Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj udhëheqjes së partisë, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë politike, legjitimitetin e strukturave dhe respektimin e statutit. Në reagimin e tij, Buja ka ngritur shqetësime për vendimet e fundit politike, përfshirë zhvillimet rreth Kushtetutës, Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe procesit për zgjedhjen e presidentes. Ai ka kërkuar llogaridhënie për pasojat e këtyre vendimeve, duke pretenduar se përgjegjësia është shmangur. “Kreu i PDK-së iku, por pasojat dhe shumë pyetje mbetën. Gabimet u grumbulluan, përgjegjësia u shmang dhe askush nuk dha llogari!”, ka shkruar Buja. Kritikat e tij janë drejtuar edhe ndaj funksionimit të brendshëm të partisë. Sipas Bujës, statuti është lënë anash, ndërsa legjitimiteti i strukturave partiake është vënë në pikëpyetje nga vendimet e udhëheqjes. “Statuti i PDK-së është bërë inekzistent, legjitimiteti i strukturave është vënë seriozisht në pikëpyetje, ndërsa partia u la peng e vendimeve të një udhëheqjeje të papërgjegjshme”, ka deklaruar ai. Buja u ka bërë thirrje anëtarëve të PDK-së të mos qëndrojnë pasivë përballë zhvillimeve, por të kërkojnë përgjegjësi politike dhe respektim të rregullave të brendshme të partisë. “Nuk jeni ju fajtorë që mes nesh u fut kali i Trojës!”, përfundoi Buja, me një mesazh që lë të kuptohet se përgjegjësinë për krizën e sheh te njerëzit brenda vetë strukturave politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
