Thuhet se ta ndjesh dhimbjen tënde tregon se je gjallë, ndërsa ta ndjesh dhimbjen e tjetrit tregon se je njeri!
Nuk ka nevojë të tregojmë se çfarë do të thotë të mos e ndjesh dhimbjen e të tjerëve.
Për ta kuptuar dhimbjen e atyre që kanë humbur gjymtyrët gjatë luftës çlirimtare, më së miri mund ta kuptojmë nëse imagjinojmë të ecim me një kokrrizë të vogël rëre brenda këpucës. Nuk besoj se mund të ecim as disa dhjetëra metra, madje as për pak sekonda, pa e larguar atë kokrrizë nga këpuca!
Ndërsa, nga intervistat e zhvilluara me invalidët që kanë humbur gjymtyrët, kam mësuar se dhimbja e tyre nga protezat joadekuate është shumëfish më e madhe! Ata tregojnë se, nëse proteza nuk është e përshtatshme, ajo shkakton plagë në pjesën e mbetur të gjymtyrës. Kjo bën që, për shkak të pamundësisë për të ecur, të detyrohen të jetojnë si njerëz të ngujuar brenda shtëpive të tyre.
Por ne jemi të detyruar të jetojmë kështu, edhe pse nuk kemi bërë asnjë krim!
Dhe, kur i kujton të gjitha këto, të vijnë në mendje edhe vuajtjet e tjera që ata përjetojnë për shkak të mungesës së protezave të përshtatshme.
Aspekti social
Për shkak të pamundësisë për të lëvizur, këta njerëz nuk arrijnë ta përmbushin njërën nga nevojat themelore të njeriut: shoqërimin. Përkundrazi, janë të detyruar ta kalojnë pjesën më të madhe të kohës në vetmi.
Drejtësia
A nuk kanë edhe këta të drejtë ta gëzojnë njërën nga të drejtat themelore të njeriut, atë të lëvizjes së lirë?
E drejta për punë
E si mund të shkojë në punë një njeri që ka humbur gjymtyrën dhe nuk ka një protezë që do t’ia mundësonte lëvizjen?
Pasojat janë të shumta, por ja që ata që kanë mundësi të vendosin për mirëqenien e këtyre njerëzve, tregohen zemërgurë dhe nuk e vrasin mendjen për faktin se ata që lanë gjymtyrët në themelet e shtetësisë së Kosovës detyrohen të jetojnë të përjashtuar nga shoqëria, pa mundësi për të lëvizur lirshëm dhe pa mundësi për të gëzuar shumë të drejta të tjera.
Turp e më turp për këta deputetë që sot i shijojnë frytet e lirisë, ndërsa më meritorët për realizimin e këtij ideali i lënë të jetojnë në margjinat e shoqërisë!
P.S.
Vetëm pas përfundimit të luftës, nga qershori i vitit 1999 deri në tetor të vitit 2023, si pasojë e minave të vendosura nga ushtria e Serbisë, në Kosovë janë evidentuar 468 raste të humbjes së gjymtyrëve dhe organeve, ndërsa 117 persona të tjerë kanë humbur jetën.
Numri mund të jetë edhe më i madh, pasi mund të ketë raste të paevidentuara. Nëse këtij numri ia shtojmë edhe rastet e ndodhura gjatë viteve të luftës, 1998–1999, numri i personave që kanë humbur gjymtyrët mund të jetë shumë më i madh se kaq.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
