Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kritikuar kthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim të gabuar, të papranueshëm dhe të dëmshëm.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Latifi, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se deputetët e kësaj partie e kanë mbështetur ligjin si në lexim të parë, ashtu edhe në lexim të dytë, me qëllim që të kontribuojnë në kundërshtimin e asaj që e konsiderojnë padrejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Deputetët e Aleancës në Kuvendin e Kosovës e kanë votuar edhe në lexim të parë, edhe në lexim të dytë ligjin për plotësim-ndryshimin i cili ka të bëjë me Dhomat e Specializuara, përkatësisht me Gjykatën Speciale. Me vetëdije të plotë e kanë votuar si një kontribut modest që ka të bëjë me kundërshtimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale, për ta zgjidhur padrejtësinë që u është bërë bashkëluftëtarëve tanë çlirimtarë”, ka thënë ai.
Latifi është shprehur i pakënaqur me vendimin për kthimin e ligjit në Kuvend, duke vlerësuar se kjo qasje nuk i shërben qëllimit për të cilin është mbështetur nisma.
“E në fakt, presidentja e ka kthyer në Kuvend me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Mendoj se është gabim të ndiqet kjo rrugë. Edhe ne jemi tërësisht të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet kjo situatë dhe ky ligj”, ka thënë ai.
Ai e ka cilësuar situatën zhgënjyese, duke rikujtuar protestat e qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe duke kërkuar që një çështje e tillë të trajtohet me seriozitet.
“Realisht, është dëshpëruese. Është diçka që na jep të drejtë të jemi tërësisht të pakënaqur dhe, fatkeqësisht, na jep të drejtë ta cilësojmë si një lojë të padobishme, të papranueshme dhe të dëmshme në situatën nëpër të cilën po kalojmë. Mendoj se është gabim të trajtohet në këtë mënyrë një ligj kaq serioz, për të cilin kanë kërkuar qytetarët që kanë protestuar për 20 ditë e 20 net rresht. Është tepër gabim kjo qasje që po shohim tani”, ka thënë Latifi.
Sipas tij, nëse qëllimi i ligjit ka qenë që t’u ndihmohet ish-krerëve të UÇK-së, atëherë kthimi i tij në Kuvend nuk është mënyra e duhur për ta arritur këtë synim.
“Po, është gabim. Duhet të jemi seriozë. Nëse vërtet ideja, qëllimi dhe përkushtimi përmes këtij ligji kanë qenë që t’u ndihmohet bashkëluftëtarëve tanë, krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë kjo nuk është as rruga e duhur, as metoda, as mënyra dhe as forma e duhur”, ka thënë ai.
Latifi ka shtuar se çështja nuk duhet të trajtohet në një mënyrë që, sipas tij, e zhvlerëson përkushtimin e qytetarëve dhe të rinjve që janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së.
“Është tepër shqetësuese kjo situatë dhe ne konsiderojmë se nuk duhet të bëhet asnjëherë lojë e ndyrë me gjithë përkushtimin dhe vullnetin që janë dëshmuar nga rinia dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për sa i përket solidarizimit dhe kundërshtimit të vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin e konsiderojmë të padrejtë dhe të papranueshëm”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvend pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij.
Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhet veçanërisht me dispozitat që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
