515 të rinj kanë dhënë betimin solemn në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke u zotuar se do t’i shërbejnë Republikës së Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment krenarie, ndërsa ka paralajmëruar se objektivi i planifikuar i personelit për vitin 2028 do të arrihet dy vjet para afatit. Përmes një postimi, Maqedonci ka theksuar se betimi shënon fillimin e një rrugëtimi të ri për ushtarët e rinj, i cili kërkon disiplinë, përkushtim dhe përgjegjësi ndaj atdheut dhe qytetarëve. Sipas ministrit, gjatë mandatit qeverisës është më shumë se dyfishuar numri i ushtarëve të rinj të rekrutuar. Ai ka bërë të ditur se, me grupin e ardhshëm që do të nisë trajnimin, Forca e Sigurisë së Kosovës do ta arrijë objektivin e planifikuar të personelit për vitin 2028, dy vjet më herët se afati i përcaktuar. Maqedonci ka përmendur gjithashtu rritjen e buxhetit të mbrojtjes, zgjerimin e mundësive për trajnim jashtë vendit dhe heqjen e kufizimit të mëparshëm numerik për ushtarakët e FSK-së. Ai ka deklaruar se buxheti i mbrojtjes është trefishuar gjatë kësaj periudhe, duke kaluar nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa numri i ushtarakëve të trajnuar jashtë vendit është katërfishuar. Betimi i 515 të rinjve shënon një tjetër hap në procesin e rekrutimit dhe përgatitjes së brezit të ri të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët zotohen t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
