vijë kufiri dhe as piramida. Askush më parë nuk ka vepruar si ai. Nuk paska frikë nga armët dhe as nga gjeraqinat që të nxjerrin sytë. Mezi po pres që ai të largohet drejt Sarandës. Në të vërtetë nuk doja që në doganë Azis Nesin të takohej me një oficer që quhej Agim Zhulegu dhe shërbente aty. Zhulegu qe një oficer i pashëm. Më parë kishte qenë në Qafën e Prushit në Tropojë. Ai me pamjen e tij i çudiste serbët. Me urdhër të Mehmet Shehut e sollën në “doganën” e Kakavijës. Agimi i bënte pritjet dhe përcjelljet tek porta me tela. Edhe pse ishim në luftë atë e dashuronin femrat e Greqisë, të cilat vinin aty për vizitë. Një aktore e kishte shprehur dashurinë për oficerin shqiptar dhe në një televizion të Athinës. Agim Zhulegu nuk e çante kokën. I kishte krahët e ngrohtë. Nusja e tij, Zana, gjithashtu shumë e bukur, ishte lidhje e familjes së Hysni Kapos. Ç’më duhet mua i thashë vetes që ta lëroj arën me tre qe. Po ta takoj Azis Nesinin me Agim Zhulegun kushedi se ç’marrëzi do të gatuajnë ata të dy. Unë si komandant i “përgjithshëm” ruaja linjat e luftës. {Tani që po i radhis mbresat për vizitën e Azis Nesinit në Kakavijë i kujtoj me mirënjohje dy kolegët e mi të cilën kanë ndërruar jetë. Agim Zhulegun dhe Edmond Makashin. Që të dy bën karrierë. Por qenë të pafat. Agim Zhulegu vdiq i ri në Gjermani. Kurse Edmond Makashi, i cili ishte dhe një piktor i talentuar pas disa peripecish me të shoqen vari veten në litar duke qenë dhe Drejtor i Policisë së Durrësit].

-Ju më keni përmendur një telefonatë urgjente të bashkëshortes  Sadijes me Agollin direkt në telefonin e gatishmërisë në kufi. Çfarë solli kjo telefonatë në bisedën tuaj me Azis Nesin?

                Ishte një moment kur Dritëro Agollin e kërkoi në telefon e shoqja Sadija që nga Tirana, dhe ai shkoi të flas në centralin e luftës të postës kufitare. Azis Nesini e shfrytëzoi largimin e Driteroit dhe më tha që t’i tregoja ndonjë gjë të bukur, që ai ta shkruante dhe t’ua rrëfente miqve në Turqi. Dhe unë pa u menduar i tregova një shkëmb që ishte ballë për ballë me fshatin Kakavijë nga ku ne po vështronim. Ai shkëmbi që ju po e shikoni quhet “Shkëmbi Mao Ce Duni” i thashë. Kur ne kishim miqësi me kinezët shkruajtëm me germa të mëdha në faqen shkëmbore parullën “Rroftë shoku Mao Ce Dun”. Shkëmbin e ndan mes për mes vija e kufirit. Tani që u prishën marrëdhëniet me Kinën na kërkuan nga Ministria që ta shuajmë parullën e afishuar me germa të mëdha në faqen shkëmbore. Por germat e gjata nga tridhjetë metra nuk prishen. Nëse përdorim dinamit hapet lufta me Greqinë. Dhe siç e shikon parulla ende nuk është fshirë. Më the një gjë të këndshme tha Azis Nesin. Ja vlejti ardhja pesë minuta në stofkullën e fundit të luftës në Ballkan. Do t’ja tregoj dhe Dritëroit. Nuk ka nevojë shtova. Dritero Agolli ka ardhur dhe herë të tjera. Ja kam treguar historinë e shkëmbit me emrin e Mao Ce Dunit. Por nga ana tjetër ushtarët më vonë më thanë se Agollit në telefon një grua i tha kujdes kur të flasësh për Enverin. Pastaj Azis Nesin më kërkoi që unë t’i shpjegoj se përse kufitarët shqiptar i kanë togzat e rripave kaq të shndritshme. I ktheva përgjigje se kufitarët shqiptar i lyejnë togzat e rripave me një lloj pomade që ne e quajme “xhel”. Ky lloj kremi i pastron togzat nga çdo lloj ndryshku. Azis Nesin tha një emër tjetër. Mundet të jetë siç e thoni ju iu përgjigja. Dhe vazhdova. Komanda në Tiranë më ka porositur që të jem i kujdesshëm me personin tuaj. Paskeni qenë dhe oficer karriere. Kur unë i thashë se ju keni qenë oficer karriere ai ktheu kokën vetëtimthi. Dhe për herë të parë më vështroi seriozisht. Më pa nga koka tek këmbët. Çoç i bëri përshtypje thashë me vete. Fillimisht mbase ju duka si  një ciceron i rëndomtë. Prandaj kur u takuam nuk më begenisi, paçka se për të tjera arsye edhe unë i qëndrova ftohtë. Azis Nesini kishte epërsi ndaj meje. Ai kishte mbaruar shkollat dhe akademitë në Turqi. Ishte i kompletuar. Kurse unë kisha bërë një shkollë të zakonshme në Shqipëri. Vura re që Azis Nesni filloi t’më trajtoj ndryshe. Këtë do të ma thoshte vite më vonë Dritero Agolli. Azis Nesin mu afrua dhe më dhuroi një çakmak ngjyrë floriri. Nuk ja mora. S’ka gjë tha ai. Do t’ja jap Dritëroit. E kuptoi. Ju druheni se duke marrë çakmakun ju filmon kufitari grek me të cilin jeni hundë më hundë.

-Kur erdhi në çfarë ore erdhi Azis Nesin në Kakavijë dhe ?

                 Shkrimtari turk Azis Nesin erdhi në Kakavijë mbas dite. Dielli i Qafës së Muzinës i thyente hijet tona dhe ato e kalonin vijën e kufirit, ku bënte roje kufitari grek. Në një fraksion të minutës e pashë që hija e Azis Nesinit e kapërceu vijën e kufirit. Këtë e vuri re dhe kufitari grek me atë vështrimin e egër. Me dy fjalë ja thashë Azis Nesinit këtë që po ndodhte. Hija e tij mundet të na përplaste me armë me kufitarin grek. Azis Nesini më shmangu mua dhe filloj të flas me Dritero Agollin. Domosdo që i tha diçka për hijen e tij, e cila e kaloi vijën e kufirit pa “lejë”. Fliste dhe ra në mendime.

       Vitet kishin kaluar. Me Dritero Agollin ishim takuar shumë rrallë. Me rastin e tetëdhjetë vjetorit të lindjes i vajta për ta uruar në shtëpi. Mora dhe një fotograf tek “Foto Ulqini” e cila ishte poshtë pallatit ku ai banonte. E vuaja. Për Dritëro Agollin ishin vitet e fundit. Nuk ishte mirë me shëndet. Sadija më tha se e kishte tensionin e ulët. Së bashku kaluam një dy orë të paharrueshme. Kujtuam dhe atë natën në shtëpinë e Koço Kostës në fshatin Suhë të Gjirokastrës. Dritëroi nuk tha asnjë gjysmë fjale. Miku im Moikom Zeqo mu shkoqit më vonë se Dritëroi qe prishur për jetë me Koço Kostën. Unë i thashë Dritëro Agollit se kisha në duar vëllimin me tregime: “Nepërka e Kakavijës shkruan poezi”. Kur nuk e prisja ai më kujtoj vizitën e shkrimtarit turk Azis Nesin në Kakavijë. Ishte një vizitë spontane tha ai. Azis Nesin qëndroi në Shqipëri njëzetë ditë. Donte që të shkruante librin “Shqipëria që nxjerr grurin nga guri”. Por nuk e shkroi dot. Me Azis Nesinin ishim nisur për në Butrint të Sarandës. Gjatë gjithë vizitës së tij në Shqipëri Azis Nesnin e shoqëroja unë, Aleks Buda dhe Niko Nikolla. Për vizitën në Sarandë më ngarkuan mua. U pata thënë se kisha njohje me kuadrot e Kakavijës.

                Unë e ngacmova Dritëro Agollin nëse në Kakavijë Azis Nesin i kishte bërë përshtypje sjella ime e ftohtë? Ishte kodosh Azis Nesin e ngau bisedën më tutje Dritëro Agolli. Ai e kuptoi që ti si komandant e shmange qëllimisht vajtjen e tij në doganë për të pirë kafe. Në Butrint më pyeti sepse unë nuk e lejova që ai ta vizitonte doganën sa një furrik pule? Ja dhashë përgjigjen me të qeshur vijoj Dritëroi. Komandanti i Kakavijës u tremb nga sjella jote. Kakavija ishte në luftë. Ja tregova shkrimtarit turk atë që kishte ngjarë në oborrin e postës kufitare të Kakavijës. Kufitari grek në rrethana enigmatike kishte qëlluar me breshëri mitralozi një kufitar që quhej Llesh Pal Çupi dhe ishte nga Mirdita. Llesh Pal Çupi kishte vdekur në vend. Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që të mos bëhej asnjë veprim. Ngjarja të bëhej gur. Ishte gjendje lufte. Kur Sadija na i mbushi gotat përsëri me raki  unë e tora bisedën aty ku e la Driteroi. Mirë ja paske thënë Azis Nesinit i thashë me të shpejtë sikur ajo që do të tregoja do të fluturonte nga dritarja. Në Kakavijë na ndodhi një incident. Gati sa nuk plasi lufta. Kuzhinieri i postës kufitare brenda në kuzhinë e kishte ngritur zërin e radios sa që ajo u dëgjua në vendrojen e grekut. Komandanti grek ngriti flamurin e bardhë në vijën e kufirit. Protestoi. Këngën që e transmetonte Radio Tirana herë pas here i kushtohej dëshmorit Llesh Pal Çupit. Vargjet e këngës së bujshme ishin: – /Amanet nëna e Llesh Palit//Hiç të mos dhimbset jeta e djalit//Ke Enverin dhe Mehmetin//Mal me borë dhe dallgë deti/. Unë isha i ri kur shkrimtari turk Azis Nesin e vizitoi Kakavijën. Dritëro Agollli duke e kthyer gotën e rakisë me të dyja duart që i dridheshin më tha se ju drejtuesit e Kakavijës, që drejtonit në ato vite e frynit situatën sikur midis dy shteteve do të bëhej qameti. Ishte e papranueshme. E kundërshtova në sy të Sadijes. Askush nuk e di të vërtetën i thashë unë. Në atë kohë kur në Kakavijë erdhi Azis Nesini ne dhe Ministria e Brendshme asgjë nuk zmadhonim. Përse? Grekët kishin vrarë brutalisht kufitarin shqiptar Llesh Pal Çupin, të cilin propaganda e Enver Hoxhës e ngiti në qiell. Vrasja e Llesh Pal Çupit ka dhe një detaj që i turpëron forcat e kufirit të Shqipërisë. Një natë trupi i Llesh Pal Çupit u mbajt në tunelin e madh të Kakavijës. Të nesërmen në mëngjes erdhi një “Zis” me shofer minoritarin Jorgo Thanon. Trupi i kufitarit të vrarë u mbështoll me batanije dhe u shtri në karrocerinë e makinës. Në momentin kur makinën që e shoqëronin oficerët shqiptar për në spitalin e  Gjirokastrës ndodhi një ngjarje e turpshme, e cila më rrëqeth sa herë që e tregoj. Aty ku tani është ngritur dogana e re shqiptare ishte xhadeja e vjetër. Në një kthesë, ku vija e kufirit ishte dy metra larg nga toka e grekut makinës së Jorgo Thanos, e cila po transportonte kufomën e Llesh Pal Çupit, një tog me ushtarak grek i dalin përpara makinës dhe i kthejnë armët. Dy nga ushtarakët grek hipën në karrocerinë e makinës dhe e zbuluan kufomën e Llesh Pal Çupit, e cila qe mbështjell me batanije. Kur e panë se e kishin vrarë kufitarin shqiptar ata u larguan serbes – serbes pa u hyrë gjemb në këmbë. Turp më të madh nuk kishte ngjarë. Siç kam dëgjuar nga goja e Mehmet Shehut vet Enver Hoxha i ka falënderuar ushtarakët e kufirit shqiptar, që nuk e mbrojtën me zjarr kufomën e kufitarit të vrarë. Por gjithashtu më patën thënë me qindra herë oficerët e Zbulimit të Jashtëm dhe ata të Sigurimit të Shtetit se tragjedia e Llesh Pal Çupit nuk u mbyll me kaq. Pas një viti ish kufitarët mirditor të cilët kishin qenë shok me Llesh Pal Çupin futen fshehtas në tokën greke dhe mbysin me litar dy kufitar grek në thellësi të rrugës që të çon në për Janinë. Çudia qëndron se grekët nuk u ndjen. As protestuan. Ky informacion i vajti Enver Hoxhës që nga Athina, ku ne kishim ambasadën dhe ai urgjentisht dha urdhër që i gjithë efektivi i Kakavijës të qëndroi në gatishmëri dhe ta pres luftën nga minuti në minutë. Aty mund të ndodhte gjëma. Kjo ishte arsyeja që kur vinin në Kakavijë personalitete siç erdhi dhe Azis Nesin veprimet të ishin të matura. Kufitari grek në vendroje për hakmarrje, një metër nga vija e kufirit, nga çasti në çast mundet ta zbraste kallashnikovin.

             Pas vrasjes mizore të kufitarit shqiptar tek dera e fjetores grekët kërkonin ndonjë shkak për konflikt. Në këngët e tyre thuhej se duhet ta përzëmë tutje Tepelenës këngën labe. Që nga Shkumbini e përpjetë të jehojë klarineta e Vorjo – Epirit. Unë u ruhesha këtyre provokimeve edhe kur erdhi në vizitën e shkurtër Azis Nesini. Ndodhnin gjëra qesharake që nuk duhet të merreshin si provokacione. Jo shumë larg vendrojes së kufitarit grek për dreq një degë kungulli e mbirë në tokën shqiptare e kishte kaluar vijën e kufirit dhe qe zvarritur një dy metra në tokën greke. I qe qepur një muri të vjetër. Grekët këtë e morën si provokacion. Sipas rregullit pala greke ngriti flamurin e bardhë. Me të dy komisionet vajtëm dhe e verifikuam në vend. Unë ua shpjegova ushtarakëve grek se farën e kungullit e ka hedhur era në afërsi të vijës së kufirit. Dhe kjo ja bën “mu”. Nuk e kemi mbjellë ne kufitarët shqiptar. Por ishte e pamundur të merreshe vesh.

  Cfarë i bëri më shumë përshtypje Azis Nesinit në Kakavijë?

                 Nuk lashë pa i treguar Dritëro Agollit se kur e futa Azis Nesinin në zyrën time ai u mahitë. Dritaret e zyrës nuk ishin me xhama. Por kapak çeliku të trashë. Ishin provuar me mitraloz me fishek 12. 7 dhe llamarinat e hekurta nuk ishin shpuar nga plumbat. Ata kishin bërë rikoshet. Kështu ishin të gjitha dritaret. 700 metra ishte tuneli i thellë dhe i gjerë. Aty do të mbrohesh efektivi nëse do të kishte ndonjë provokacion. E gjithë godina e postës është edhe sot një bunker gjigand. Asnjë artileri nuk mundet që ta shkatërrojë. Le të mbetet si një relike e lutës së ftohtë.   Vizita e Azis Nesinit u zhvillua në këtë atmosferë vazhdoja t’i tregoja Dritero Agollit. Askush nuk fliste më zë të lart. Edhe era e marrë që frynte nga Qafa e Muzinës për në Janinë krijonte herë pas here “sherre”. Një kollë e thatë në fjetoren e kufitarëve duhej të evitohej. Tymi i oxhakut s’duhej të kalonte qoftë dhe një metër në tokën e Greqisë. Në mes të kësaj xanxe unë nuk ja vërshëlleva Azis Nesinit. Isha në siklet.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Flet ish-oficeri i Xhenios, Ilirjan Dhima

Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës “Shqipëria” në Athinë

– Jam habitur me rritjen e punëtorëve të huaj, filipinezë, egjiptianë, indianë, pakistanezë në shërbime, bujqësi, …