Remzie Zeqiraj, mori pjesë në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura

Komisioneri Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës: KOMISIONERJA PARLAMENTARE PËR FSK-në MORI PJESË NË KONFERENCËN E 18-të NDËRKOMBËTARE TË OMBUDSPERSONËVE PËR FORCAT E ARMATOSURA NË AUSTRALI
Sidnej, 22 tetor 2026
Komisionerja Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, znj. Remzie Zeqiraj, mori pjesë në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura (18ICOAF), e cila u mbajt nga 19 deri më 21 tetor 2026, në Sidnej të Australisë.
Pjesëmarrja e Komisioneres Parlamentare u realizua me ftesë zyrtare të Qendrës së Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF) dhe të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Australisë, institucione bashkorganizatore të këtij forumi ndërkombëtar.
Konferenca e këtij viti u zhvillua nën temën “Institucionet e Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura në një mjedis gjeostrategjik në ndryshim”, duke bashkuar përfaqësues të institucioneve të ombudspersonëve, mekanizmave të mbikëqyrjes së sektorit të mbrojtjes dhe ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të praktikave të mira në fushën e mbikëqyrjes së pavarur të forcave të armatosura.
Me këtë rast, në margjina të konferencës, Komisionerja Zeqiraj zhvilloi takime me drejtoren e DCAF-it, ambasadoren Nathalie Chuard; Ombudspersonin për Departamentin e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Kanadasë, z. Mario Baril; bashkëdrejtuesit e Qendrës së Pavarur për Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Konfederatës së Zvicrës, znj. Silvia Hahn dhe z. Stefan Junger; si dhe me Komisionerin Parlamentar për Forcat e Armatosura të Bundeswehr-it, z. Henning Otte. Ajo gjithashtu zhvilloi takime dhe shkëmbime me ombudspersonë, komisionerë dhe inspektorë të përgjithshëm nga Ukraina, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera.
Në të gjitha takimet, kontaktet dhe shkëmbimet u theksua rëndësia e bashkëpunimit profesional dypalësh, si dhe e shkëmbimit të përvojave dhe sfidave të përbashkëta gjatë ushtrimit të mandatit në kuadër të kontrollit civil demokratik mbi Forcat e Armatosura. Në këtë kontekst, në një kohë të karakterizuar nga ndryshime të thella gjeopolitike, pasiguri strategjike, rritje të investimeve në mbrojtje dhe zhvillim të shpejtë të teknologjive ushtarake, konferenca vuri në fokus rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve të ombudspersonëve në garantimin e llogaridhënies, respektimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e mekanizmave të pavarur të mbikëqyrjes së sektorit të mbrojtjes.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të forcave të armatosura, kushtet e shërbimit, qasja në kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen psikologjike, si dhe mirëqenia e pjesëtarëve dhe familjeve të tyre. Vëmendje iu kushtua gjithashtu ndikimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja në fushën ushtarake, ligjshmërisë së urdhrave, respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe përgjegjësisë institucionale.
Një dimension i rëndësishëm i konferencës ishte shkëmbimi i përvojave ndërmjet institucioneve që veprojnë në kontekste të ndryshme politike, juridike dhe të sigurisë. Ky bashkëpunim synon forcimin e pavarësisë institucionale, përmirësimin e mekanizmave të trajtimit të ankesave dhe zhvillimin e qasjeve më efektive për parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të forcave të armatosura.
Pjesëmarrja e Komisioneres Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës në këtë konferencë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e standardeve të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e sigurisë. Njohja me praktikat ndërkombëtare dhe përvojat e institucioneve homologe krijon bazë për zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes përfaqësimit në forume të këtij niveli, Komisionerja Parlamentare për FSK-në kontribuon në forcimin e lidhjeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë dhe në promovimin e parimeve të mbikëqyrjes demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në sektorin e mbrojtjes.
Konferenca e 18-të ICOAF konfirmoi rëndësinë e institucioneve të pavarura të mbikëqyrjes si mekanizma thelbësorë për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të forcave të armatosura, rritjen e besimit institucional dhe përmirësimin e qeverisjes demokratike në sektorin e mbrojtjes.

Kontrolloni gjithashtu

Glauk Konjufca në OKB pranon gabimet e aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, por kërkon korrigjim në apel

Kryediplomati i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes …