Intervistë me Dr. Skënder Demaliaj: Për Profesor Ahmetin jemi të gjithë borxhlinj

PROFESOR AHMET QERIQIN E PERSEKUTOI GJATË GJITHË KOHËS PUSHTETI I DHUNSHËM GJENOCID SERB. TË MOS I JEPEN SOT ATO MERITA QË I TAKOJNË ËSHTË NJË PERSEKUTIM I DYTË.

RKL: Profesor ju keni patur marrëdhënie shumë të mira dhe komunikime të vazhdueshme me Profesor Ahmet Qeriqin. Si u njohët me të?

Skënder Demaliaj: Për herë të parë e kam takuar në Tiranë në shoqërinë e gazetarit Halil Katana, i cili po pinte një kafe me të, në një lokal afër Teatrit të Operas dhe Baletit, në katin e dytë. Sot ky lokal nuk ekziston. Hyra aty brenda për të kërkuar një mikun tim, por gjeta një mik tjetër të shtrenjtë e të paharruar. Sa më pa Halili, ma bëri me shenjë të afrohesha te tavolina e tyre. Më prezantoi me Profesorin dhe u ulëm të tre bashkë. Kisha dëgjuar për veprimtarinë e tij atdhetare dhe se ishte themelues dhe drejtor i Radio Kosovës së Lirë. Halili në fjalën e tij foli për botimet e mia shkencore, se isha profesor i lëndëve: psikologji e pedagogji dhe se isha i nipi i Shaban Haxhisë, Komandantit të Brigadës së Shtatë Kosovare. Sa e mori vesh këtë, u ngrit në këmbë dhe më përqafoi fort. Tha se kishte patur shumë dëshirë të takonte një nga familjarët e Shabanit dhe ja ku e solli fati të takojë nipin e tij. Vazhdoi më tej: “Faleminderit Halil Katana!” Kishte lexuar edhe librin me kujtimet e tij: “Masakra e Gjilanit”, të cilin e kisha përgatitur unë për botim. I kishte pëlqyer shumë. Theksoi se e ndjenim nevojën për të patur më shumë infomacion për këtë burrë të madh dhe ky libër në një farë mase na ndihmoi, por ne kemi nevojë edhe për materiale dhe dokumenta të tjera. I dhashë fjalën se do t’ia dërgoja sa më shpejt dhe e mbajta fjalën. Në Radio Kosovën e Lirë ai bëri një montazh muziko-letrar për të, i cili u pëlqye shumë.

RKL: Çfarë iu bëri përshtypje nga takimi me të? Cili ishte perceptimi i parë?

Skënder Demaliaj: Ishte një burrë i thjeshtë, fisnik, i ditur, shumë i përkushtuar për çështjen kombëtare, i pakënaqur me klasën politike në Kosovë e në Shqipëri, sepse sipas tij duhej të bënin më shumë për zhvillimin e vendeve të tyre, në luftën kundër korrupsionit, në vendosjen e shtetit ligjor, si edhe për bashkimin e kombit shqiptar. Fliste ngadalë, me zë të ulët, me argumenta dhe të tërhiqte në bisedën e tij. Kishe dëshirë të vazhdoje sa më gjatë me të.

RKL: Si vazhdoi më tej komunikimi juaj?

Skënder Demaliaj: Dërgoja herë pas herë materiale dhe m’i botonte menjëherë, komunikonim me email. Gjithmonë më drejtohej me fjalët: “Të falenderoj shumë, i nderuar dhe i respektuar Skënder!” Unë i drejtohesha me fjalët: “I nderuar dhe i dashur Ahmet!” Ishte një komunikim i ngrohtë midis dy kolegësh, pavarësisht diferencave në moshë. Të dy ishim në llogoren e luftës për një Kosovë e Shqipëri të pavarur, demokratike, të zhvilluar dhe të bashkuar.

RKL: Cilat do të veçoni si çastet më të rëndësishme të këtij komunikimi?

Skënder Demaliaj: Janë shumë, por po ndalem te disa më kryesoret:

  • Më 18 nëntor 2018 botoi shkrimin tim: “Kur politika bëhet nga rruga, nuk ka vend për intelektualët”. Pasi e botoi më shkroi: “Përshëndetje, i nderuar Skënder! Të lumtë e të lumtë për analizën e shkëlqyer që i ke bërë këtij segmenti të politikës sonë, ende në rrugë pa krye. Shkrime të tilla më përforcojnë konstatimin se atje ku ka rrjedh, jo vetëm do të pikojë, por do të rrjedhë edhe më shumë. Edhe njëherë urime për shkrimin! Gjithë të mirat! Ahmeti
  • Më 17 shkurt 2020 e urova për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Përgjigja e tij ishte e menjëherëshme: “Urime edhe ju, i nderuar Skënder! Edhe ju e familja juaj keni qenë dhe jeni pjesë historike e çlirimit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Shëndet dhe suksese! Ahmeti
  • Më 4 janar 2021 i dërgova këtë mesazh: “Urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit të Radio Kosovës së Lirë, radio e të gjithë shqiptarëve, e cila luajti rol të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj! Me shpirt e me zemër jam pranë jush në këtë Ditë të madhe e të paharruar.” Më shkroi: “I nderuar Skënder! Ju falenderoj për urimin, por edhe për punën dhe kontributin që mes të tjerash i keni dhëni dhe i jepni Radio Kosovës së Lirë, me studime dhe analiza të mirëfillta dhe profesionale. Ju urojmë shëndet, suksese e gjithë të mirat! Ahmeti
  • Më 8 korrik 2021 botoi shkrimin tim për Akademikun Eqerem Çabej. Ndër të tjera më shkruante: “Ju lumtë, i nderuar Skënder dhe përgëzime për vështrimin shkencor, kushtuar atdhetarit dhe Akademikut Eqerem Çabej, pa të cilin shkenca e Albanologjisë do të ishte rënuar, sidomos nga “varrmihësit e sharlatanët e sotëm”. Vepra e Çabejit ka qenë dhe mbetet ndër shtyllat më të forta që ka Albanologjia, kultura dhe historia shqiptare. Të falenderoj shumë për bashkëpunimin. Shkrimet, analizat dhe studimet Tuaja lexohen me shumë interes, sepse kanë qasje dhe perceptim origjinal dhe trajtojnë tema nga më të ndryshmet. Edhe njëherë ju Lumtë! Ahmeti
  • Më 29 dhjetor 2024 i dërgova një mesazh për ditëlindjen: “Urime për ditëlindjen, i nderuar dhe i dashur Ahmet! Ju përfaqësoni palcën e atdhetarizmit shqiptar. Jeta, puna dhe veprat Tuaja në shërbim të Kombit Shqiptar do të jenë të pavdekshme, shembull frymëzimi për gjeneratat e ardhshme! Ju uroj suksese, shëndet, gëzime dhe lumturi familjarisht! Me respekt dhe konsideratë të veçantë Skënder Demaliaj”. Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë. Kjo duket edhe nga përgjigja që më ktheu: “Të falenderoj shumë, i respektuar Skënder. Tash jam me regjim në shtrat. Nuk mund të ngrihem vetë. Sëmundja nuk e ka prekur kujtesën as inteligjencën time. Kështu ende po rri ulur e po punoj kohë pas kohe” Një njeri i papërkulur, me vullnet të jashtëzakonshëm, që nuk ndaloi së punuari deri në çastet e fundit të jetës së tij. Është shembull i madh frymëzimi për të gjithë.
  • Më 7 mars 2025 mora lajmin e hidhur se Profesor Ahmeti ishte ndarë nga jeta, pikërisht Ditën e Mësuesit. Ahmet Qeriqi qe një mësues dhe edukator i masave. Iu drejtova menjëherë familjes me këtë mesazh: “Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Profesor Ahmet Qeriqit, shkrimtar, studiues, gazetar, erudit, me një kulturë dhe formim shumëdimensional, njeri i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Ishte një atdhetar i madh i Kosovës dhe i gjithë trojeve shqiptare, njeri me kurajo, i drejtë, i sinqertë, fisnik, i guximshëm, i pakomprometuar, i cili i përballoi me sukses sfidat e jetës. Profesor Ahmet Qeriqi luftoi e punoi me përkushtim për Kombin e vet, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për bashkimin e trojeve shqiptare. Vuajtjet, sakrificat, dënimet e rënda e të vazhdueshme nga pushteti i dhunshëm serb nuk e frikësuan dhe nuk e mposhtën asnjëherë. Jeta dhe vepra e Tij do të kujtohet përherë. Do të nderohet gjithmonë e do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm. I qoftë i lehtë dheu! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Tij të mrekullueshme! Me respekt dhe konsideratë të veçantë për miqësinë dhe bashkëpunimin që pata me Të për vite të tëra! Dr. Skënder Demaliaj”. Kur shkova në Prishtinë bashkë me bashkëshorten time, Albanën shkuam për ngushëllim te vajza e Tij, Arbana dhe djali, Zamiri.

RKL: Ju nuk e ndërpretë bashkëpunimin me Radio Kosovën e Lirë edhe pas ndarjes së Tij nga jeta…

Skënder Demaliaj: Jo. Gjeta mjedis miqësor dhe mikpritës edhe nga fëmijët e Tij, Arbana dhe Zamiri. Fëmijë që i ruajnë si të shenjta amanetet e Tij dhe i nderojnë e i respektojnë miqtë e babait. Më datën 3 gusht 2026, Forumi i Intelektualëve në Shtime organizoi veprimtarinë “Portrete krijuesish “Ahmet Qeriqi”. Me këtë rast pjesëmarrësve iu dërgova një mesazh, i cili u lexua nga ish-nxënësi i Tij, Ali Uka. U mirëprit dhe u duartrokit. U gëzova pamasë. Ishte një vlerësim edhe për mua, për fjalët e ngrohta dhe me dashuri që përcolla për Profesor Ahmet Qeriqin.

RKL: Profesor Ahmeti iu ka bërë një parathënie për librin tuaj: “Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në Verën e vitit 1999”. Përse pikërisht zgjodhët Profesorin dhe si e priti ai propozimin tuaj?

Skënder Demaliaj: Zgjodha Profesor Ahmetin se e njihte shumë mirë historinë e Kosovës, të djeshmen dhe të sotmen, se ishte redaktor i shkëlqyer dhe se e donte shumë Kosovën dhe bashkëatdhetarët e tij. Profesori bëri detyrën e redaktorit, por bëri edhe parathënien e librit me titull: “Një libër i faktuar dhe i argumentuar për krimet shekullore serbe mbi shqiptarët”. Ishte torturuar e burgosur disa herë nga pushteti serb. Në parathënie shkruante: “Duke qenë pjesëtar i një familje të njohur atdhetare, nipi i Shaban Haxhi Demaliajt, ai me familjen e tij ka kaluar nëpër rrugën e mundimeve si shumë shqiptarë të tjerë, andaj edhe interesimi për këtë temë është pjesë e përjetimeve dhe e preokupimeve të tij…. Skënder Demaliaj përfaqëson intelektualin e kompletuar të kohës sonë, i cili shkruan me kompetencë, duke u udhëhequr nga e vërteta dhe e drejta… Autori ka vënë në pah edhe filozofinë vrastare, antishqiptare të Akademikut serb, Dobrica Qosiç, që është edhe babai ideologjik i kryekriminelit, Millosheviç”. Për mua kjo parathënie është e shenjtë dhe me shumë vlera.

RKL: Çfarë mund të vlerësoni si cilësi thelbësore të Tij?

Skënder Demaliaj: Profesor Ahmet Qeriqi është një figurë e ndritur e Kombit Shqiptar, intelektual hero me integritet të lartë profesional e moral, kampion i mbrojtjes së çështjes kombëtare dhe i bashkimit kombbëtar. Kështu mund ta përkufizoj atë. Ishte njeri i ditur, me interesa të gjera shkencore: historian, shkrimtar, publicist, pedagog, studiues, kritik letrar dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Përqendrimi, vullneti i hekurt, vendosmëria – ishin elementet thelbësore të arritjeve të Tij. E prezantoi dhe e mbrojti çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare në mënyrë të shkëlqyer. Është mbrojtës i të vërtetës së historisë e të Kombit Shqiptar. Çdo çast i jetës së tij ka një qëllim, janë thirrje, kushtrim, program pune për shqiptarët e Kosovës, si ta bëjnë vendin e tyre një vend me të vërtetë europian, si ta mbrojnë lirinë dhe pavarësinë.

RKL: Si mendoni ju? A e ka marrë vlerësimin që i takon?

Skënder Demaliaj: Për Profesor Ahmetin jemi të gjithë borxhlinj. Edhe në Shqipëri duhet të ketë më shumë botime nga veprat dhe studimet e Tij, të zenë vend në programet e letërsisë në shkollat tona, të organizohen tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca shkencore, t’i jepen tituj e dekorata. Ne jemi dy shtete, por një komb, prandaj e kemi për detyrë të publikojmë figurat e rëndësishme edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Filozofi Niche shkruante: “Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet jo aq nga njerëzit e tij të mëdhenj, sesa nga mënyra se si sillet ndaj tyre”. Mirënjohja, respekti, vlerësimi për Profesor Ahmet Qeriqin dhe të tjerë si ai nuk duhet të vdesin kurrë! Inatin shumë pushtetarë në Kosovë e në Shqipëri e kanë se ai ishte i drejtë, parimor, i papajtueshëm me politikat e qendrimet e tyre ndaj çështjes kombëtare, ndaj të vërtetave të mëdha historike. Edhe Buda thoshte se inati nuk mbrohet me inat. Kur shoh qendrimet e këtyre pushtetarëve më bie ndërmend vargjet e Shekspirit:

O njeri, qenie e ngratë!

Sapo fiton pushtet fillon të sillesh,

Aq me budallëk nën kupë qiellore,

Nga e cila edhe ëngjëjt qajnë”.

Profesor Ahmet Qeriqin e persekutoi gjatë gjithë kohës pushteti i dhunshëm gjenocid serb. Të mos i jepen ato merita që i takojnë sot, është një persekutim i dytë.

RKL: Faleminderit për intervistën!

Skënder Demaliaj: Faleminderit Ju!

Kontrolloni gjithashtu

Rifat Kullolli: Populli po helmohet pasi Enti Shtetëror i Farërave dhe AKU, heshtin para problemeve me normat, standardet dhe cilësitë e pesticideve dhe farërave

Rifat Kullolli: Populli po helmohet pasi Enti Shtetëror i Farërave dhe AKU, heshtin para problemeve me normat, standardet dhe cilësitë e pesticideve dhe farërave

-Në Shqipëri ka problem për përdorimin e pesticideve mbi normat e lejuara, sidomos në perimet, …