Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate. Trajnimi, i zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit. Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit u përballën me sfida që testuan qëndrueshmërinë e tyre fizike dhe mendore, aftësitë udhëheqëse, disiplinën dhe vendimmarrjen në kushte të vështira. Përveç ushtarakëve nga Kosova dhe Kroacia, në trajnim morën pjesë edhe pjesëtarë të forcave të armatosura nga Shqipëria, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Marshimi përmbyllës kishte edhe rëndësi simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare. Sipas FSK-së, pjesëmarrja në këtë program krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave profesionale, zhvillimin e aftësive udhëheqëse të pjesëtarëve të saj dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere. FSK-ja synon të vazhdojë avancimin profesional të pjesëtarëve të saj dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në funksion të përmbushjes së misionit të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
