Shqipëria dërgon kontingjentin e parë të helikopterëve në misionin e KFOR-it në Kosovë

Kontingjenti i parë i helikopterëve nga Shqipëria do t’i bashkohet misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke zgjeruar kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në Bazën Ajrore të Farkës është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilët do të shërbejnë në kuadër të këtij misioni në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, në Kosovë. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përkushtimit të vendit ndaj përgjegjësive që ka si anëtar i NATO-s. Ai theksoi se ky mision ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe vëllazërore me Kosovën, por edhe sepse siguria e Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Nufi rikonfirmoi se angazhimi i Shqipërisë në KFOR mbetet i palëkundur, duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, kontributi i Forcave të Armatosura Shqiptare shtrihet edhe në operacionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Voci, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe familjarë të efektivëve që do të shërbejnë në këtë mision.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj

Daut Haradinaj godet ashpër Glauk Konjufcën për paraqitjen në OKB: Kosova e poshtëruar, marre!

Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së Glauk Konjufcës në Këshillin e Sigurimit të …