RKL: I nderuar Sahit Muja, përpara biznesit, mineraleve, investimeve dhe projekteve tuaja gjigante, qëndron njeriu dhe familja. Si ka qenë fëmijëria juaj në Tropojë, në çfarë familjeje jeni rritur dhe cilat janë vlerat që morët nga prindërit tuaj, të cilat edhe sot ndikojnë në mënyrën se si mendoni dhe veproni?
Sahit Muja: Familja Shqiptare ka qenë dhe mbetet një shembull global i vlerave të arta të njerëzimit, ku ne jemi ushqyer me dashurinë për familjen, të afërmit, atdheun, kombin dhe arsimin. Jam rritur në një familje të një fisit të madh, Bytyçit të Tropojës, që njihet kombëtarisht për bujari, atdhedashuri dhe sakrificë në çdo luftë ndër breza. Familja ime ka qenë simbol i këtyre vlerave në Tropojë dhe në nivel kombëtar, një familje shumë e madhe me 6 vëllezër e 3 motra. Familja ka qenë themeli im i përgatitjes, i karakterit dhe i edukimit.
RKL: Sa ndikoi vendlindja juaj, Tropoja, në formimin e personalitetit dhe të vizionit tuaj? Sot ju punoni me minerale, natyrën dhe pasuritë e nëntokës në një shkallë ndërkombëtare. A mendoni se rrënjët tuaja shqiptare kanë ndikuar në mënyrën se si e shihni tokën, pasuritë natyrore dhe raportin e njeriut me natyrën?
Sahit Muja: Tropoja është një vend tejet i pasur me minerale. Babai im zbuloi rastësisht në Bytyç kromin më cilësor në botë. Ky metal, ndër më të rëndësishmit në botë, fillimisht nxirrej nga italianët e polakët dhe dërgohej në Kosovë, e prej aty në Gjermani gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Më pas, minierat dhe gjeologjia e zonës u zhvilluan nga shteti. Unë kam punuar gjithnjë me gjeologët gjatë stinës së verës, kështu që njohuritë në këtë fushë i kam pasur që në fëmijëri.
RKL: Çfarë rrugëtimi arsimor keni bërë dhe cilat kanë qenë momentet apo njerëzit që ju kanë orientuar drejt shkencës, gjeologjisë, mineraleve, financave dhe sipërmarrjes? Kur e kuptuat për herë të parë se biznesi dhe shkenca mund të bashkoheshin në një projekt të madh?
Sahit Muja: Kam kryer shkollën profesionale të Agrikulturës, e cila lidhet drejtpërdrejt me mineralet, shkencën e tokës e me radhë. Kam punuar që në moshën 7-vjeçare, që nga mbledhja e bimëve medicinale e deri te puna me mineralet. Që fëmijë kam kultivuar dashurinë për pavarësinë financiare dhe biznesin, por vizioni i madh u ndërtua në New York. Kur shkova në Amerikë 30 vite më parë, fillova të investoja fitimet në bursa, kompani, shkencë dhe teknologji. Për 30 vjet me radhë, përforcimi i dijes ka qenë një proces i vazhdueshëm, i bazuar edhe në raportet e qindra kompanive ku kam investuar.
RKL: Ju u larguat drejt Shteteve të Bashkuara dhe, sipas biografisë suaj publike, fillimet atje nuk kanë qenë të lehta; keni kaluar nëpër fusha të ndryshme të biznesit, përfshirë ndërtimin, tregtinë, restorantet dhe më pas mineralet e investimet. Cili ka qenë momenti më i vështirë i asaj periudhe dhe cili vendim e ndryshoi përfundimisht drejtimin e karrierës suaj?
Sahit Muja: Kur zbrita nga aeroplani në Amerikë, kam qenë tejet i vendosur dhe i fokusuar se në tokën e ëndrrave do të realizohej jo vetëm ëndrra ime, por edhe ajo e brezave. Për mua, periudha më e vështirë ka qenë lufta në Kosovë dhe trazirat në Shqipëri gjatë vitit 1997. Ajo ishte një periudhë reflektimi, një shpërthim në ndërtimin e një strategjie me një qëllim shumë më të madh: fillimi i krijimit të lidhjeve të fuqishme politike e biznesore në Amerikë. Ky rrjet bashkëpunimi hapi dyer që nuk i kisha imagjinuar kurrë.
RKL: Sot emri juaj lidhet me Albanian Minerals, Green Minerals, Global Mining, Metalplant dhe Green Natural Wonders, ndërsa veprimtaria juaj shtrihet nga mineralet dhe minierat te materialet e avancuara, teknologjitë e gjelbra dhe investimet. Si është ndërtuar kjo strukturë biznesi dhe cili është modeli që i lidh këto kompani në një vizion të vetëm?
Sahit Muja: Bizneset e mia janë tejet të sofistikuara dhe integrojnë asetet natyrore, teknologjitë e rinovueshme, investimet në shkencë, teknologji, komputim kuantik, inteligjencë artificiale dhe financë, me një qëllim universal: ndërtimin e një qytetërimi rigjenerues (Regenerative Civilization), një planet të pastër, si dhe bollëk në ushqim, energji e materiale.
RKL: Një prej projekteve më interesante që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare është Metalplant dhe ideja e kultivimit të nikelit përmes bimëve, në vend të metodave tradicionale të nxjerrjes. Si lindi kjo ide dhe çfarë potenciali real shihni te bashkimi i mineraleve, biologjisë dhe teknologjisë për të ndryshuar industrinë minerare?
Sahit Muja: Po, ky është një projekt tejet i mbështetur nga Qeveria e SHBA-së. Është një shkencë tejet e sofistikuar, përtej imagjinatës: bimësia shërben si një fabrikë natyrore që punon me energji falas, me ujë shiu dhe minerale. Këto bimë nxjerrin në mënyrë të purifikuar metale dhe minerale tejet të çmueshme, të cilat do të jenë baza për ndërtimin e një qytetërimi të ri. Ne po e zhvillojmë këtë teknologji në Amerikë me qindra produkte të ndryshme.
RKL: Ju keni folur për një ekonomi të gjelbër prej 30 trilionë dollarësh dhe për konceptin tuaj të “Regenerative Civilization”, ku mineralet, energjia, teknologjia, inteligjenca artificiale, bujqësia, uji dhe industria lidhen në një sistem të vetëm. Çfarë është konkretisht ky “qytetërim rigjenerues” dhe cili është ndryshimi mes tij dhe konceptit tradicional të ekonomisë së gjelbër?
Sahit Muja: Po, ky projekt tashmë është duke u publikuar dhe shpërndarë në të gjithë botën. Është punë 30-vjeçare me shkencëtarë, ekonomistë e vizionarë për të ndërtuar një ekonomi që bazohet në rigjenerim, jo në nxjerrje e harxhim, dhe jo në mbeturina e humbje. Ky projekt përfshin të gjitha industritë e sotme që kanë një të ardhur prej 30 trilionë dollarësh në vit, ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që ato të jenë industri rigjeneruese, që mbrojnë planetin e njerëzimin, si dhe krijojnë vende pune e prosperitet.
RKL: Tani kemi ardhur te projekti që duket si kulmi i punës suaj intelektuale: më shumë se 1,250 libra të organizuar në 22 sisteme enciklopedike. Si është e mundur të ndërtohet një projekt i kësaj përmase, sa njerëz dhe ekspertë janë përfshirë dhe cili është qëllimi përfundimtar i kësaj vepre? A synoni të krijoni një enciklopedi për brezin e sotëm apo një arkiv të dijes për shekujt e ardhshëm?
Sahit Muja: Ky është një projekt 30-vjeçar ku janë përfshirë qindra ekspertë të fushave të ndryshme. E kam nisur 30 vite më parë dhe e kam financuar vetë. Tashmë ka nisur botimi i fuqishëm: çdo ditë po publikohen libra dhe vëllime shumë të mëdha. Momentalisht janë publikuar 82 libra, çka përbën sot enciklopedinë më të madhe në botë të publikuar dhe në shitje. Mbi 1,250 libra janë bërë gati dhe po publikohen çdo ditë në Amerikë, për t’u shpërndarë në mbarë botën nga kompanitë më të fuqishme globale të kësaj fushe. Ky projekt përmban 22 enciklopedi që pasqyrojnë asetet globale, industritë, teknologjitë dhe të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, nga edukimi te shëndeti. Ndryshe nga enciklopeditë e tjera, në themel të saj është integrimi total: është shkencë, asete, teknologji, vizion dhe plan i së ardhmes për brezat që do të vijnë.
RKL: Në deklaratën tuaj të fundit ju thoni se të ardhurat nga librat do të përdoren për të ndihmuar njerëzimin, për të mbrojtur planetin dhe për të zhvilluar teknologji e zgjidhje të reja. Sa nga kjo është tashmë e realizuar në projekte konkrete dhe si do të matet ndikimi i kësaj nisme – në aspektin ekonomik, shkencor, mjedisor dhe humanitar?
Sahit Muja: Librat që po shiten dhe vlerësohen në mbarë botën po u japin mundësinë të gjithë njerëzve t’i lexojnë falas përmes abonimeve në Amazon, si dhe në forma të tjera si me kapak të butë (paperback), kapak të fortë (hardcover) apo format digjital. Fitimi do të përdoret tërësisht për avancimin e njerëzimit në shkencë e teknologji, si dhe për ruajtjen e mbrojtjen e planetit.
RKL: Dhe në fund, i nderuar Sahit Muja, pas më shumë se tri dekadash punë, biznesi, investimesh, kërkimesh dhe tani një projekti prej mbi 1,250 librash, çfarë mbetet ende për t’u realizuar? Kur ta shikoni këtë vepër pas 20 apo 30 vitesh, çfarë do të dëshironit të thoshin njerëzit për Sahit Mujën: për biznesmenin, për shqiptarin nga Tropoja apo për njeriun që besoi se dija dhe pasuria duhet t’i shërbejnë të ardhmes së njerëzimit?
Sahit Muja: Unë kam një mesazh të qartë, plan dhe vizion për të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit. Mesazhi im është se suksesi i njeriut matet me atë që ai bën për të tjerët, për planetin, si dhe me veprat që lë pas. Dija është themeli i suksesit. Unë nuk kam arritur këtu lehtë, por me punë e përkushtim. Edhe sot studioj të paktën 4 orë në ditë, duke mbetur gjithmonë një student i etur për dije dhe përmirësim.
RKL: I nderuar, pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë profesional dhe sipërmarrës, çfarë roli ka pasur familja në momentet më të vështira dhe më të rëndësishme të këtij rrugëtimi?
Sahit Muja: Kam pasur mbështetje maksimale nga familja ime; ajo ka qenë gjithmonë dhe mbetet foleja, frymëzimi dhe mbështetja ime. Gjatë kohës së studimeve në universitet, mbështetja e tyre ishte me gjithçka që kishin. Ndërsa gjatë realizimit të projekteve të mëdha, vëllezërit e mi kanë qenë gjithmonë pranë meje, duke më ndihmuar e mbështetur me gjithçka dhe në çdo kohë.
RKL: I nderuar z. Muja, ju falënderoj shumë që u bëtë pjesë e intervistave të Radio Kosovës së Lirë. Mirënjohje për kontributin tuaj dhe për gjithçka që po bëni për vendin tonë. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe shumë të arritura të tjera në rrugëtimin tuaj!
Te përshëndes përzemërsisht Sahit Muja New York
Intervistën e realizoi Arbana Qeriqi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
